Prishtina ‘shuplakë’ Beogradit dhe Tiranës: Jemi kundër tregut të përbashkët, zgjat ndikimin rus

Prishtina ka reaguar e para pas deklaratës së bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha gjatë një interviste se krijimi i tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor është rikthimi i Ish-Jugosllavisë, plus Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj shprehet kundër një ideje të tillë, që sipas tij, ka tendecë anti-europiane dhe zgjat ndikimin e Rusisë në rajon. Ai thekson se Kosova është kundër një “Jugosllavie të re”.

“Ideja e Serbisë për një treg të përbashkët rajonal është tendencë anti-europiane për ta çorientuar dhe dominuar rajonin, si dhe zgjatur ndikimin e Rusisë. Kosova është kundër një ‘Jugosllavie të re’, model ky që ka dështuar në të kaluarën dhe ka rezultuar në luftëra të dhunshme. Opsioni i vetëm është orientimi euroatlantik”, ka shkruar Hoxhaj në Tëitter.

Prishtina ka qenë gjithnjë skeptike ndaj çdo nisme të ardhur nga Beogradi, ku përfshihen gjatë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse Shqipëria nuk ka reaguar ende pas deklaratës së Vuçiç, kryeministri Edi Rama ka mbështetur më herët idenë e heqjes së barrierave mes shteteve të rajonit.