Flash News

KRYESORE

Protesta e opozitës në mediat e huaja: Mijëra rrethojnë Parlamentin, kërkojnë zgjedhje të reja

Protesta e opozitës është pasqyruar edhe sot në mediat e huaja.  Prestigjiozja “Associated Press” raporton se mijëra protestues që përkrahin opozitën rrethuan këtë të martë Kuvendin, duke kërkuar qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ajo pohon mes tjerash se në protestë pati ndezje fishekzjarrësh dhe djegie gomash, por gjithçka u mbyll në formë paqësore dhe protestuesit u shpërndanë.

AP citon edhe kreun e PD, Lulzim Basha i cili shprehet se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund t’i hapin rrugën Shqipërisë për në Europë.

Media italiane ‘ANSA’ vë theksin tek hedhja e kapsollave, djegia e gomave si dhe tek thirrjet e protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Qindra agjentë policie kanë rrethuar parlamentin ku zhvillohet seanca vetëm me praninë e mazhorancës. Opozita ka hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj prej dy javësh”, shkruan ANSA.

Agjencia e lajmeve italiane “NOVA” shkruan se manifestimi  i protestuesve  shqiptarë është i katërti në pak javë.

“Është manifestimi i katërt brenda pak javëve, gjatë të cilëve janë regjistruar përleshje me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën”, shkruan ajo.

Të fundit