Profilet e krizës/ Lulzim Basha, Atlasi me qiellin e opozitës në shpinë. Tani ka diell në të?

Kush e njeh Lulzim Bashën, sadopak, e di se ai nuk e tregon kurrë mundimin. As të orëve të gjata dhe as të zemërimeve të thella. Në këtë profil ‘sfinksi të qeshur’ mund të kapim edhe perin e hollë të suksesit politik të liderit të ri të së djathtës.

Ta pranojmë, miqtë, armiqtë, dyshimtarët dhe të painteresuarit, te ai tre orësh negociatatsh tet-a-tet  mbrëmë vonë me Kryeministrin Rama, Lulzim Basha u bë ‘koka tjetër’ e shkabës së pushtetit në fushën, metaforikisht të përgjakur, të politikës shqiptare.

Ai trashëgoi prej Sali Berishës një parti të madhe historike dhe elektorale, në ditë të lëngatës. Lideri historik i së djathtës, me instinktin e pagabueshëm politik, e kish pikasur me kthjelltësi trashëgimtarin e vet në gjithë atë përrua të turbullt, talentesh e falsosh, që ishte KOP-i i vitit 2005. Preç Zogaj e ka fotografuar saktë faktin me një metaforë: Lulzim Basha është suksesi i fundit politik i Sali Berishës.

Për të ardhur deri te vendimi i 18 shkurtit, Bashës iu desh të kalonte në shilë-karibdat e sa e sa vendimeve, tundimeve, përplasjeve dhe mundimeve, që i shkakton një politikani të ri një ‘parti e vjetër’ që ngulmon te konservatorizmi i vet, jo si program politik, por si mbijetesë karrierash dhe klanesh.

Kundërshtari politik, Edi Rama, ia shërbeu kohën dhe rastin për një betejë finale, në rrafsh kombëtar dhe partiak. Arroganca e pafre e ‘artistit me pushtet’, në krye të qeverisë së ‘1 milion votave’ të shndërruara në ‘shuplaka’, kanabizimi dhe sidomos kriminalizimi i politikës, e shtynë Bashën drejt betejave të vlerës. Shumë sy habie u zgjeruan në të majtë e të djathtë. Mirë e ka, por janë jo-elektorale, thuhej. 

Këmbëngulja e pa fushatën e gjatë të dekriminalizimit të shëndrrohej në ligj, dhe shumë prej emrave të denoncuar nga Basha dhe opozita, të kapur në rrjetën e një sistemi që filloi të funksiononte pas ‘tërbimit’ opozitar.

18 shkurtin e prodhoi pikërisht ‘shndërrimi’ që paralajmërohej nëpërmjet kalimit të të përjashtuarve nga ligji i dekriminalizimit nga radhët e para në ’eminenca gri’ të politikës lokale. Takimi kësaj shpure me paranë e madhe të kanabisit, çoi në koshiencën politike dhe kombëtare të Bashës dhe Opozitës, kërcënimin e një rreziku të pakthyeshëm.

Në këtë nyjë u sendërtua vendimi për protestën e 18 shkurtit, që pasoi me tendosjen në Bulevard të asaj që u quajt më vonë Çadra e lirisë.

Basha kërkoi shumë duke artikular kushtin për ‘qeveri teknike’, por te kjo pamundësi qëndronte e vetmja mundësi që shkëmbi i qëndresës dhe kërkesës të mos zbriste teposhtë ‘kodrës politike’. Pas tre muajve qëndresë dhe disa negociatave tre orëshe me kundërshtarin e vet, Lulzim Basha nuk ka marrë ‘qeverinë teknike’, por pa asnjë dyshim, ka prodhuar atmosferën e saj.

Opozita, nga asgjë që kishte më 18 shkurt, ka sot në duar gjysmën e sistemit politik dhe infrastrukturës zgjedhore. Duke mos nënçmuar këtu as peshën jolëndore të arritjeve të opozitës dhe vendimit për të dalë në shesh me shtatmadhorinë popullore të tendës.

Basha ka arritur të ndërrojë imagjinaren e mendimit politik dhe elektoral në vend. E cila, para 18 shkurtit hepohej qartësisht te përfundimi: Këta (Rama-Meta) fitojnë, lehtësisht, edhe këtë herë.

“Edhe ky (Basha) mund të fitojë”, është imagjinarja e re elektorale dhe politike. Kjo vlen më shumë se një ‘qeveri teknike’.