Flash News

KRYESORE

PROFIL/ Kyriakos Mitsotakis, greku i traditës që kërkon të thyejë zakonet e Greqisë

Në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, trashëgimtar i një dinastie politike, është një emër i madh. Ai po bën fushatë me partinë konservatore Nea Dimokratia për t'u bërë kryeministri i ardhshëm i vendit. Zgjedhjet europiane të fundjavës që shkoi i dhanë atij një shans për të testuar mundësitë e kësaj.

 

Mitsotakis, 51 vjeç, ka bërë një rrugë të gjatë derikur në janar 2016 u bë udhëheqës i Nea Dimokratia (Demokracia e re), partisë më të rëndësishme të opozitës në vend. Në atë kohë, ndërsa prej kohëshkishte shërbyer si deputet i parlamentit grek, ai ishte gjithashtu i njohur si i biri i ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis, një përbindësh i politikës greke. Ai ishte relativisht i ri, kishte pak përvojë në qeveri dhe zotëronte pak aleatë brenda partisë së tij.

Tre vjet më vonë, ai është gati të kërkojë çmimin e madh: Ai është aktualisht favoriti për t'u bërë kryeministri i ardhshëm grek. Konservatorët kanë qenë vazhdimisht përpara në të gjitha anketat krahasuar me partinë qeverisëse Syriza të kryeministrit të tanishëm Alexis Tsipras. Është hera e parë në katër vjet që grekët shkuan në kutinë e votimit në nivel kombëtar, dhe Mitsotakis e quan një "referendum" për Tsiprasin (bëhet fjalë për zgjedhjet e parlamnetit europian).

Nëse Nea Dimokratia kthehet në pushtet në vjeshtë, do të ishte një kthesë e jashtëzakonshme e ngjarjeve. Vala anti-sistemike që katapultoi Tsipras dhe partinë e tij Syriza në pushtet dhe asgjësoi partinë tradicionale Pasok të qendrës së majtë, nuk i goditi kurrë konservatorët.

'Vendi ende po paguan pasojat'

"Vendet dhe shoqëritë korrigjojnë veten", thotë Mitsotakis për DER SPIEGEL. "Ne kemi anuar drejt populizmit, gënjeshtrave dhe paaftësisë. Në historinë greke ka pasur shumë raste kur pas një periudhe kalbjeje lindën diçka të re". Mitsotakis përshkruan administratën e Tsipras si "qeveria më e keqe e Greqisë që nga viti 1974", vit kur demokracia u rivendos pas grushtit ushtarak kundër juntës shtatëvjeçare.

Në të njëjtën kohë, rekordi i përgjithshëm i qeverisë aktuale nuk është aq i keq sa sugjerojnë anketat. Përkundër platformave të saj populiste politike të krahut të majtë, Tsipras i plotëson kërkesat e kreditorëve të huaj, dhe kanë mbetur pak nga pozicionet radikale të tij mbi euron dhe borxhin. Ai ka ndërmarrë hapa për cclirimin e vendit të mbytur në borxhe krijuar nga programet e shpëtimit dhe riktheu një pjesë të sovranitetit të humbur të vendit.

Ekonomia po rritet përsëri pas gati një dekade të recesionit dhe papunësia është në rënie. Krerët europianë, përfshirë kancelaren Angela Merkel, tani e vlerësojnë atë si një partner të besueshëm. Të mërkurën, në mes të fushatës për zgedhjet europiane, Tsipras njoftoi për ulje taksash dhe një pagë të veçantë për pensionistët.

Mitsotakis, në anën tjetër, akuzon Tsipras dhe qeverinë e tij se kanë flirtuar në vitin 2015 me Grexit dhe largimin nga eurozona dhe më pas e kanë prirë kombin drejt një programi të tretë shpëtimi. Të dyja, argumenton ai, ishin të panevojshme dhe tepër të shtrenjta. "Ne nuk mund të qëndrojmë në buzë të humnerës", thotë Mitsotakis, "por vendi ende paguan pasojat për gjashtë muajt e parë të vitit 2015."

Kritika e ashpër e kryeminsitrit

Mitsotakis pretendon se Tsipras ka dështuar me ekonominë, "çështja që ndikon më shumë në jetën e grekëve. Kjo është arsyeja pse 80% e votuesve besojnë se Greqia po shkon në drejtimin e gabuar", thotë Mitsotakis. Problemi kryesor, argumenton ai, është cilësia e institucioneve dhe zbatimi i reformave të vërteta. Këtu, Tsipras "ka dështuar keq," thotë ai. Ai mund të ketë rritur taksat për të përmbushur objektivat fiskale, pohon ai, por "investimet u dëmtuan dhe privatizimet u zbatuan nga detyrimi".

Kandidati konservator e shpërfill rëndësinë e kryesimit të tij në sondazhe, duke thënë se ai do të vazhdojë me fushatën e tij derë më derë. "Kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit është treguesi më i besueshëm se vendi është gati për ndryshim", thotë ai. Politikani dëshiron të përdorë fushatën për të promovuar imazhin e tij. Tsipras shihet nga shumë grekë si politikan fotogjen, karizmatik dhe i rrahur me jetën, ndërsa Mitsotakis konsiderohet si një pasardhës i mbrojtur mirë i një dinastie politike, një teknokrat pa karizëm personale.

Të dy burrat kanë shumë pak gjëra të përbashkëta. Politika e tyre, pikëpamjet e tyre mbi botën dhe historitë e tyre të jetës qëndrojnë në kontrast të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Tsipras shkoi në shkollat ​​publike dhe u diplomua nga një universitet publik dhe u rrit në një lagje të klasës së mesme në Athinë. Mitsotakis shkoi në elitarin Kolegji i Athinës dhe gjithashtu studioi në Harvard dhe Stanford. Në fillim të viteve 1990, Tsipras ishte anëtar i Rinisë Komuniste të Greqisë dhe një figurë udhëheqëse në kryengritjet e shkollës së mesme kundër reformave të arsimit nën kryeministrin Konstantinos Mitsotakis. Në atë kohë, djali i kryeministrit Kyriakos punonte si analist financiar për Chase Bank në Londër.

Ai beson se një jetë e zhytur në politikë i ka dhënë atij një avantazh. "Pushteti nuk më zë kollaj", thotë ai. Ai gjithashtu nuk shmang as akuzën se është i shkëputur nga grekët e zakonshëm duke u përpjekur të paraqesë veten si një 'djalë të lagjes'. Kjo taktikë duket se po funksionon. Nëse e shoqëroni në ndalesat e fushatës në vende si Serres, Selaniku ose në ishullin e Lesbos, njerëzit e thërrasin në emër.

Mitsotakis thotë se "ambicia e fshehtë" e tij për zgjedhjet e BE është se Nea Dimokratia do të marrë rezultate më të mira se çdo forcë tjetër e Partive Popullore Europiane, grupimi i partive konservatore në Parlamentin Europian. Ai thotë se një sukses i tillë do të ishte një qortim për politikanët populistë si Tsipras ose kryeministrin hungarez Viktor Orban. "Ne do të provojmë se ka një mënyrë tjetër," thotë ai. "Që nuk duhet të jeni populist, nuk duhet të jeni nacionalist, ju nuk duhet ta gjuani Europën për të arritur suksesin zgjedhor. Greqia ishte vendi i parë në eurozonë që eksperimentoi me populizmin. Dhe do të jetë vendi i parë që hyn në epokën e post-populizmit".

Një përplasje e vazhdueshme me Maqedoninë Veriore

Por Mitsotakis vetë është akuzuar për flirtim me pikërisht këtë lloj populizmi. Ai dhe konservatorët e tij kundërshtojnë marrëveshjen që Greqia nënshkroi në janar me fqinjin e saj, Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur një konflikt gati 20-vjeçar mbi përdorimin e emrit Maqedoni. Marrëveshja rezultoi në ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në Maqedona Veriore. Në BE dhe NATO, marrëveshja është mirëpritur si një sukses diplomatik që do të ndihmojë në stabilizimin e Ballkanit.

Mitsotakis, megjithatë, ka kërcënuar se do të bllokojë rrugën e pranimit të Maqedonisë së veriut si rezultat i marrëveshjes. Ai argumenton se një emër me rëndësi aq të madhe kulturore dhe historike për Greqinë sapo i është dorëzuar një vendi tjetër. Shumë e shohin qëndrimin e tij si produkt cinik i llogaritjes elektorale, një fërshëllimë ndjellëse për nacionalistët grekë, por Mitsotakis e hedh poshtë këtë nocion. Ai këmbëngul se marrëveshja është vërtet e keqe për interesat greke dhe se negociatat e kryera ishin "të mjerueshme". Kur ai takon votues në rrugë, u tregon atyre se marrëveshja është shumë e keqe, por gjithashtu ligjërisht e kopsitur.

Ka një premtim shtesë që Mitsotakis e përsërit dhe që kritikët e tij nuk besojnë se do të jetë në gjendje ta mbajë. Ai dëshiron të rinegociojë detyrimet e Greqisë ndaj kreditorëve. Athina ka rënë dakord të punojë drejt arritjes së suficiti buxhetor vjetor prej 3.5 përqind deri në vitin 2022. Dhe vendi nuk do të lejohet të marrë borxhe për dekada të tëra.

Një Axhendë Ekonomike Liberale

"Është thjesht gabim që Greqia të mbytet në sufiçite të tilla", thotë Mitsotakis. "Shqetësimi kryesor i europianëve është se si të marrin mbrapsht paratë e tyre dhe ata nuk do të mund t'i marrin nëse ekonomia po rritet vetëm me 1 për qind në vit". Ai dëshiron të fitojë besimin e kreditorëve ndërkombëtarë, duke zbatuar një program të guximshëm reformash dhe investimesh dhe pastaj të kërkojë kushte më të mira dhe më shumë hapësirë ​​për frymëmarrje. Por disa politikanë të lartë të BE kanë thënë tashmë se këto kushte nuk janë të negociueshme.

Nëse zgjidhet, Kyriakos Mitsotakis thotë se dëshiron t'i japë fund një tradite shekullore të favorizimit në vend.

Pasi të jetë në pushtet, Mitsotakis synon të zbatojë një agjendë klasike ekonomike liberale: shkurtimet e taksave, shkurtimet e shpenzimeve publike, eliminimin e burokracisë, nxitjen e sipërmarrjes dhe më pak përfitime sociale. Ai gjithashtu dëshiron që grekët të ndihen më të sigurt.

Shumë vëzhgues besojnë se Mitsotakis është serioz në lidhje me qëllimet e tij, por ata kanë dyshime se a mos Tsipras mund t'i mbrojë më mirë në frontin e reformës. Ata shpesh citojnë të vërtetën empirike se shumë nga reformat më të rëndësishme në Greqi kanë qenë punë e administratave socialiste apo të majta dhe jo të konservatorëve.

Përveç kësaj, Mitsotakis betohet për meritokracinë dhe premton që do të ndahet nga tradita shekullore greke e favoritizmit - edhe pse premtime të tilla janë pothuajse aq të vjetra sa vetë tradita. Tsipras premtoi të njëjtën gjë, por ai dhe ministrat e tij janë kritikuar në mënyrë të përsëritur për punësimin e miqve politikë në pozita të larta. Mitsotakis ka siguruar që miqtë e tij nuk do të kenë akses në pushtetin politik. Por mbetet e paqartë se pse është e nevojshme të zgjidhet pasardhësi i një dinastie politike për të thyer zakonet që janë thellësisht të ankoruara në shoqëri.

Pas ndalesës së fushatës në Serres, Mitsotakis kthehet në hotelin e tij në qytetin grek të Selanikut. Pamja nga kopshti i taracës është spektakolare, kah deti Egje dhe Mali Olimp, mali më i lartë i vendit dhe shtëpia e perëndive të lashta greke.

Mitsotakis flet për dy gra që i takoi në një fshat të vogël pranë Serres. Ato i thanë se fëmijët e tyre po mësojnë gjuhë të huaja në mënyrë që të mund të largohen nga vendi një ditë. Mitsotakis thotë se dëgjon gjëra të tilla gjatë gjithë kohës. "Dua që grekët e rinj të mësojnë gjuhë të huaja si një pasuri, dhe nëse ata emigrojnë, e bëjnë vetëm me zgjedhje, jo nga nevoja".

Në fund të fundit, thotë ai, masa e suksesit apo e dështimit, nëse ai bëhet kryeministër, do të jetë nëse ka ndihmuar në rindërtimin e një vendi që nuk i shtyn fëmijët e vet të largohen.

*Marrë nga revista gjermane Der Spiegel. Përkthimi nga anglishtja: Politiko.al

Të fundit