Flash News

KRYESORE

Procedimi për protestën, Basha: E kam për nder, do vazhdojmë rrugën. Nuk na arrestojnë dot të gjithëve

Procedimi për protestën, Basha: E kam për nder, do vazhdojmë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të policisë e cila ka nisur procedimin ndaj tij dhe disa deputetëve të opozitës pas protestës që opozita zhvilloi të enjten duke bllokuar disa akse rrugore.

Basha e ka cilësuar si një veprim qesharak të hetuesisë partiake Rama-Marku siç e quajti ai vendimin për procedimin e deputetëve.

Por pavarësisht këtij vendimi, Basha tha se nuk do të ketë asnjë tërheqje.

“Është një veprim qesharak i hetuesisë politike Rama-Marku i cili ekspozon për fat të keq atë që e kemi paralajmëruar prej kohësh, që tani Edi Rama ka futur në dorë edhe drejtësinë, edhe prokurorinë. Kjo është faza e fundit e autokracisë ku grumbullon të gjitha pushtetet.

Unë e kam për nder që të procedohem penalisht bashkë me qytetarët që jemi ngritur në protestë për një të drejtë legjitime, për të mbrojtur 11 kuksianët e arrestuar padrejtësisht dhe që mbahen padrejtësisht në qelitë e burgut. Mbahen aty sepse janë ngritur kundër një faji të pranuar botërisht të Edi Ramës që ishte vendosja e traut dhe tarifës korruptive në ‘Rrugën e Kombit’. Beteja do të vazhdojë. Askush prej nesh nuk frikësohet apo prapset nga ky veprim qesharak i hetuesisë politike Rama-Marku. I bëj thirrje qytetarëve që me besim dhe pa pikë frike të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Nuk na arrestojnë dot të gjithëve”, deklaroi Basha.

 

 

 

 

 

 

Të fundit