Flash News

OP-ED

Protesta e shqiptarëve më 26 maj dhe Rezoluta farsë e Kuvendit

Protesta e shqiptarëve më 26 maj dhe Rezoluta farsë e Kuvendit

Alban Daci

Protestat janë të domosdoshme për të bërë aktive shoqërinë në pjesëmarrjen politike, dhe për t’u marrë në konsideratë edhe zëri i tyre në vendimmarrje.

Protesta bëhen edhe në vende që kanë demokraci shumë më të konsoliduar se Shqipëri. Protestohet në SHBA, Gjermani, Britani, Itali etj. Protestat janë të domosdoshme në çdo vend që ka ose pretendon se ka një model dhe një aspiratë demokratike.

Pse duhen protestat qytetare?

Sepse, demokracia është një model politik, filozofi politike, model qeverisje dhe shtetërore që është gjithmonë në evolucion. Demokracia është fytyra më e mirë e shoqërisë, dhe nëse shoqëria është në evolucion të vazhdueshëm, bashkë me të duhet të përfshihet në evolucion edhe demokracia. Demokracia bazohet mbi liritë dhe të drejtat themelore të individit dhe ka një tendencë të hapur që me rritjen e evolucionit të rriten paqartësitë dhe dëshira e pushtetit për t’i kufizuar. Kështu, bashkë me rritjen e tendencës së pushtetit për të kufizuar liritë dhe të drejtat themelore, duhet të rritet edhe shpirti i qytetarëve për të protestuar për t’i mbrojtur ato.

Kështu do të flisnin në vende me demokraci normale dhe stabile.

Po për rastin e Shqipërisë? Shqipëria vazhdon të jetë në tranzicion, si në konsolidimin e institucioneve apo edhe në hartimin dhe ruajtjen e garancive për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të individit. Në një vend që është në tranzicion, nuk mund të pretendojmë se ekziston dëshira dhe vullneti i pushtetit për të garantuar liri dhe të drejta themelore. Përkundrazi, në vende me tranzicion, pushteti dhe liritë e të drejtat themelore janë si dy pole të njëjta që duan të shkëputen nga njëri-tjetri. Liritë dhe të drejtat themelore duan të ecin përpara dhe të forcohen,  ndërsa pushteti kërkon të ecë mbrapa, duke u dhënë sa më pak hapësirë lirive dhe të drejtave të njeriut.

Në fazën tranzitore, duke qenë se pushteti është më i fortë, nëse qytetarët nuk bëhen pjesëmarrës të jetës politike e sociale përmes protestave, ka shumë gjasa që liritë dhe të drejtat e individit të mbetën jetime dhe të pafuqishme përballë pushtetit, i cili do të kishte cilësi absolute për të bërë atë që është më e mira në mbajtjen dhe ruajtjen e tij.

Sot, kemi vetëm vullnetin e pushtetit për të pasur hapësirë absolute e privilegje pafund, sepse kjo është natyrë e tij, në çdo formë organizimi shtetëror ose social. Por, janë pikërisht mekanizmat që e ndalojnë dhe e frenojnë një gjë të tillë. Në një vend në tranzicion si Shqipëria, institucionet nuk janë të pavarura dhe të ndara nga pushtetit dhe nuk kanë një kulturë demokratike për të qenë garantë të lirive dhe të drejtave themelore të individit. Atëherë, i mbetet vetë qytetarit që përmes aksioneve të tij demokratike të jetë garantë për të drejtat dhe liritë e tij themelore.

Në këtë kontekst, përballë arrogancës që po shfaq hapur pushteti është jo vetëm e domosdoshme, por shpresa e fundit që qytetari të protestojë për të mbrojtur të drejtat/liritë themelore dhe dinjitetin e tij.

Qytetarët goditen çdo ditë me propagandë nga pushteti që kontrollon jo vetëm institucionet, por edhe mekanizmat e rëndësishëm të formave të organizimit social, duke përfshirë sindikatat, të cilat, duhet të merren me të drejtat e punëtorëve e në fakt merren me xhepat e tyre, kundrejt garancisë që i japin pushtetit për të heshtur kundrejt çdo shkelje të drejtash apo të Kodit të Punës.

Dihet se pushteti është i korruptueshëm dhe tenton të korruptojë, por nëse ai arrin të korruptojë një shoqëri të tërë përballë interesit të jetëgjatësisë së tij dhe privilegjeve absolute të tij, atëherë jemi përballë një realiteti të hidhur që do të vriste në gjenezë demokracinë, apo çdo formë të organizimit demokratik.

Ne, sot, jemi përballë këtij rreziku, sepse pushteti me arrogancën e tij, duke pasur mekanizmat e propagandës po bindet se mund t’i korruptojë dhe t’i manipulojë të gjithë shqiptarët. Kjo nuk duhet të ndodhë e për të mos ndodhur. Qytetarët duhet të punojnë për fatet e tyre dhe të kundërshtojnë çdo tentativë të   pushtetit dhe çdo aspirim të tij, për të penguar evolucionin e demokracisë dhe bashkë me të edhe garancitë për të mbrojtur e promovuar të drejtat dhe liritë e individit.

Ndoqa me vëmendje rezolutën e propozuar nga mazhoranca për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Parimisht, kjo është detyra e çdo parlamenti. Por, nëse analizohet më gjakftohtësi, ky akt nuk është gjë tjetër veçse një farsë. Përse e themi këtë? A ka një vullnet më të fortë se vullneti i Parlamentit? Sigurisht që ka  dhe kjo është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në ligjvënie. Kur është e mundur kjo? Në rastet e referendumeve? A duhet një referendum për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Në aspektin konstitucional po, por në aspektin politik apo të imazhit nuk duhet hiç, sepse shqiptarët në mënyrë plebishitare, nga viti 1991 deri më sot, kanë shprehur hapur vullnetin e tyre për t’u bërë pjesë e BE-së.

A hyn në punë Rezoluta e Parlamentit shqiptar për procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE?

Së pari, Parlamenti shqiptar është fytyra më e shëmtuar e vendit tonë, sepse nga 2013, dhe në vazhdim, ka pasur brenda tij njerëz të dënuar për akuza të rënda kundër njerëzimit e po ashtu edhe njerëz të implikuar në çështje të rënda të devijancës sociale. Pra, nëse Shqipëria shpreson të pretendohet nga imazhi dhe prestigji ndërkombëtar që gëzon Parlamenti shqiptar, ajo kurrë s’ka për t’u pranuar në BE. Po atëherë, për çfarë duhej një rezolutë e tillë? Ishte thjeshtë një farsë dhe një fasadë që qeveria e përdori për t’u justifikuar politikisht përballë institucioneve dhe vendeve anëtare të BE-s.

Shqipëria ka sfida e probleme të mëdha që pa pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën politike apo vendimmarrje nuk mund t’ia dalë.

Sfida më e madhe e Shqipëri është identifikimi i institucioneve të shtetit me krimin apo në shërbim të krimit. Kur një vend arrin në këtë pikë, siç është Shqipëria, institucionet nuk kanë më as forcën dhe as moralin për të bërë Shtetin e së Drejtës, për të konsoliduar demokracinë dhe për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Atëherë, kush është forca më e madhe dhe legjitime që mund të keqen? Është sovrani, pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve. Nuk mund të kërkohet moral dhe drejtësi nga institucione që edhe moralin dhe drejtësinë e kanë humbur, sepse janë të pushtuar nga padrejtësia dhe imoraliteti.

Shqiptarët, duhet të protestojnë si qytetarë të lirë, kundër arrogancës dhe lidhjeve të tij me krimin. Për t’u zhvilluar demokracia duhet të marrë fund dilema, se: Krimi ka kapur shtetin, shteti është në shërbim të krimit, apo shteti dhe krimi janë një gjë e vetme.

Shqiptarët duhet të protestojnë kundër arrogancës së pushtetit dhe dëshirës apo aspiratës së tij për të qenë absolut dhe për të penguar stabilitetin e demokracisë e të kritereve që atë e shoqërojnë.

Shqiptarët duhet të protestojnë për t’i dëshmuar pushtetit se një popull nuk mund të manipulohet, kontrollohet apo të jetë në shërbim të tij. Në një vend që ka aspirata demokratike, qytetarët janë fjala e fundit dhe e vetme që përshpejtojnë proceset e evolucionit të demokracisë në koherencë me shoqërinë, duke penguar e sulmuar çdo aspiratë që pushteti ka për të qenë absolutë dhe jetëgjatë.

Protesta e 26 majit, dhe çdo protestë e qytetarëve të lirë, është vetëm në shërbim të demokracisë, duke e personifikuar atë.

Të fundit