Profesori shpjegon shkencërisht se përse një tërmet i fuqishëm është i pamundur

Profesori Shyqyri Aliaj ka drejtuar për disa vite Institutin e Sizmologjisë dhe njohuritë për tërmetet i ka të mëdha. Ndërsa qytetarët në vend janë më të shqetësuar se kurrë, ai u bëri thirrje që të qetësohen sepse, tërmete të tilla aq të forta nuk do të bien më. Një tërmet i tretë me të tillë magnitudë, sipas tij nuk ka shanse që të ndodhë e këtë e vërtetoi me fakte shkencore. Profesori krahasoi tërmetet e 21 shtatorit me atë të 26 nëntorit.

“A do të bjerë më tërmet i tillë? Jo nuk do të ndodhë! Çdo termet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e tërmetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë.”, tha ai në Abc news.

Aliaj shtoi se është një zonë që akumuluar energji dhe vjen koha qe një energji e akumuluar që bëhet aq e madhe që është në mes dy pllakave pllaka afrikane me pllakën evropiane. “Kur përplasen këto pllaka, pllaka afrikane zhytet futet poshtë pllakës euroaziatike e saldojnë shkëmbin dhe gjeneron tërmetin. Është një lëvizje e kontinenteve. Ky ndërveprim gjeneron tërmete në ultësirën perëndimore të Shqipërisë”.