Flash News

KRYESORE

"Pro identifikimit biometrik në gjithë vendin dhe financim miks të partive"; Çfarë u arrit në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik?

"Pro identifikimit biometrik në gjithë vendin dhe financim miks

Çfarë u arrit në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik?

Ka përfunduar pas dy orësh diskutime mbledhja e sotme e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore. Në takimin e sotëm, palët kanë arritur në konsensus përsa i përket mënyrës se si do të procedohet në lidhje me identifikimin biometrik dhe çështjen e financimit të partive.

Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi i demokratëve në tryezën e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, tha se identifikimi biometrik do të shtrihet në të gjithë vendin, me qëllim që të pengojë krimin zgjedhor me votat false.

“Drafti përfundimtar do të sigurojë që identifikimi biometrik do të jetë në të gjitha qëndrat e votimit në Shqipëri. Kutitë e votimit do të jenë të mbrojtura nga votat false. Kushdo që e bën këtë do të procedohet penalisht”, u shpreh Bylykbashi.

Ndërkaq, referuar çështjes së financimit të partive, Gjiknuri theksoi se në mbledhjen e sotme palët arritën të binin dakord për një financim miks.

Ramë dakord për pranimin e raportit 1 me 3 të partneritetit publik dhe atij privat”, tha Gjiknuri.

Për çështjen e financimit, çështje kjo tepër sensitive për opozitën, të njëjtën gjë pohoi edhe Bylykbashi.  Ish-deputeti sqaroi se do dyfishohet financimi nga buxheti i shtetit për partitë politike, në raportin privat-publik 1 me 3. Kjo bëhet për të eliminuar në maksimum shit-blerjen e votës dhe korrupsionin në zgjedhje.

 “Sot ramë dakord për paketën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore. Ne kërkojmë që të gjejmë zgjidhje për fushatën. Në këtë kod kemi rënë dakord që të ketë reduktim të financimit privat dhe reduktim të shpenzimeve, ku 3-fshi do të jete vetëm 3-fishi i financimit publik. Sot partitë kanë të drejtë të shpenzojnë 10-fishin e parave që marrin nga privati. Nesër Këshilli Politik mblidhet sërish për çështje që janë të hapura”,  tha Bylykbashi.

Kujtojmë se, dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI, shpesh gjatë protestave të tyre kanë hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke ngulmuar në faktin se kjo e fundit ka marrë para të pista nga oligarkët për të blerë votat e qytetarëve, të përkthyera këto më pas në mandate deputetësh.

Në përfundim, Këshilli Politik pritet të mblidhet sërish ditën e nesërme. Një fakt i tillë u konfirmua si nga Gjiknuri edhe nga Bylykbashi, të cilët sqaruan se takimi i nesërm do të jetë për të diskutuar çështje të tjera të mbetura pezull.

“Nesër duam të mbyllim ligjin zgjedhor. Ka ende pika për të diskutuar... Nesër do të diskutojmë pjesën e KQZ dhe disa elementë të tjerë. Nesër PD dhe të gjitha forcat besoj është në interes edhe të tyre që të mbyllim totalisht draftin”, tha Gjiknuri.

“Nesër Këshilli Politik mblidhet sërish për çështje që janë të hapura”,  ka deklaruar ndër të tjera Bylykbashi.

Lexo edhe: https://politiko.al/identifikim-biometrik-ne-te-gjitha-qendrat-e-votimit-bylykbashi-zbardh-detaje-nga-mbledhja-e-keshillit-politik-financim-miks-ne-raportin-1-me-3/

Lexo edhe: https://politiko.al/mbyllet-mbledhja-e-keshillit-politik-gjiknuri-per-cfare-rame-dakodr/

Të fundit