KRYESORE

Profil Albin Kurtit/ Kush është kryeministri i ri i Kosovës, lideri i ‘vetëvendosur’ që i hyri politikës në kohë lufte

Kosova sot ka një lider të ri, Albin Kurti.

Emri i tij nuk është aspak i panjohur, i cilësuar si simbol i rezistencës, prej thuajse dy dekadash ai është pjesë aktive e politikës në shtetin dardan.

Karriera e Albin Kurtit nisi në një kohë të trazuar për Kosovën.

I lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë, ka përfunduar studimet në degën e Telekomunikacionit dhe Kompjuterikes në fakultetin e Elektronikës në UP.

Djali me prejardhje nga Ulqini, në rezistencë kundër Milosheviç në vitin 1997 u bë pjesë e unionit të pavarur të studentëve në Universitetin e Prishtinës, ku protestohej për lirimin e ambienteve të universitetit në Prishtinë nga serbët.

Gjatë luftës në Kosovë u angazhua si sekretar i zyrës së përfaqësuesve të përgjithshëm të UCK , Adem Demaçit.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, policia serbe e arrestoi më datë 27 prill 1999. Më pas u transferua në burg në Serbi dhe u dënua me 16 vjet.

Por, me 7 dhjetor 2001, ai u lirua pas presionit të ndërkombëtarëve. Ndërkohë në vitin 2005, bashkë me aktivistë të tjerë, Kurti themeloi lëvizjen Vetëvendosje, që drejtoi prej vitesh.

Ai ishte prijës i protestave në Kosovë, sidomos kundër planit të Ahtisarit e sidomos decentralizimit.

Në protestën e 10 shkurtit 2007 ishte drejtues i protestës me mijëra qytetarë në Prishtinë kundër planit të Ahtisarit dhe kërkuan referendum.

Protesta ishte e ashpër dhe e përgjakshme, pasi humbën jetën dy qytetarët Arben Xheladini dhe Mon Balaj , si dhe u plagosën rreth 100 të tjerë.

Në 2010-ën, u zgjidh deputet i Kosovës kur lëvizja u kthye në subjekt politik, ndërsa ishte edhe drejtues i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Për një kohë të gjatë Kurti qëndroi në arrati pasi kërkohej nga organet e drejtësisë së Kosovës, ndërsa në 2014-ën u rizgjodh si një nga deputetët më të votuar në Kuvend.

Të qenurit aktiv dhe kundërshtues zgjodhi të jetë edhe në Kuvend, kur në seanca u përdor gaz lotsjellës për të parandaluar punën lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.  Në 2017-ën u arrestua nga Policia e Kosovës në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij për rastin e gazit lotsjellës që u hodh në seancë plenarë në hyrje të Kuvendit.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, të zhvilluara pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, arriti të kryesojë rezultatin, por për formimin e një qeverie ftoi në koalicion LDK, të Isa Mustafës, partia e të cilit kandidoi Vjosa Osmanin për kryeministre.

Ditari politik

Të fundit