Protesta, Aurel Plasari: Rama ka oligarkët në “bashkëqeverisje”, nuk mund të ketë edhe studentët

Studiuesi Aurel Plasari ka komentuar thirrjen e fundit të kryeministrit Edi Rama për “bashkëqeverisje” me studentët, të cilët protestojnë prej gati një jave kundër kushteve të këqija në universitete.

Në një koment të publikuar në ‘Hashtag’, Plasari shprehet: Krye-i-paafti, që bën sikur qeveris, nuk të lë mundësi të heshtësh, të shtyn të flasësh e të shkruash. “Përgjigja ime”: poston Krye-i-paafti. Përgjigje kujt? Studentëve? Po pse: i kanë bërë gjë pyetje studentët? Studentët i kanë bërë kërkesa. Kërkesat atyre ose ua plotëson ose jo.”

Plasari thekson se mandatin për të qeverisur e ka marrë Rama, ndaj nuk mund t’u kërkojë studentëve që të “bashkëqeverisin”.

“T’u hedhësh studentëve karremin për t’i joshur si “bashkëqeverisës” nuk do të thotë veçse orvatje tinëzare për të ndarë dështimet me ta, kur nuk e kanë studentët përgjegjësinë për dështimet me radhë të gjata të qeverisë që Krye-i-paafti drejton. Të tjera detyra, të tjera ngarkesa kanë mbi vete studentët, kur duan ata edhe të tjera misione”, shkruan ai.

Aurel Plasari akuzon Ramën se po bashkëqeveris vendin me oligrakët, e për këtë arsye nuk mund të ftojë qytetarët, aq më pak studentët. Sipas tij, kush qeveris në aleancë me oligrakët nuk mund të plotësojë kërkesat e studentëve, por vetëm t’i përçajë ata.

“Kur përmend ruajtjen e ekuilibrit mes kërkesave të studentëve dhe interesit publik të masës së qytetarëve, nuk llogaris entitetin e tretë, oligarkinë. Sepse kush qeveris në aleancë me oligarkë nuk mund të plotësojë as kërkesa të studentëve, – e shumta mund t’ia dalë t’i përçajë a t’i gënjejë ata, – dhe as të mbrojë interesin publik të qytetarëve. Oligarkët ka në “bashkëqeverisje”, nuk mund të ketë qytetarët, aq më pak studentët. Situata oligarkike në Shqipëri tanimë nuk është më çështje librash. Pra as teorish. Afërmendsh as postimesh të Krye-të-paaftit. Është trashja e një zullumi që, siç ndodh rëndom në histori, vjen momenti dhe provokon shpërthime: ato shpërthime që asnjë teori mandej nuk i shkoklon dot. Atëherë shteti bie copash, sepse nuk ka më as “të majtë” dhe as “të djathtë”, që ta mbajnë me paterica në këmbë”, shkruan ndër të tjera Plasari.

Shkrimi i plotë i Aurel Plasarit: Krye-i-paafti me karrema në dorë

Ardian Vehbiu për protestën: Qeveria aktuale të zëvendësohet nga ekipi që do realizojë reformën radikale të arsimit të lartë