Flash News

KRYESORE

Profili i Klement Balilit sipas VICE: Ai i njeh dhe kontrollon të gjithë dhe gjithçka

Profili i Klement Balilit sipas VICE: Ai i njeh dhe kontrollon të

VICE linku i artikullit ne anglisht

Askush nuk e ilustron afërsinë ndërmjet elitës shqiptare dhe lojtarëve të mëdhenj të drogës, apo historinë se si ky vend po bëhet narko-shteti i parë i Europës, se sa Klement Balili, pronari i një hoteli luksoz, ish-punonjës i administratës publike, dhe baron i drogës, i përshkruar në fletë-arrestin grek si "Pablo Eskobari i Ballkanit". Një dosje 10 mijë faqëshe, hartuar nga qeveria greke dhe e shqyrtuar nga VICE, e përshkruan  perandorinë narkotike transnacionale 1 milard dollarëshe si shumë të organizuar, të ndërtuar mbi kanabis dhe kokainë dhe me bazë furnizimi vende si Italia, Greqia, Gjermania dhe Britania e madhe.

Balili e ngriti perandorinë e tij nga pjelloria e kaosit, pas kolapsit ekonomik të Shqipërisë në vitet '90, shkaktuar nga rënia e skemave piramidale me mbështetje qeveritare. Rreth 1-2 miliard dollarë u zhdukën brenda natës dhe familje të zakonshme humbën të gjitha kursimet. Sipas një raporti të Fondacionit Shoqëria e Hapur, një përzierje e papunësisë së madhe dhe rrogave të ulëta i ka bërë bandat shqiptare që të rriten që prej atëherë.

Zyrtarisht, bizneset e Balilit ishin në transport, argëtim, peshkim dhe fushën e sigurisë. Në vitin 2014 ai u emëra drejtor i Transportit rajonal në qytetin-port të Sarandës, një qendër e njohur e narko-trafikut. Përgjatë dekadës së fundit, Balili ndërtoi një rrjet hotelesh luksoze në brigjet e mahnitshme të bregdetit shqiptar.

Në vitin 2015, Ilir Meta, Presidenti aktual i Shqipërisë, preu shirititn në hapjen e hotelit me pesë yje të Balilit, Santa Quaranta. Bashkë me Metën, në krah të Balilit, në ceremoninë e hapjes ishte edhe, atëherë ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

Balili vetë ka qenë i hapur për lidhjet e tij të ngushta me një nga partitë kryesore politike shqiptare, Lëvizjen Socialiste për Integrim, ose LSI. Në një intervistë në media më parë këtë vit, Balili shpjegoi se emërimi i tij si Drejtor i Transportit për qytetin jugor të Sarandës erdhi në këmbim të donacioneve financiare që ai dhe familja e tij i bënë LSI-së. Nipi i Balilit shërben si kryetar i bashkisë për LSI në qytetin e Delvinës. Balili ka qenë shumë i hapur për faktin se ai është shumë i interesuar për fushatat e nipit të tij.

Policia greke ka qenë në gjurmët e Balilit gjatë dekadës së fundit. Por, sa herë që dukeshin se po përparonin, ata  hasnin në një pengesë me autoritetet shqiptare. Në maj të vitit 2016, policia greke kapi 12 anëtarë të bandës së Balilit dhe gati 700 kilogram marihuanë, rezultat i një operacioni dyvjeçar të mbikqyrjes në bashkëpunim me DEA. Policia greke lëshoi ​​një urdhër arresti për Balilin, por policia shqiptare refuzoi ta merrte përsipër. Në kohën kur autoritetet shqiptare pranuan, ai ishte "zhdukur" sipas policisë shqiptare.

Tre muaj pasi ishte lëshuar urdhri i arrestit të Balilit, ai u fotografua, sipas aludimeve, në një festë me një zyrtar të lartë të Policisë në yahtin e baronit të drogës në brigjet shqiptare. Ky nuk ishte momenti i vetëm: Në atë kohë, fytyra e qeshur e Balilit shfaqej vazhdimisht në sfond në telefonat celularë dhe fotot e marra në pritjet e mbajtura nga elita politike shqiptare.

Afërsia e Balilit me qendrën e pushtetit politik të Shqipërisë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe grekë, është çelësi i suksesit të tij si një kontrabandist i madh droge. Në një fjalim në vitin 2016, ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, tha, "Politikanët nga e djathta dhe nga e majta kanë mbajtur vesh interesat e fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj dhe madje edhe të trafikantëve të drogës. Si mund ta shpjegojmë faktin se trafikanti i drogës Klement Balili është ende i lirë?". Në një fjalim të vitit 2018, Lu tha se dështimi më i madh i qeverisë shqiptare gjatë qëndrimit të tij katërvjeçar ishte pamundësia për të kapur Balilin, "Një udhëheqës i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike".

Në janar, policia shqiptare më në fund e arrestoi Balilin. Disa e shohin arrestimin dhe gjykimin e tij më shumë se një ushtrim PR-i, sesa një dënim. Qeveria shqiptare e trumbetoi kapjen e tij si një 'punë të madhe' për të impresionuar vëzhguesit ndërkombëtarë. Por, në realitet, ai diktoi kushtet e tij. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria për Krime të Rënda u njoftuan për kohën e mbërritjes së Balilit nga ekipi i tij ligjor. Ai iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë. Për shkak të një ndryshimi kushtetues vitin e kaluar, ai nuk u ekstradua në Greqi dhe u gjykua në Shqipëri.

Në shkurt, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Balilit për një "gjykim të shkurtuar", i cili, jo vetëm garantoi që dënimi i tij të shkurtohet me një të tretën, por lejoi procedura të shpejta që siguruan që ai të mos 'e hapte thesin'  mbi ato që ai di për elitën politike të Shqipërisë. Më 7 maj, Balili u dënua me 10 vjet për trafik droge, anëtarësim në grup kriminal dhe pastrim parash. Avokati i tij tashmë ka deklaruar se do ta apelojë dënimin. Një varg shqiptarësh me ndikim kanë parë më parë akuza apo dënime për shkelje serioze dhe korrupsion që të zhduken mistershëm në Apel. Balili ende mund të lirohet, ose të marrë një dënim të reduktuar.

Disa punëtorë me të cilët biseduam dhe që kanë punuar në projektet e ndërtimit të Balilit, duke përfshirë edhe Santa Quarantan, shprehën dashamirësi për të. "Unë nuk e di se çfarë bëri Klemendi, apo nëse ajo që ata thonë është me të vërtetë e vërtetë ... por Klemendi solli para në komunitetin tonë," tha një person, i cili kërkoi të mbetet anonim nga frika e Balilit. "Ai kishte shumë projekte ndërtimi dhe ne punuam në to për shumë vite. Paratë na paguheshin, komuniteti e respektonte atë, ai ishte një biznesmen, jo Padrino."

Por, një tjetër ndërtues, më i ri, ishte më pak bamirës. "Ai paguante kur i tekej dhe kur nuk donte të paguante, nuk mund të bëje asgjë", i tha ai VICE. "Ai zotëron policinë, gjykatat, zyrtarët e taksave ... nëse ai nuk e kishte paguar një faturë detyrimi dhe unë do t'ia kërkoja, unë as nuk dua ta mendoj për atë që mund të kishte ndodhur. Ai i njeh dhe kontrollon të gjithë dhe gjithçka. Ai do të më kishte shtypur si një bisht cigareje."

 

Të fundit