Flash News

KRYESORE

Problemi i Universitetit publik është përtej pagave; fillon te Ministria e Arsimit

Problemi i Universitetit publik është përtej pagave; fillon te

Mirela Karabina

Sistemi arsimor është në një çoroditje të organizuar, pasojat e të cilit do të na rëndojnë gjatë. Me një demagogji termash, ndjesash, nismash, ccdo ditë po rrënohet shtylla e shoqërisë, arsimi. Me strategji, tashmë mediatike, Ministria e Arsimit, si ‘pronare” e arsimimit të shqiptarëve, jep urdhra, vendos e vulos shkatërrimin e arsimit nga ekrani. Pa u përtypur mirë çudia e ndryshimit në sistemin arsimor parauniversitar, vjen lajmi i “një ndjesë të madhe publike” të ministres së Arsimit.

Tashmë janë kthyer në normalitet dhe në shfaqje të shëmtuara këto deklarata pa përmbajte, por të djallëzuara të Ministrisë së Arsimit. Për të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha, krijohen artifice të qëllimshme.

Nga ambjente e një instuticioni arsimor privat, Ministrja, i kërkoi “ndjesë” pedagogëve të sektorit publik sepse qeveria, pjesë e së cilës ajo është, duhej të kishte bërë punën mirë. Kjo është fyerje e inteligjencës, shpërfillje e botës akademike dhe tallje me publikun.

Guxim i madh ky.

Arsimimi i shqiptarëve nuk është monopol i ministrisë së Arsimit.

Por, ministrja, mjerisht dhe fatkeqësisht, ka të drejtë të japë këtë shfaqje të shëmtuar. Ku janë rektorët, ku janë dekanët e zgjedhur, ku janë shefat? I është prekur “shtëpia”!  Për cilësinë nuk i dëgjojmë të flasin, por për anëtarët e Bordit janë të ineresuar shumë dekanët, dhe reagojnë menjëherë. Po për pagat e pedagogëve, ku ndjeshmëria duhet të kalojë kufijtë e qetësisë dhe durimit?

Kujt i drejtohet ministrja,vetes? Cilët janë administratorët që qenkërkën bërë pengesë? Ku janë përfaqësuesit aq të dëshiruar të ministrisë së Arsimit që shpërdorojnë detyrën duke shkelur ligjin si anëtarë të Bordit?

Atëherë, meqë qenkërka kështu, dekanët duhet të japin dorëhehqjen sepse paskan sjellë këtë situatë, anëtarët e Bordit të Ministrisë të ndryshohen se paskan shpërdoruar detyrën, të ndryshojnë këto struktura të cilat nuk menaxhojnë dhe nuk sigurojnë mirëfunksionimin e instuticioneve të Arsimit të Lartë.

Me të drejtë, ministrja guxon dhe ndërmerr një hap të tillë, të papërgjegjshëm, duke përdorur togfjalëshin mjeran “ndjesë publike”, sepse strukturat drejtuese të universiteteve janë të heshtura, pa gojë.

Investimi i bërë, për një kujtesë afatshkurtër, ia ka arritur qëllimit. Para disa muajsh këta dekanë, të cilët sot heshtin, u ngritën me guxim të madh kundër ligjit, menjëherë sapo ministra e Arsimit, për arsye të mosfunksionimit dhe realizimit të detyrave të Bordit, ndryshoi anëtarët e saj përfaqësues në bord. Reagimi i dekanëve dhe kryetarit të Bordit të Univesitetit të Tiranës, sot zëvendësministër i Arsimit, ishte i menjëhershëm. Pse? Sepse aty do të administrohej buxheti, shumë i rëndësishëm për ta, mesa duket. Po sot? Po pagat nuk përbëjnë problem për fakultetet e tyre?

Por, problemi është përtej pagave. Filloi me “ndjesën” djallëzore dhe vazhdoi me takimin e djeshëm të planifikuar të Kryeminstrit me Senatin e Universitetit të Tiranës.

 Përse duhej ky takim?

Qartazi, Kryeminstri, sot, i ka treguar Senatit të Universitetit të Tiranës që të bëjë punën. I ka kujtuar rankimin dhe punët e brendshme. Në fakt, Senati, sot në takim, nuk duhet të shkonte për pagat e vonuara, por për buxhetin për arsimin që të sigurojë pagat e pedagogëve dhe kërkimin shkencor; për paligjshmërinë që ka mbërthyer Instuticionet e Arsimit të Lartë; për Reformën e dështuar; për Ligjin e Arsimit të Lartë të pazbatueshëm në shumë pika, të cilat kanë rrënuar cilësinë dhe kanë cënuar autonominë e Universiteteve. Për këtë duhet të ishin ata sot, të jepnin dhe të kërkonin llogari për mirëfunksionimin e Instuticioneve të Arsimit të Lartë dhe rritjes së cilësisë së tyre. Por dhe sot, ashtu siç kanë bërë, ata heshtën.

Por, Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit e kishin mirëmenduar takimin dhe mesazhin që do jepnin: Universitetet publike janë të paaftë të menaxhojnë e të funksionojnë të pavarur. Kjo është arsyeja e“ndjesës” djallëzore dhe artificit të krijuar me pagat.

Por, kjo që po ndodh tregon qartë, në fakt, sesi funksionojnë dhe përdoren universitetet, sesi varësia në një ccengel të ndryshkur nga Ministria dhe përdorimi i tyre është prezent. Kjo është dhe arsyeja që ata, edhe dje, në takim ishin “pa gojë”. Kjo ka nxjerrë, në fakt, qartazi varësinë dhe zhytjen në të keqe. Edhe renditja në fund e Universitetit të Tiranës, nën drejtimin e këtyre strukturave, përsëri i la “pa gojë”.

Plaga, tashmë, është hapur dhe nuk mbyllet më.

Por, duket që qeveria i ka menduar “mirë” punët. Duke parë këtë “paaftësi” në menaxhim dhe një heshtje nga strukturat e universiteteve, ajo ka bërë gati VKM-në, ku Këshilli i Ministrave do të përcaktojë formatin e programit mësimor në universitete dhe disa ndryshime te tjera.

Pra, liria akademike do të mbetet një utopi, ashtu si dhe reformat e ndërmarra.

“Ndjesa e padenjë” dhe “heshtja” fajtore, “detyrojnë” qeverinë dhe ministrinë të menaxhojë vetë univeristetet.

Por, shkenca është nëna e diturisë, dhe opinioni ushqen injorancën –thotë Hipokriti.

Kështu që, fuqia e dijes, fuqia e botës akademike kalon mbi çdo ministri dhe qeveri.

*Ish-ministre e Arsimit.

Të fundit