Flash News

KRYESORE

Protesta e Opozitës: Përfaqësuese, e madhe, e ndërkombëtarizuar

Protesta e Opozitës: Përfaqësuese, e madhe, e

Alfred Lela

Dikush tha sot me shaka se, edhe vetë Lul Basha ishte i habitur me gjithë ata njerëz që i kishin dalë sot në Bulevard. Eshtë shenjë pozitive që protesta e opozitës bëhet pjesë e ligjëratës së përditshme të qytetit; ndër të tjera sepse tregon që shpirti i reagimit nuk ka mbetur në vend dhe as ka vdekur, siç shprehej fjalori i dëshpërimit të disa muajve më parë.

Repertori i kundërshtarit politik, pavarësisht kësaj, mundohet që ta hollojë sa të mundet në tretësirën e vet propagandistike atë që ndodhi sot apo në tubimet e mëparshme të opozitës. Nuk është populli, por janë militantët e opozitës, është refreni i parapëlqyer i eksponentëve të mazhorancës, si dhe i gazetarëve apo komentatorëve afër qeverisë.

Janë punonjës bashkish, ia pret një pretendim tjetër.

Kanë frikë nga reforma, gjuan edhe më larg një shigjetë refuzimi X-i në Y studio.

Fotoreporterja e Politiko.al, Jona Kazani, kishte realizuar sot një galeri fotosh që të mahnisnin me 'ngërthimin' e personazheve të protestës. Njerëz të thjeshtë, të rinj, adoleshentë në poza që mund t'i shohësh edhe në protestat e vendeve perëndimore. Por, më të spikaturit ndër ta, ishin një burrë dhe një grua në moshë të thyer, mbi të cilët Zoti vetë kishte hedhur atë hirin e butë dhe dorëzues të një pleqërie fisnike. Mundohu sa të duash t'ju japësh një qëllim të mbrapshtë pranisë së tyre në Tiranë, një dite të shtunë, dhe nuk do mundesh. Sepse ata nuk ngjajnë as kërcënues, as punonjës bashkie, as interesaxhinj, as të djegur për të kapur ndonjë vend në doganë; aq më pak pengues të reformës në drejtësi!!!

Kjo për të thënë, me një ilustrim të thjeshtë, se protesta e opozitës është përfaqësuese, dhe jo një bashkim mekanik njerëzish.

Që proteta ishte edhe masive, më e madhe se takimi i parë i opozitës me mbështetësit me vet me 16 shkurt, kjo është diçka e qartë. Një pjesëmarrje e tillë i siguron komfort opozitës, por edhe e bën borxhlie, për t'ia përshtatur aksionin e vet mijra vetëve që vijnë nga të katër anët e mblidhen në Tiranë. Ky masivitet është gjithaq tregues i qartë i asaj se cila është opozita zyrtare, cila është mbështetja e saj në popull, dhe sa i mjerë dhe i pafryt ngjan dhe do të ngjajë edhe më tej stërmundimi për të krijuar një 'opozitë të re' në Kuvend, si fasadë të dyfishtë të pafytyrësisë dhe të mospërfaqësimit.

Ajo që thuhet në titull të këtij editoriali, që protesta është e ndërkombëtarizuar, do të ketë rrudhur shumë vetulla në mosbesim. Ndërkombëtarizimi nuk u përket selive diplomatike në Tiranë dhe as kancelarive në kryeqytetet e mëdha, nga Brukseili në Uashington, por medias së huaj. Kronikat televizive dhe shkrimet e shtypit, jo vetëm si mbulim i protestës, por edhe si qëndrime kritike ndaj qeverisë së Tiranës janë bërë të zakonshme tashmë, sidomos në median gjermane dhe italiane.

Kjo është pamja. Nuk ka pse të biem dakord për tonalitetet dhe kinkalerinat, por zërin dhe figurën e saj nuk i mohojmë dhe as i fshehim dot. Ashtu siç është: përfaqësuese, e madhe dhe e ndërkombëtarizuar, ajo ka hyrë në jetën e Shqipërisë, e sigurt si pranvera.

Të fundit