Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Pretendon se nuk vuan nga “gjiganto-mania”, por çfarë mendon Ditmir Bushati për shfuqizimin e ‘Speciales’ në Kosovë, që prek edhe Shqipërinë?
Është e kot t’i drejtohesh Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë për marrë një qëndrim për çështje me rëndësi rajonale sepse nuk kthen kurrë përgjigje. Ndonëse ministri Ditmir Bushati pretendon se nuk vuan nga”gjiganto-mania”, çka do të thotë sipas tij se qeveria nuk mund të mbajë qëndrim për çdo çështje të jashtme, Politiko.al solli pak ditë më parë rastet kur Ministria e Jashtme në drejtimin e Bushatit ka dalë me qëndrime për çështjen e Koresë së Veriut, por jo për ato të rajonit tonë.
Tirana zyrtare po qëndron sërish në heshtje për një tjetër çështje me rëndësi të madhe që rrezikon interesin kombëtar, siç është përpjekja e drejtuesve politikë në Prishtinë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale të ngritur nga OKB, për gjykimin e krimeve të luftës.
SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar Prishtinën për pasoja të rënda nëse ‘Specialja’ shfuqizohet, ndërkohë që Serbia ka përfituar nga kjo situatë dhe ka deklaruar se do të ndërpresë bisedimet në Bruksel në rast se vendimi për shfuqizimin e Gjykatës kalon në Kuvendin e Kosovës. Po Tirana çfarë pozicioni ka për këtë çështje? Deri më tani ka vetëm heshtje.
Kjo çështje delikate nuk prek vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë, pasi akuzat (të paprovuara) e serbëve prej dekadash e përfshijnë vendin tonë si bazë të mundshme ku janë kryer krime ndaj ushtarëve dhe civilëve serbë nga UÇK.
Duhet thënë se, qëndrimi i Bushatit për ‘Specialen’ ka ndryshuar vazhdimisht përgjatë viteve. Në maj të 2014-s, ai u shpreh për ‘Zërin e Amerikës’ se autoritetet në Prishtinë janë treguar kurajoze në përkrahjen që i kanë dhënë kësaj gjykate.
“Ky është një vendim i autoriteteve legjitime të Kosovës për t’i dhënë dritën e gjelbër krijimit të një tribunali ad hoc i cili do të gjykojë krimet e pretenduara në një periudhë të caktuar kohore që mund të kenë ndodhur në Kosovë. Është një vendim kurajoz i autoriteteve të Kosovës të cilat duan të garantojnë një nivel sa më të lartë të mundshëm të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, çka nuk ka qenë rasti për fat të keq për vende të tjera që dolën nga suaza e ish-Jugosllavisë”, do shprehej në atë kohë ministri shqiptar.
Por, në shkurt të 2015-s, Bushati kishte mësuar se efekti i ‘Speciales’ mund të shtrihej deri në Shqipëri dhe qëndrimi i tij i ri ishte se krijimi i kësaj gjykate ishte i padrejtë për Kosovën.
“Pavarësisht ngritjes së kësaj gjykate apo jo, askush nuk mund të hedhë pikën e baltës apo të ketë hije dyshimi mbi sakrificat e popullit të Kosovës dhe luftën e drejtë për liri dhe pavarësi dhe qëndrimi i Shqipërisë do të jetë i palëkundur në këto linja. A preket apo jo Shqipëria nga ky proces, kur vjen puna për këto lloj akuzash të ngritura, Shqipëria dhe Kosova kam përshtypjen se janë një dhe vetëm një”, deklaronte Bushati në krah të Hashim Thaçit, kur ky i fundit ishte Ministër i Jashtëm.
Që pas kësaj deklarate, Bushati nuk ka bërë më asnjë deklaratë për këtë çështje.
Por heshtja për një kohë të gjatë nuk i bën mirë Shqipërisë dhe Kosovës, në një kohë kur tashmë kanë filluar jo vetëm përplasjet e Prishtinës me ndërkombëtarët, por edhe paralajmërimet për rikthimin e UÇK-së.