Protesta e opozitës, si e afro-amerikanëve të Martin Luter King

Fitim Zekthi

Shpresa e vetme e qeverisë shqiptare dhe e njerëzve të saj, që prej kohës kur nisën protestat e opozitës në shkurt, është koha, lodhja dhe pafuqia e njerëzve për të vijuar të protestojnë.

Gjendja në vend është aq e vështirë sa njerëzit, mbështetësit e opozitës po e po, janë të zhytur në dëshpërimin e halleve të përditshme dhe kjo gjë është parë dhe shihet nga qeveria si shpresa e tyre për të shuar protestat.

Për ta bërë edhe më dekurajuese gjendjen, kryeminstri Rama mban fjalime dhe shkruan letra ku shprehet se kauza e protestuesve nuk do të fitojë asnjëherë, se ai nuk do të japë dorëheqjen, se opozita po kryen vetëvrasje…

Ministri i Brendshëm, Lleshaj, po me qëllimin e dekurajimit, në mënyrë brutale, banale dhe fashiste e quan opozitën “…grup parapolitik që punëson qytetarë të verbër … të cilët pas protestës (dhunës që kanë ushtruar gjasme) përfundojnë në shtëpitë e tyre të mjera ose në qeli.”

Zëvendës kryeministri e quan opozitën ‘kalifat oriental’, duke e asociiuar gjasme-dhunën e opozitës me diçka që e bëjnë kalifatet orientale, të cilat sipas kësaj logjike i bie që janë natyralisht të dhunshme. Veç faktit që është një gjuhë krejtësisht islamofobe, për shkak të asociimit që kërkon t’i bëjë islamit me dhunën, gjuha synon edhe të shenjojë një masë të tërë protestuesish dhe opozitën si entitete që janë bartëse të së keqes.

Mediat e qeverisë vazhdojnë me traditën e vjetër të marrjes së pamjeve të protestave nga kënde dhe momente të caktuara, në mënuyrë që të tregojnë se protesta ishte fare e vogël.

Në fakt, me protestat po ndodh diçka e pazakontë. Protestat janë vazhdimisht të mëdha, njerëzit dhe mbështetësit e opozitës vijnë ngado, edhe nga rrethet e largëta. Akuza se ata janë mbështetës të opozitës nuk tregon asgjë.

Edhe kur ra Mubaraku, në sheshin Tahrir protestuesit ishin mbështetës të Wahdas dhe të Vëllazërisë Myslimane; edhe kur ra Janukovich në Ukrainë, protesutuesit ishin mbështetës të Timoshenkos, të Jushcenkos, të Klitchkovit; edhe në Armeni protestuesit ishin mbështetës të Pashinian; edhe kur ra Millsheviç protestuesit ishin mbështetës të Koshtunicës, të Xhinxhiç, të Tadiç etj.

Çështja është nëse këto protesta zgjasin dhe janë të qëndrueshme; çështja është nëse këto protesta përfaqësojnë diçka më madhe se sa ata që protestojnë; çështja është nëse këto protesta ngrihen mbi kauza të drejta. Sigurisht, që do të ketë gjithnjë njerëz, shumë njerëz që janë me qeverinë. Ka patur njerëz edhe Mubaraku, edhe Janukoviçh, edhe Milosheviç etj.

Protesta e opozitës dje, ku mijëra njerëz nga Tirana dhe rrethet u mblodhën qetësisht në bulevard, duke lënë pas punët dhe hallet, papunësisë dhe ankthin e bukës së përditshme, kërcënimin e të nesërmes, tregon se ka ndodhur diçka e rëndësishme brenda kësaj kategorie njerëzish.

Protesta e tyre një jave më parë për orë të tëra në shi, duke ecur kokëulur nëpër rrugët e Tiranës, secili me lëmshin e vet të mbledhur në grykë, paqësisht, tregon se përfundimisht njerëzit nuk do të kthehen më pas. Ata janë janë lënë pa punë, janë lënë pa shpresë, 400 mijë kanë ikur, janë dënuar për mospagim energjie, janë quajtur zaptues apo pengues, janë quajtur ndotës të Tiranës, janë vjedhur me konçesione të padëgjuara kund, janë vjedhur në kutitë e votimit duke mos patur mundësi të bëjnë asgjë ndaj kësaj gjendjeje, janë gjuajtur me gaz lotsjellës sikur të jenë hordhi e huaj etj.

Tashmë ata të gjithë mbërritën në pikën ku, jo vetëm nuk dekurajohen, jo vetëm nuk kthehen pas por, ashtu kokëulur, me lëmshin e dëshpërimit dhe të pasigurisë në grykë, vijnë gjithnjë e më shumë.

Në vitin 1955, në një ditë të ftohtë dhjetori, në Montgomery të Alabamës, Rosa Parks, një afro-amerikane e lodhur nga puna, nuk u ngrit, nga vendi i caktuar vetëm për të bardhët, në autobusin ku ishte ulur. Racizmi ishte një plagë e thellë në ShBA në atë kohë. Afro-amerikanët vuanin segregacionin, dënoheshin me gjoba apo edhe burg shumë lehtë nga gjyqtarët e bardhë, punonin larg dhe me orë të gjata, paguheshin më pak, ishin të varfër, shkonin në shkolla apo spitale të veçanta vetëm për ata. Kjo gjendje kishte kohë. Plaga ishte e vjetër, dëshpërimi i madh.

Rosa Parks u ndalua nga policia pse nuk i liroi vendin një të bardhi. Përfundoi në qeli atë natë dhe u dënua me gjobë.  Martin Luther King, udhëheqësi i famshëm i afro-amerikanëve, diskutoi gjatë gjithë asaj mbrëmjeje me njerëzit e komunitetit afro-amerikan në Motgomery se çdo të bënin, se deri kur do të vazhdonte kjo vuajtje. Vendosën të nesërmen të nisnin protestën.

Ishte protesta e parë e organizuar e afro-amerikanëve, e një komuniteti të rrahur dhe të shtypur, të varfër dhe të dëshpëruar. Protesta do të ishte bojkotimi i autobusëve të Montgomeit dhe rrethinave. Asnjë afro-amerikan nuk duhej të hipte në autobus atë ditë.

Martin Luther King thotë se, e morën këtë vendim ngaqë nuk kishte më rrugë tjetër, ngaqë prej kohësh vazhdimisht kjo plagë e racizmit thellohej dhe i kishte kthyer jetët e afro-amerikanëve në në një makth. Ai thotë se ishte jashtëzakonisht e vështirë të bëje protesta, të kundërshtoje segracionin i cili ishte i sanksionuar në ligj, ishte i sanksionuar në kulturë dhe kodin shoqëror. Veç kësaj t’iu kërkoje afro-amerikanëve të mos hipnin në autobusë ishte dërrmuese për ta sepse ata do të shkonin në punë 2 orë larg, në këmbë, do të çonin fëmijët në shkolla 2 orë larg, në këmbë, do të ktheheshin nga puna të drobitur, në këmbë. Shkurt ishte një sakrificë e madhe. Veç kësaj ata ishin një popull i varfër, i rrahur, i dhunuar, me një mijë halle të përditshme.

Martin Luther King thotë se, ai e dinte që afro-amerikanët nuk do të protestonin, por do të hipnin masivisht në autobusë. Ata do t’i nënshtroheshin halleve të tyre dhe kulturës dhunuese të atyre që kishin pushtetin.

Të nësermen e protestës Martin Luthr King u zgjua herët, nuk kishte fjetur as natën,  ishte në ankth sepse priste të shihte autobusët plot me afro-amerikanë dhe priste të shihte dështimin e afro-amerikanëve. Ai thotë se u ul në sallonin e shtëpisë së tij me shpinë nga rruga në mënyrë që të mos shihet autobusin plot. E shoqja që i solli kafen shihte nga rruga. Erdhi autobusi i parë, ishte ora 6. 00. E shoqja bërtiti nga gëzimi: Është bosh! Është bosh!

Martin Luther King, tregon se nuk kthehej dot të shihte nga emocioni, por kishte frikë se autobusët e tjerë që do të vinin rresht më pas do të ishin plot me afro-amerikanë. Ndoshta ky ishte vetëm i pari.

Më pas e shoqja i tregon për të gjithë autobusët me radhë. Ishin të gjithë bosh. Tek-tuk, shumë rrallë, ndonjë afro-amerikan gjendej në ta. Rreth 98 % e afro-amerikanëve bojkotuan.

Martin Luther King thotë se pa më pas afro-amerikanët të shkonin në punë turma-turma në këmbë, më kokën ulur, të  qetë, me lëmsh në grykë secili. Nuk mbante më. Do të niste një ditë kjo protestë. Ky komunitet i rrahur dhe i lodhur kishte, megjithatë, një kurajo të madhe.

Kështu nisi lëvizja kundër segregacionit dhe për të drejtat e afro-amerikanëve. Ajo lëvizje u sulmua nga të bardhët, afro-amerikanët u provokuan, pati arrsetime, u tha se nga policia dhe qeveria e Alabamës se afro-amerikanët u ndaluan nga drejtuesit e tyre të hipnin në autobusë. U thanë pak a shumë të gjitha gjërat që ka thënë Mubarak apo Milosheviç për protestuesit e tyre, u tha pak a shumë gjithçka thotë Rama, Lleshaj apo njerëz të tjerë të qeverisë së Tiranës.

Ai bojkot i autobusëve nga njerëz të dëshpëruar, të rrahur, të lodhur, të vjedhur dhe të varfër, ai bojkot njerëzish që shkuan në këmbë me orë të tëra, turma turma,  kokëulur, të dëshpëruar por  kurajozë në punë, po ai “bojkot” ishte javën e kaluar në shi, po ai bojkot ishte të shtunën. Është e kotë dhe nuk ka propagandë që e kthen pas këtë lëvizje të ‘afro-amerikanëve’ të Shqipërisë, të cilat, ndonëse janë pjesa dërrmuese e jona sot, sigurisht nuk dalin dot të gjithë në protestë, por janë të gjithë me protestën.