Flash News

KRYESORE

Protesta e opozitës, reagon presidenti Meta: Vetëpërmbahuni dhe kauza juaj e drejtë do të dëgjohet më mirë

Protesta e opozitës, reagon presidenti Meta: Vetëpërmbahuni dhe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për protestën mbarëkombëtare të opozitës që do të zhvillohet sot në Tiranë, në orën 19:00.

Duke e konsideruar një të drejtë fondamentale të demokracisë, Meta thekson rëndësinë që protesta të jetë paqësore. Ai u drejtohet protestuesve dhe u bën me dije se duke u vëtëpërmbajtur nga disa akte dhune, që janë shfaqur në organizimet e mëparshme, kauza e tyre e drejtë do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti Meta për herë të parë e konsideron të drejtë kauzën e opozitës, që kërkon largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, shtyrjen e zgjedhjeve lokale dhe krijimin e një qeverie teknike që do të bëjë të mundur organizimin e zgjedhjeve të lira.

Ilir Meta është shprehur gjithashtu i gatshëm për të shtyrë zgjedhjet lokale nga 30 qershori kur janë parashikuar apo të japë dorëheqjen si president, nëse kjo mundëson zgjidhjen e krizës politike.

Reagimi i plotë i Metës

Qëndrim i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta për protestën e thirrur sot nga Opozita e Bashkuar

25 maj 2019

Në prag të protestës kombëtare të thirrur sot në mbrëmje nga drejtuesit e Opozitës së Bashkuar, duke shprehur bindjen se tubimet paqësore e demokratike, janë një e drejtë fondamentale e demokracisë, legjitime e kushtetuese, dua të theksoj se sa e rëndësishme është që ajo të jetë tërësisht paqësore.

Si President i Republikës kam qenë dhe jam i bindur se është më mirë që shqiptarët të protestojnë për të drejtat e tyre dhe të kërkojnë një Shqipëri më të mirë dhe gjithëpërfshirëse, se sa të largohen nga vendi.

Në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj dua t’ju kujtoj se drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar.

Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë.

Vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit.

Protestat e vazhdueshme të opozitës kanë pasur vëmendjen dhe janë transmetuar nga mediat më të njohura botërore, por imazhet tërësisht paqësore të protestës suaj do t’i shërbejnë më mirë të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Të fundit