Flash News

OP-ED

Propaganda në 'Rrugën e mëndafshit'

Propaganda në 'Rrugën e mëndafshit'

Boško Jakšić/ Pobjeda

Kina ofrohet si alternativë duke shfrytëzuar koronavirusin si instrument i fuqishëm i politikës së saj të jashtme. „Diplomacia e maskave mbrojtëse“ është investim për të ardhmen. Kjo nuk është asgjë e re. Amerika shfrytëzoi Planin Marshall për rinovimin e Europës Perëndimore për të çimentuar ndikimin e saj. Pyetja shtrohet ndryshe: A e dëshirojnë përdoruesit e ndihmës ndikimin politik kinez? A janë në gjendje ta njohin Kalin e Trojës para mureve të rajonit?

Pandemia e koronavirusit zbuloi se Amerikës po i rrëshqet për duarsh lidershipi i botës, jo vetëm për shkak të luftës tregtare me Kinën ose tërheqjen nga intrigat e Lindjes së Afërme, por edhe nga shfaqja gjithnjë e më e dukshme e moskompetencës së Presidentit të saj. E vetmja gjë që e mban të bashkuar Europën është frika nga shpërbërja e saj.

SHBA-të janë gjithnjë e më pak të interesuara për botën, Europa e dobësuar përpiqet të mbledhë veten dhe të shpëtojë çfarë mundet të shpëtojë.

A është kjo një goditje vdekjeprurëse për globalizimin dhe rendin botëror i cili bazohet në vlerat liberale, të drejtat e njeriut dhe tregun e lirë, siç e dëshirojnë nacionalistët dhe populistët?

Globalizim i ri

Spekulimet për vdekjen e globalizimit janë tejkaluar, ndërsa probabiliteti që atë ta shkatërrjë një virus është tejet i vogël. Por, nëse në globlizimin e parë dominuan SHBA dhe BE, a ka kandidatë të tjerë që do ta dominonin sistemin botëror dhe të shkruajnë rregulla të reja? Ka. Ndërsa korona po ndyshon botën, Kina, nëpërmjet shëndetësisë udhëheq globalizimin e dytë, së bashku me të gjitha gjërat që ai nënkupton. Mbi të gjtha nëpërmjet autoritarizmit që shkakërron shëndetin njerëzor sa edhe koronavirusi.

Qeveria kineze në fillim të krizës u mbështet në teknikën e kombinuar nga tekstet shkollore sovjetike dhe receptura e Çërnobilit: mbulimi i gabimeve të saj nëpërmjet përhapjes ofensive të dezinformimeve që ishin të motivuara qartë me shkaqe ideologjie dhe financiare.

Shumë shpejt u bë publik fakti se provinca Hubei me rreth 60 milionë banorë u shndërrua në karantinën më të madhe në histori, sesi policia në qytetin 11 milionësh hynte nëpër banesa ose mbyllte dyert e shtëpive. Sesi u fshehën dhe u falsifikuan të dhënat, u arrestuan mjekët që paralajmëruan për patogjenin i cili kishte dalë nga kontrolli.

Pas kësaj erdhi një dallgë kritkash në vend dhe në botë. Duhej bërë diçka. Dogmatikët komunistë u desh të pajtohen me faktin se virusi është më i fuqishëm sesa fushata e heshtjes së organizuar. Pekini filloi fushatën e madhe vetëm katër muaj pasi virusi misterioz filloi të korrë jetët e njerëzve në Vuhan.

Respiratorët si mjet

Kur më 11 mars u shpall pandemia globale, nisi gara frenetike për respiratorë dhe maska mbrojtëse, prodhuesi më i madh i pajisjeve mjeksore në botë e kuptoi si erdhi shansi te dera. Ndërsa europianët menduan secili për veten, Kina gjeti një hapësirë të pastër.

Pekini, infeksionin brenda vendit filloi dalngadalë të vërë nën kontroll, ndërsa dërgimi i ndihmave hapi shanse për të ndrequr imazhin. Presidenti kinez Si Gjinping angazhoi makinerinë e sofistikuar të propagandës që do ta shndërrojë atë në lider që ka triumfuar atje ku të tjerët janë shembur përtokë.

Dhurimi i pajisjeve mbrojtëse u vu në funksion të ambicjeve gjeopolitike dhe për popullarizimin e pushtetit të lartë të centralizuar që shfaqi aftësitë për të siguruar në mënyrë sistematike mekanizma të përpunuar për vëzhgimin dhe kontrollin. Pekini e paraqet kësisoj modelin e tij në dritën më të mirë.

Perëndimi i bllokuar nga kriza që tregoi çorganizimin e tij, hoqi dorë shpejt nga kritikat për pushtetin kinez dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Presidenti amerikan Donald Tramp pushoi së foluri për “virusin kinez” që “ishte eksportuar” në SHBA dhe falenderoi Si Gjinpingun. Foks News hoqi dorë nga shpjegimet se bota është e sëmurë nga pandemia sepse Partia Komuniste e Kinës nuk mund të ushqejë njerëzit e saj që “hanë gjarpërinj dhe lakuriqë nate”.

Beogradi pranoi të jetë PR i përpjekjeve propaganduese kineze. Sa do ta shfrytëzojë Kina pandeminë për të forcuar pozitat e saj në rajon? Ballkani Perëndimor është i uritur për investime, por cili është çmimi i tyre? Në Mal të Zi borxhi shtetëror ka kërcyer në më shumë se 70% të PBB pas hyrjes borxh te kinezët me 809 milionë euro për ndërtimin e autostradës.

Fushata kineze e menduar mirë menjëherë filloi të japë rezultate të frytshme. Avionët me ekipet mjekësore dhe me ngarkesat me ndihma mjekësore shkuan në rreth 90 shtete të botës, përfshirë edhe SHhBA-të. U pritën me entuziazëm edhe në Itali, i vetmi shtet anëtar i G-7 që i është bashkuar iniciativës investuese të  madhe kineze “Një shteg, një rrugë”.

Nëna Kinë

Ndihma që shpërndahet është në funksion të versionit të ri të Rrugës së Mëndafshit. Kina po globalizohet dhe po kërkon tregje të reja. Nga portet deri të hidrocentralet, nga klubet e futbollit deri të kompanitë investuese, investimet kineze janë realitet i ri i Europës. Nga Norvegjia deri në Portugali, nga Greqia deri në Francë.

Megjithëse 70% e investimeve direkte në Ballkanin Perëndimor vjen nga BE-ja, rajoni për Kinën është një rrugë me rëndësi. Pekini ka arritur paketën kontrolluese në portet greke dhe po modernizon hekurudhën mes Beogradit dhe Budapestit. Në Kroaci një kompani kineze për ndërton urën e Peljeshacit. Në Bosnjë e Hercegovinë po financonet me 640 milionë euro hidrocentrali me qymyrguri në Tuzla. Në Serbi kinezët kanë blerë kombinatin metalurgjik në Smederevo dhe bazenin metalmbajtës dhe të shkrirjes në Bor sëbashku me mineralet e bakrit dhe të arit. Është nënëshkruar një marrëveshje për ndërtimin e fabikës së gomave të automobilëve me vlerë 994,4 milionë dollarë.

Serbia është një prej pikave kyçe të depërtimit kinez me investime drejt BE-së, kësisoj nuk të çudit fakti se Aleksandër Vuçiçi në mesin e muajit mars i priti personalisht mjekët dhe pajisjet në aerdromin e Beogradit. Euforia e “miqësisë së çeliktë” u organizua në mënyrë spontane. Presidenti i vendit i cili është kandidat për antarësi në BE, në mënyrë pothuajse patetike falenderoi “vëllain Si Gjin Ping” dhe kritikoi ashpër Unionin, “solidariteti i të cilit është përrallë në letër”.

Fakti që shpenzimet e fluturimit të avionit nga Pekini në Beograd i pagoi BE-ja, fakti që më vonë Unioni i hapi Serbisë kanale ndihme me vlerë afro 100 milionë euro, fakti që BE-ja në dy dhjetëvjeçarët e fundit ka injektuar në sistemin shëndetsor serb afro 450 milionë euro, nuk, ka marrë aspak publicitet në krahasim me ndihmën që u mor nga Kina.

Njerka Europë

“Ndihma europiane në Serbi përjetohet tradicionalisht si ndihmë e njerkës së pasur, e cila jep shumë më pak sesa mundet, ndërsa kakaris më shumë sesa duhet”- thotë profesori i jashtëm e Fakultetit të shkencave politike në Universitetin e Beogradit Filip Ejdus.

A është Kovidi-19 lakmus i prirjeve të politikës së jashtme të shtetit, presidenti i të cilit nuk e fsheh faktin se për të janë më të dashur “miqtë” autoritarë të Lindjes sesa “partnerët” liberalë të Perëndimit? Beogradi ka pranuar të bëhet PR i përpjekjeve propaganduese kineze.

Sa do të shfrytëzojë Kina pandeminë për të forcuar pozitat e saj në rajon? Ballkani Perëndimor është i uritur për investime, por cili është çmimi i tyre?

Projektet kineze financohen me kreditë aspak të lira të bankës kineze. Firmat shtetërore kineze shpesh i kryejnë punimet me punëtorët e tyre të ndërtimit. Përdorimi i këtyre kredive për vendin është një punë me rrezik.

Në Mal të Zi borxhi publik ka kapërcyer më shumë se 70% të PBB-së, pas hyrjes borxh te kiezët me 809 milionë euro për ndërtimin e autostradës. Në rast se Podgorica nuk do të jetë në gjendje të shlyejë borxhin Kina do të ketë të drejtë të marrë nën kontroll truallin malazez si garanci, shkruan Financial Times e Londrës.

Nuk ka dyshim se vendeve të rajonit u nevojiten projektet. SHBA dhe BE kanë ndihmuar në përparimin ekonomik, por gjithmonë vendosin rregulla që duhen respektuar. Kinës këto rregulla nuk i interesojnë, gjë që inkurajon autokratët, nacionalistët, populistët dhe korrupsionin dhe kërcënon edhe atë demokraci që ekziston në Ballkanin Perëndimor.

Kina ofrohet si alternativë duke shfrytëzuar koronavirusin si instrument i fuqishëm i politikës së saj të jashtme. „Diplomacia e maskave mbrojtëse“ është investim për të ardhmen. Kjo nuk është asgjë e re. Amerika shfrytëzoi Planin Marshall për rinovimin e Europës Perëndimore për të çimentuar ndikimin e saj. Pyetja shtrohet ndryshe: A e dëshirojnë përdoruesit e ndihmës ndikimin politik kinez? A janë në gjendje ta njohin Kalin e Trojës para mureve të rajonit?

Pandemia do të kalojë, ndërsa para Perëndimit dhe Ballkanit Perëndimor përsëri do të shtrohet pyetja mbi ndikimin në rritje të Kinës dhe ambicjet globale të Pekinit që ndihmën humanitare- e cila gjithsesi meriton falenderim- ta shfrytëzojë për sendërtimin e interesave të saj dhe dobësimin e demokracisë botërore- gjë që është problem për tu shqetësuar.

“Periudha e naivitetit kinez” rreth Kinës duhet të përfundojë, paralajmëroi në muajin mars të vitit 2019, presidenti francez Emanuel Makron. Sekretari amerikan e shtetit Majk Pompeo, nëntorin e kaluar, gjatë vizitës në Shkup dhe në Podgoricë, u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i kundërvihen “ndikimit dëmtues të korrupsionit kinez”.

Ruajuni Danajve edhe kur u sjellin dhurata.

 

 

 

Të fundit