Flash News

OP-ED

Prononcimi i presidentit, përtej koloritit me të cilin po mundohet të mbështillet

Prononcimi i presidentit, përtej koloritit me të cilin po mundohet

Ndriçim Kulla

Janë të shumta reagimet që kanë pasuar prononcimin e veçantë të presidentit të Republikës, zotit Meta, në lidhje me mundësinë e dorëheqjes së tij apo edhe të vetëflijimit e tij. Janë konsideruar ato si frikë, si përshkallëzim krize apo dhe si simulim i saj artificialisht.

Megjithatë, ndoshta dashakeqësisht ose ndoshta me qëllim të caktuar mënjanimi, nuk analizohet dhe nuk konsiderohet ajo e cila është thelbi dhe fuqia gravitacionale e fjalës së tij, ajo që ndoshta tërhoqi vëmendjen e pazakontë të rreth 200 prej mediave më të rëndësishme ndërkombëtare. “Shqipëria është në prag të instalimit të një junte ushtarake … që do ta kthente vendin 30 vite më pas”.

Ky është pohimi që duhet të na shqetësojë, ky është paralajmërimi që duhet të shokojë ndërkombëtarët, kjo është tabloja përshkruese e Shqipërisë që duhet ta ngrejë ligjërimin dhe dialogimin politik në një stad më të lartë dhe më cilësor kah zgjidhjes, sado paradoksale që të duket në vështrimin e parë. Ndoshta ky do të qe edhe leximi më i ndërgjegjshëm dhe më objektiv i këtij prononcim Një këmbanë “konstruktive” alarmi. Por ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe që ka vijuar nga akti i djegies së mandateve në bllok nga ana e opozitës, edhe në këtë rast shikohet vetëm pasoja dhe veprimi në vetvete, i ndarë nga shkaku, nga burimi dhe pikënisja e gjithçkaje po ndodh. Opozita, me aktin e saj radikal, kërkonte të ndërgjegjësonte në radhë të parë jo opinionin publik shqiptar (se ai tashmë ka mëse dy vite që merr fakte e dëshmi gati të përditshme të këtij regjimi të krimit dhe oligarkisë), por kryesisht të ndërkombëtarëve, që ndoshta nuk janë të mirë-informuar, e rrjedhimisht nuk arrijnë ta perceptojë gravitetin e këtij shkaku në tërë thellësinë e tij korruptive apo në gjithë rrjetëzimin e lidhjeve të tij të nëndheshme.

Edhe ky prononcim i presidentit, përtej koloritit me të cilin po mundohet të mbështillet nga propaganda e qeverisë, duhet parë si një kontribut therës e pohues për vërtetësinë e ekzistencës së një krize të katërfishtë, siç e përcakton ai, në të cilën është mbërthyer vendi, e që shumë shpejt mund të acarohet nga mos-përgjegjshmëria dhe lehtësia e pakuptueshme, në mos është strategji parazgjedhore, me të cilën mazhoranca po e menaxhon këtë situatë. Është pikërisht ky kthim i vëmendjes tek burimi i qenësishëm i krizës, dhe jo aq shumë tek aksioni politik i opozitës, ajo ndihmë e kontribut cilësor që jep ky pohim në fokusimin e mazhorancës kah reflektimit. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë gjithë këtij muaji. Ndërkombëtarët janë përqendruar më tepër tek dhuna e protestave të opozitës dhe jo tek shkaku i tyre, jo tek thelbi i protestave, në përmasa gjithnjë e më larg të qenit protesta të pallatit të rrëzuar të poltikës.

Po a s’ është vallë një bulizëm politik, madje agresiv, anashkalimi i qëllimshëm i kërkesave të popullit opozitar, fshehur pas shprehjeve të rrugaçerisë së një boje të hedhur, kur forca të mëdha policore rrethojnë për orë të tëra natën lagje të tërë? A s’është vallë huliganizëm institucional të bësh sikur s’ka ndodhur asgjë e të vazhdosh të mbushësh parlamentin me deputetë artificial ?! Cilin popull opozitar përfaqësojnë ata, kur populli opozitar të paktën, është në rrugë në protesta pa fund dhe po e mbështet fuqimisht aktin radikal të partive të tij përfaqësuese?

Nuk mbrohet kjo zbrazësi e thekshme institucionale, proceduriale dhe përfaqësuese me sajesa pohimesh në emër të njerëzve të përgjegjshëm për fatet e popullit dhe demokracisë shqiptare, siç pretendon ta bëjë rozë situatën propaganda. Demokracia nuk është procedurë, as merkato shitblerjesh futbolli, është substancë, frymë, vlerë. Të gjitha këto sot mungojnë, gjithçka është në rrezik, e një rrezik të tillë kërkon të na e vendosë në fokus pohimi i presidentit.

E unë i besoj këtij pohimi, i besoj këtij përgjegjësimi që ai thërret të zgjojë, ashtu siç besoj se ai do të ndikojë pozitivisht edhe në kuptimin nga ana e ndërkombëtarëve të rëndesës së papërballueshme që po durojnë sot shqiptarët dhe opozita në këto kohë të rrezikshme për demokracinë e tyre. Një kushtrim për reflektim, që nuk ka dekalog mitesh të rremë që mund ta anashkalojë pa e marrë në konsideratë.

Një propozim konstruktiv për zgjidhjen e krizës fillon pikërisht tek njohja e saj, prandaj edhe ky pohim duhet të çmohet si një këmbanë alarmi, jo si këmbanë frike apo vetë-sakrifikimi. E nëse do të arrinim të shqetësoheshim, të alarmoheshim, të gjithë bashkë si politikë, qoftë edhe me ndërkombëtarët, edhe zgjidhjet do t’i kishim më të kthjellëta e më të qëndrueshme, larg krekosjes së padobimtë dhe rutinës së pakuptimtë, gati të dhunshme në qesharakësinë e saj, të gjithçkaje që shkon në normalitetin e vet.

Të fundit