Flash News

KRYESORE

Presidenti Thaçi refuzon pjesëmarrjen në Samitin e BERZH: Kosova nuk pranon të diskriminohet nga askush

Presidenti Thaçi refuzon pjesëmarrjen në Samitin e BERZH:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Shkak është bërë marrëdhënia me Bosnje-Hercegovinën.

Në një njoftim për median nga  presidenca e Kosovës, njoftohet se  Presidenti Thaçi e falënderon BERZH-in për ftesën dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në këtë takim, si dhe shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e tij.

“Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm.

 Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur.

 Bosnje Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për fatin e keq të qytetarëve të të dyja vendeve ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.

Më tej, duke e konsideruar paradoksale një situatë të tillë, përkundër luftës së përgjakshme që ka ndodhur dhe pavarësisht që ende nuk ka  një marrëveshje për normalizim, shkruhet se  lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa në anën tjetër Bosnje Hercegovina vazhdon t’i diskriminojë qytetarët e Kosovës me regjim të vizave.

“Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnje Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia. Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, shkruhet më tej në njoftim.

Të fundit