Profilet e krizës/ Kazani dhe ‘fake news’; pasqyrimi që “media e askujt” i bëri protestës së opozitës

Mediat kanë patur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e zhvillimeve politike tre muajt e fundit, ku mbizotëronte padyshim protesta e opozitës përpara Kryeministrisë.

Fushatës së kryeministrit Edi Rama kundër mediave, të cilat i quan kazan, iu bashkua edhe kryeopozitari Lulzim Basha. Ai i përdori një term të ri, ‘fake news’, duke akuzuar mediat për dezinformim dhe lajme të rreme.

Basha bëri jo pak herë thirrje publike për bojkotin e televizioneve dhe gazetave kombëtare, të cilat i konsideron të kapura nga Rama dhe që ushqehen me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Kreu i opozitës kishte një të drejtë kur akuzonte televzionet kryesore dhe kryesisht në mbulimin që i bënin protestës. Asnjë prej televizioneve informative nuk transmetonte fjalimet e qytetarëve në çadër dhe as të deputetëve, por fokusoheshin vetëm te fjala e Bashës. Për Bashën kjo ishte tradhëti e medias ndaj qytetarëve për t’i shërbyer Ramës.

Por ashtu siç është shprehur edhe vet Basha, ka një ndarje të qartë të politikave të një televizioni apo gazete, me punën e jashtëzakonshme të gazetarëve të terrenit, atyre në studio dhe të portaleve. Punë me orar të tejzgjatur, raportime të drejtpërdrejta, intervista dhe transmetimi i informacioneve të fundit ishin ato çka gazetarët profesionistë i servirën publikut në një kohë të turbullt politike.