Flash News

KRYESORE

Protesta e 27 janarit, Basha paralajmëron shqiptarët nga salla e Kuvendit: Vendin e pret kaosi; reagoni tani

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka paralajmëruar qytetarët se Shqipëria është në prag falimentimit dhe kaosit. Nga salla e Kuvendit, Basha ka kërkuar reagimin e shqiptarëve përpara se vendi të rrënohet përballë krimit dhe korrupsionit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Basha theksoi se asnjë qeveri nuk i ka rezistuar popullit, duke kërkuar nga qytetarët që të mos qëndrojnë në heshtje por t’i bashkohen protestës së 27 janarit.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

E shikoni si është katandisur kjo sallë, kështu ndodh kur vjen në pushtet me votat e Durim Keçëve. Ky është fundi, siç shihet në këtë sallë.

Do doja të flisja për punësimin, por e vetmja industri që krijon sot vende pune është industria e krimit. Nëse nuk e ndalim sot rrënimin, vendi do të falimentojë. Shqipërinë e pret kaosi sepse rendi dhe siguria janë në kërcënim. Banditët po luftojnë në rrugët e qyteteve tona për të larë hesapet midis tyre. Tritolet janë vetëm fillimi. Nga kjo rrugë pa krye ku ka hyrë vendi ynë, nuk mund të na nxjerrë njeriu që na solli këtu.

Harrojeni se një njeri që e mbushi politikën me kriminelë, një njëri që mes kriminelëve ndihet më mirë sesa në mes të familjes së tij, një njeri që i heq ilaçet të sëmurëve me kancer për t’ja dhënë klientes së tij, do të mund të ndryshojë.

Këtij njeriu nuk mund t’ja lëmë në dorë fatin e fëmijëve tanë dhe të ardhmen tonë.

Heshtja sjell vetëm një gjë, të varfërit i varfëron më shumë, të pasurit i pasuron më shumë. Nëse heshtim, shqiptarët do të varfëron dhe Edi Rama me bandën e tij do të pasurohen.

Të rinjtë duhet të dalin dhe të reagojnë në sheshet e Shqipërisë.

Disa mund të mos jenë dakord me mua dhe PD, por ne qëndruam përballë krimit dhe drogës. Ne qëndruam kur u prezantua kthimi i Shqipërisë në Kolumbi. Qëndruam kur Parlamenti u mbush me kriminelë.  

Ne duam drejtësi të barabartë si për Saimir Tahirin ashtu edhe për Dritan Zaganin, si për Erion Veliajn ashtu edhe për Ardit Gjoklajn.

Ju bëj thirrje t’i bashkoheni protestës më 27 janar për të kërkuar një qeveri antimafia.

Të fundit