Flash News

KRYESORE

Propozimi i Bashës për lista 100% të hapura, a është tani topi në fushën e Ramës?

Propozimi i Bashës për lista 100% të hapura, a është

Opozita jashtëparlamentare, përmes kryedemokratit Lulzim Basha, bëri publike një propozim surprizë pasditen e së premtes, pak para mbledhjes së radhës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, me fokus diskutimin e ndryshimeve kushtetuese.

Basha propozon lista 100% të hapura dhe jo 67%, siç parashikohej në amendamentet kushtetuese të propozuara nga PS-ja dhe deputetët e opozitës parlamentare), me kusht mosndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe ajo e përllogaritjes së mandateve.

Basha nënvijëzoi se tryeza e Këshillit Politik është i vetmi vend ku duhet të diskutohet në raport me një numër çështjesh ende të pazgjidhura, që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si shitblerja e votës dhe presioni ndaj administratës publike.

Ky propozim duket se “turbulloi’ ujërat e politikës shqiptare, vetëm një ditë pasi Kuvendi miratoi me 99 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të dakortësuara më 5 qershor mes Partisë Socialiste, dy opozitave dhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Kjo për faktin, se pasi PS dhe opozita parlamentare nënshkruan pak ditë më parë një marrëveshje për votimin e 5 qershorit të enjten që kaloi dhe ndryshimet kushtetuese në seancën e 30 korrikut, opozita e bashkuar e cilësoi si një akt që tenton të zhbëjë formulën e koalicioneve parazgjedhore, një lojë politike e Ramës për të siguruar një mandat të tretë qeverisës.

Nisma për lista të hapura

Ishte opozita jashtëparlamentare ajo e cila hodhi idenë e hapjes së listave, ndërsa mazhoranca e mbështeti me vota pro në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit. Po ashtu, u ra dakord se sa do jetë pragu zgjedhor dhe heqja e koalicioneve të mos përfshihen në ndryshime kushtetuese, por të përcaktohen në Kodin Zgjedhor.

Me propozimin e ri të Bashës, tani është radha e opozitës parlamentare të tregojë gadishmërinë për listat e hapura plotësisht, teksa janë akuzuar vazhdimisht si “patericë” dhe se po përdoren prej Ramës, për heqjen e koalicioneve.

Deputetja Rudina Hajdari, në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik tha se është e lumtur sa i takon propozimit të opozitës së bashkuar për hapje të listave 100 përqind.

“Ne i kemi qëndruar qëndrimit tonë dhe vijojmë ti qëndrojmë që listat duhet të jenë të hapura 100 përqind. Listat e hapura janë një realitet në Shqipëri. Jam e lumtur që PD pas shumë thirrjeve erdhën te qëndrimi dhe u bashkuan rreth kësaj kauze të rëndësishme. Faleminderit shumë për përpjekjet që kemi bërë së bashku”, tha Hajdari, e cila nuk u përgjigj direkt kur u pyet nëse është e gatshme të mbështesë edhe propozimin e opozitës së bashkuar për të mos ndryshuar formulën e koalicioneve parazgjedhore që favorizojnë partitë e vogla dhe ato të reja, që aspiron edhe grupi parlamentar demokrat ku bën pjesë edhe ajo vetë. Ajo u përgjigj se këtë pikë do ta diskutojë me deputetët e opozitës parlamentare.

Reagimi i Ramës

Kryeministri e cilësoi hap pozitiv këtë propozim por nuk u tërhoq nga ndryshimet kushtetuese, por tha se masa e hapjes së koalicioneve dhe formula e garimit do të reflektohet në ligjin zgjedhor.

“Pozitiv gjysmë hapi i LBPD për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese! Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut! Deri në 30 korrik ka rëndësi hapja e sotme e LBPD për listat, çka vetëm votimi 30 korriku e garanton.

Sa për koalicionet parazgjedhore ato nuk do të ndalohen, thjesht do të standartizohen si kudo në Europë,po edhe kjo do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut,kështu që për sot i vetmi ndryshim është hapja e LBPD ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik! Mjaft pozitive!”, shkroi Rama.

Sekretari i PD, Gazment Bardhi u përgjigj se Ramës i ra maska pas këtij propozimi, pasi ka për qëllim vetëm heqjen e koalicioneve.

“Edi Ramës i ra maska! Prano hapjen 100 % të listave dhe tërhiq amendamentin e njëanshëm të tmerrit tënd nga koalicioni opozitar. Frika e ER nga zgjedhjet nuk mund të mbajë peng Shqipërinë!”, shkroi Bardhi.

Po ashtu, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi tha se maxhoranca ka refuzuar të diskutojë për propozimin e Opozitës së Bashkuar për hapjen 100% të listave, si dhe mosndryshimin e formulës për koalicionet.

Paralajmërimi i ndërkombëtarëve

Faktori ndërkombëtar ka qenë një tjetër zë i fuqishëm ndaj ndryshimeve kushtetuese, që Rama i paralajmëroi se do të votohen javën e fundit të korrikut.

Madje, ata e kanë kushtëzuar me integrimin se nëse ‘5 qershori’ preket përmes ndryshimeve kushtetuese të njëanshme dhe jo gjithëpërfshirëse. Megjithatë, Rama iu përgjigj në seancën e fundit parlamentare se Kuvendi i Shqipërisë është sovran, megjithëse e vlerëson rolin e partnerëve të huaj.

Edhe presidenti, Iliri Meta, siguroi diplomatët europianë se do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara nga parlamenti, duke respektuar marrëveshjen e 5 qershorit. Sipas tij, çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Kujtojmë se para firmosje së 5 qershorit, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim i pati bërë thirrje kryedemokratit Basha se topi ishte në fushën e tij, gjatë kohës që palët negocionin në Këshillin Politik.

Opozita pranoi të firmosë 5 qershorin e miratuar tashmë në kuvend, por duket se tashmë topi ka kaluar në fushën e Ramës, nëse do votohet hapja e listave të pjesshme apo 100% sic kërkon opozita e bashkuar.

Të fundit