Presidenti tregon takimin sekret me Ramën dhe të ardhmen e zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta tha se ai ka bërë çdo përpjekje për të zgjidhur krizën politike në vend dhe se kryeministri Edi Rama e di mirë se sa i shqetësuar ai është për situatën. Përpara se të anulonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit, ai zhvilloi një takim me kreun e qeverisë.

“Kemi pasur një drekë sekrete, e fundit para 10 ditësh në Pallatin e Brigadave, ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe tejkalimin e saj. I takonte atij të kërkonte datë tjetër për zgjedhjet.

Dy a tre ditë para se të merrej vendimi për zhdekretimin e zgjedhjeve, Rama ka qenë ne TV dhe ka bërë të qartë se nuk e vë në diskutim 30 qershorin. Nuk kam bërë tentativë për të komunikuar me të atë ditë. Më pas më ka nderuar duke vizituar Skraparin. E vërteta është se kam bërë përpjekje për të komunikuar me Ruçin, por ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është historia pse Rama s’ka qenë i surprizuar. Megjithatë ka kohë të reflektojë”, tha Meta.

Kreu i Shtetit e bëri të qartë se për mbajtjen e zgjedhjeve, vendos ai.

Në Republikë ka një institucion që i shpall zgjedhjet. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione të tjera. Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Po zgjedhje s’ka dhe s’do të ketë pa dekretin e Presidentit”, theksoi Meta.