Flash News

KRYESORE

Prokuroria kujdeset që t’i përfshijë të gjithë: Te ‘339’ krejt spektri politik

Prokuroria kujdeset që t’i përfshijë të gjithë:

Në reagimin pas audio-përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’, Prokuroria e Krimeve të Rënda është kujdesur që të theksojë se i gjithë spektri politik në vend është i përfshirë në dosjen ‘339’, apo siç njihet ndryshe, dosja e vjedhjes së votave.

Sipas këtij institucioni që drejtohet nga Donika Prela, në dosjen 339 “janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësueve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës.”

“Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Korrupsioni aktiv/pasiv i funksionarëve të lartë, ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për veprat penale “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, pasi gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësueve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës. Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Por ndonëse Prokuroria njofton se i gjithë spektri politik është i përfshirë në këtë dosje, në media janë publikuar deri më tani vetëm materiale që përfshijnë zyrtarët e Partisë Socialiste në komunikime me anëtarët dhe drejtuesit e bandës Avdylaj. Sa i përket opozitës, asnjë drejtues lokal nuk është raportuar ende si përfshirë, ndonëse deklarata e Prokurorisë lë të kuptohet se në dosje ka materiale për ta.

Të fundit