Projekti i Teatrit Kombëtar, reagon edhe LSI: Qytetarët ia dolën pas 2 vitesh rezistencë

Pas anulimit të Partneritetit Publik Privat për projektin e Teatrit të ri Kombëtar nga privati, ka reaguar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Grupi i Këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës nëpërmjet një komunikate për mediat shprehet pas dy vitesh rezistencë nga artistët dhe komuniteti i kryeqytetit, Bashkia dhe Qeveria u detyruan të tërhiqen nga projekti ogurzi që shkatërronte një monument kulture, siç është Teatri Kombëtar.

“Sot, pas 2 viteve rezistencë qytetare të përditshme, artistët dhe komuniteti i Tiranës ia doli të detyrojë Bashkinë dhe qeverinë të tërhiqet nga projekti ogurzi që shkatërronte një nga monumentet unike të kulturës sonë kombëtare dhe trashëgimisë artistike.

Grupi këshilltarëve të LSI në Bashkinë e Tiranës në atë kohë, nuk pranoi të votonte asnjë vendim që i jepte oligarkëve truallin e Teatrit Kombëtar, duke u vendosur fuqimisht në anën e drejtë së bashku me artistët dhe qytetarët. Pavarësisht makinacioneve të panumërta asnjë këshilltar i LSI dhe Opozitës së bashkuar nuk votoi vendimet që kërkonin 3/5 e tjetërsimit të truallit dhe i hapnin rrugë grabitjes së pronës publike, duke u bërë një barrierë e pakalueshme e çdo paligjshmërie. Këshilltarët e LSI mbështetën artistët deri në fund të mandatit të tyre, dhe do vazhdojnë ta bëjnë përsëri.

Falë edhe këtij qëndrimi të këshilltarëve të Opozitës së Bashkuar, u arrit edhe kjo fitore e parë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Të bashkuar Shqiptarët ia dolën të ndalnin grabitjen e traditës së tyre, në 2 Mars do ia dalin të ndalin grabitjen e së ardhmes së tyre”, thuhet në reagimin e LSI.