Flash News

KRYESORE

Prokuroria thërret kryebashkiakun Kajmaku për shenjat e gishtave

Prokuroria thërret kryebashkiakun Kajmaku për shenjat e gishtave

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar kryebashkiakut të ri të Vorës, Agim Kajmakut, që të paraqitet e të depozitojë shenjat e tij të gishtave. Vetëm duke i kontrolluar ato, do të mund që të qartësohet e shkuara e tij, me PD-në që e akuzon se ka përdorur para false dhe kërkohet nga drejtësia greke.

Zëri i Amerikës shkruan se tani gjithçka mbetet të qartësohet nga ballafaqimi i shenjave të gishtave. Prokuroria shenjat e gishtave do t’ia dërgojë autoriteteve greke për t’i krahasuar me ato të personit që u arrestua në 2003. Nëse kjo do të vërtetohet, Kajmaku do të bëhej kryebashkiaku i dytë socialist, me precedentë në të shkuarën, pas atij të Shkodrës, Valdrin Pjetri.

PD-ja publikoi sot disa dokumente të autoriteteve greke, sipas të cilave kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi nën emrin Jorgo Toto, për falsifikim monedhash. Pasi u la i lirë, iu shmang gjykimit duke u kthyer në atdhe.

Kajmaku i mohoi akuzat, duke u shprehur se i qëndron deklaratave të mëparshme se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo i dëbuar nga Greqia apo ndonjë shtet tjetër i Bashkimit Evropian.

Nëse vërtetohen zyrtarisht akuzat e PD-së për fshehje të të dhënave në formularin e dekriminalizimit, atëherë Kajmaku rrezikon që të dënohet me 4 vite heqje lirie. Ai ka pesë ditë kohë që të zbatojë urdhrin e prokurorisë.

Të fundit