Flash News

KRYESORE

Protesta e PD në Shkodër, PS ndërron në momentet e fundit vendin e konstituimit të Këshillit Bashkiak

Protesta e PD në Shkodër, PS ndërron në momentet e fundit

Ka ndryshuar vendi për konstituimin e Këshillit Bashkiak në Shkodër, pak para se të nisë mbledhja e thirrur nga prefekti Çesk Millja.

Fillimisht mbledhja u thirr të mbahet në rektoratin  e universitetit “Luigj Gurakuqi”, por pas reagimeve dhe thirrjeve për protestë nga Partia Demokratike, sot duket se është zhvendosur vendi në ambientet e Bibliotekës së Universitetit.

Dega e PD Shkodrës e ka konsideruar si provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama, konstituimin e Këshillit Bashkiak në ambientet e universitetit.

Ata theksojnë se nuk do të lejojnë që aty ku 30 vite më parë u mblodhën të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist, të vendoset një tjetër regjim.

Ndërkohë PD nuk e pranon konstituimin e një këshilli që sipas saj është ilegjitim.

Konstituimi i Këshillit Bashkiak ishte planifikuar që të mbahej në datën 21 gusht, një ditë pasi i përfundon me ligj mandati i kryetares aktuale, Voltana Ademi. Por Partia Socialiste e afroi me dy ditë datën e konstituimit, vendim i cili erdhi pas tërheqjes nga marrja e detyrës të kandidatit fitues, Valdrin Pjetri.

Ky i fundit, rezultoi se kishte qenë i dënuar në Itali me burg për drogë në vitin 2003, por nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. PD-ja publikoi dokumentet që vërtetonin vendimin e autoriteteve italiane, teksa fshehjen e dënimit, kreu i qeverisë e ka konsideruar një akt të patolerueshëm dhe njoftoi se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara.

Me refuzimin e presidentit Meta për të dekretuar një datë zgjedhjesh të re vetëm për Bashkinë Shkodër, duke qenë se ai nuk njeh 30 qershorin, Shkodra do të vijojë që të drejtohet nga Voltana Ademi, por me një Këshill Bashkiak me shumicë socialiste.

Të fundit