Protesta e radhës më 25 maj/ Basha: Jemi në ‘grusht shteti’. Përballje me të gjitha format

Protesta e radhës kombëtare e opozitës do të zhvillohet më 25 maj, në orën 19:00, në Tiranë.

Kryeopozitari Lulzim Basha deklaroi për mediat se Shqipëria ndodhet në ‘grusht shteti’ për shkak të asgjësimit të gjykatave. Sipas Bashës, gazeta gjermane ‘Bild’ zbuloi edhe makthin e kryeministrit Edi Rama, që rezulton të jetë i përfshirë në dosjen 184, ku është hetuar vjedhja e votave në Dibër.

“Kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të ‘grushtit të shtetit’ ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorisë së Përgjithshme. Sot e gjithë Shqipëria e ka kuptuar se ku fshihet makthi i Edi Ramës, nëse zbardhet dosja hetimore që provojnë përfshirjen direkte të Ramës për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale dhe për të kaluar më pas në të gjithë Shqipërinë. BILD ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes në Shqipëri dhe për një qeveri që sillet si bandë, por ka zbuluar diçka që organet e dinë prej kohës që në dosjen 184 figuron vetem Rama duke komunikuar me zyrtarë të lartë që skenari i votave është zhvilluar pikërisht sipas planit të tij”, tha Basha.

Basha theksoi se sot në Evropë nuk ka njeri që nuk e di se Edi Rama i ka blerë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017-të.

“Në vend që t’i hapë rrugë kërkesës për zgjedhje me qeveri tranzitore, Edi Rama ka zgjedhur një kurs përplasjesh me popullin. Në gjysmën e bashkive të vendit do të kenë kandidat kupola e krimit”, tha kreu i Partisë Demokratike.

Kryedemokrati u shpreh i vendosur për të vijuar përballjen me të gjitha format me mazhorancën e Ramës, të cilën ai e konsideron të sunduar nga krimi i organizuar.

“Vendimi unanim opozitës është përballje me të gjitha format dhe mënyrat. Që nga ky moment ne jemi dhe do të jemi bashkë me qytetarët, të bashkuar si asnjëherë më parë, në një përballje pa kthim me ushtarët e ‘juntës kriminale’ në pushtet. Asgjë nuk mund të kursehet në këtë betejë”, deklaroi Basha.

Sipas Lulzim Bashës, zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë të pamunduara të zhvillohen edhe formalisht për shkak se regjistri i gjendjes civile është masakruar.