Flash News

OP-ED

Protesta e studentëve ka potencialin për të sjellë ndryshime të thella

Protesta e studentëve ka potencialin për të sjellë ndryshime

Ndriçim Kulla

Sot po bëhen gjashtë ditë që të rinjtë, studentë dhe gjimnazistë, po zhvillojnë protestën më të madhe që nga ajo e para 28 viteve, e 8 dhjetorit 1990. Kjo protestë kaq masive e mirëfilltë e të rinjve të gjithë vendit duket se ka potencial që të sjellë zhvillime të reja të thella, jo vetëm në arsimin shqiptar, por edhe në spektrin politik të vendit. Kërkesat e studentëve po qartësohen çdo ditë e më shumë dhe, me sa duket, qeveria Rama ose do të përmbushë kërkesat e studentëve që të mbijetojë përkohësisht, ose do të rrëzohet. Çfarë tregon kjo protestë:

  1. Tregon se pjesa më vitale e shoqërisë shqiptare ka humbur besimin në politikën shqiptare. Të rinjtë nuk  protestojnë vetëm kundër Ramës dhe Nikollës, por kundër sistemit arsimor të instaluar në Shqipëri.
  2. Tregon shkallën ku kanë arritur politikat represive neodiktaturale, korruptive dhe klienteliste të kësaj qeverie në çdo sektor, përfshirë edhe arsimin e larë. Kjo qeveri në gjashtë vite të qeverisjes ka zhvilluar politika të mirëfillta represive në arsimin e lartë, ka rritur tarifat në masë të papërballueshme për mbi 70 % të familjeve shqiptare, dhe  jo vetem për shtresën e varfër, por edhe atë të mesme të shoqërisë shqiptare. Praktikisht fëmijët e këtyre shtresave nuk i përballojnë dot tarifat dhe kostot e jetesës për studentët e Masterit. Atyre u duhen 3 - 4 milion lekë (të vjetra) në vit për të studjuar larg vendbanimit të tyre. Po një familje që ka dy fëmijë studentë ku i gjen 6 - 8 milion lekë në vit! Dhe çfarë marrin mbrapsht studentët: kushte mizerable të mësimdhënies, pa biblioteka shkollash, pa politika për të lexuar libra, pa projekte për të nxitur leximin (madje edhe ndonjëherë, kur ka ndonjë gjysëm projekt është me politika thellësisht klienteliste dhe me qarqe të mbylluara dhe pa procedurë fare, që për fat të keq nuk është denoncuar as  nga mediat dhe as nga opozita), pa internet, pa kushte minimale jetese në konvikte, etj.. etj. Thjesht po të protestonin studentët kundër kësaj qeverisjeje të Ramës dhe Nikollës në arsim do të ishte shërbim shumë i madh që i bëjnë demokracisë shqiptare.

  1. Tregon shkallën e represionit të kësaj qeverie mbi universitetet. Po bëhet një javë dhe nuk kemi dëgjuar një rektor universiteti apo dekan fakulteti të dalë në mbështetje të studentëve. Madje ka edhe rektorë, që ushtrojnë presion mbi studentët të mos protestojnë. Pse? Sepse ata janë nën presion të gjithanshëm të Nikollës dhe Ramës, janë individë që nuk kanë staturën akademike të përfaqësojnë universitetet dhe fakultetet, kanë braktisur interesat e studentëve dhe pedagogëve dhe i janë nënshtruar plotësisht qeverisë për të mbijetuar. Kjo është e trishtueshme dhe e turpshme, aq më tepër kur këta rektorë dhe dekanë pretendojnë se janë votuar nga pedagogët dhe studentët e tyre. Po të ndodhë kjo në një universitet perëndimor, pra të ndodhë që rektori dhe dekani të mos u dalin zot studentëve të tyre, ata ose japin dorëheqje, ose studentët i nxjerrin me shqelma nga zyrat luksoze të pajisura me  paratë e tarifave të kripura të studentëve.
  2. Kjo protestë tregon se mekanizmi i votës në universitete ka sjell në krye të tyre klane pseudopedagogësh, njerëz mediokër dhe pa asnjë meritë të vërtetë akademike dhe pa kurajon minimale qytetare. Nuk dua të besoj se janë të korruptuar siç raportohet shpesh, madje edhe para tri ditësh doli  një listë emrash konkretë në media.
  3. Ka kohë që opozita merret me përgjime dhe emra të veçantë të qeveritarëve apo politikanëve të maxhorancës dhe shumë mirë ka bërë, por ka harruar të flasë në kohën e duhur për studentët, nxënësit, rininë, intelektualët, shtresën e mesme, fermerët, etj. Rasti më tipik është buxheti 2019. Studentët kërkojnë dyfishim të buxhetit të arsimit të lartë dhe përgjysmim të tarifave. Lideri i opozitës, që ditën kur studentët artikuluan përgjysminin e tarifave dhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, duhet të kishte dalë dhe t’i kërkonte mazhorancës dy gjera: -Të korrigjohej menjëherë ligji i buxhetit 2019 dhe të shtohej buxheti i arsimit të lartë. -Të nxirrte draftin e projektligjit të arsimit të lartë, që menoj se e kanë, dhe të kërkonte të miratohej në Parlament brenda këtij muaji. Dhe këtë, urgjentisht, është koha ta bëjë sa më shpejt.

Rama ende mban ministër për Arsimin një mësuese që nuk ka mbrojtur asnjë teori  të thjeshtë shkencore dhe ka përfunduar universitetin me notë 5.8, (fenomen që Noli e ka  fshikulluar që para 7-8 dekadash me shprehjen tallëse ”Ty Halim që  s’di këndim/Të bëj vezir për arsim”), aq më shumë që kjo notë  sot nuk i lejon  maturantët të vazhdojnë arsimin e lartë. Protesta sot  tregoi këmbënguljen që duhej të kishte treguar  opozita dikur për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, të paktën për tarifat e masterit që janë jo vetëm të larta, por edhe më të larta se sa kostoja reale e studimeve!

Por, përse them që kjo protesë kaq masive, ka potencialin për të sjellë ndryshime të thella shumëplanëshe. Sepse ajo është protesta e pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare. Dhe ky potencial mund të sjellë shumë ndryshime politike dhe sociale. Kjo protestë ka potencial të lind një lëvizje politike shoqërore të rinisë, e cila mund të imponohet  për ta trasformuar këtë politikë të kalbur. Kjo duket se si e kanë pritur qytetarët këtë protestë dhe pritshmërinë e madhe që kanë te të rinjtë për të shporrur atë pjesë të korruptuar të kësaj klase politike, si në maxhorancë, ashtu edhe në opozitë.

ër më tepër protesta po gjen mbështetje të madhe edhe tek intelektualët që janë de fakto të pa përfaqësuar  dhe thellësisht të braktisur, madje në mënyrë krejt cinike nga politika. Kjo protestë ka potencial të promovojë të rinj të mirëshkolluar, brenda dhe jashtë vendit, në politikën shqiptare, sepse partitë janë mbështetur kryesisht te njerëzit e pasur dhe të fortë, por jo në mendjen e shoqërisë shqiptare. Kjo protestë ka potencial të sjellë një ndryshim radikal në arsimin e lartë shqiptar, madje një revulucion të vertëtë në arsimin e lartë, për ta çliruar atë nga rektorët dhe dekanët mediokër, që kanë rrëmbyer ca vota, pa merita akademike të klaneve që sundojnë universitetet prej mbi 20 vitesh dhe sillen si pronarë të universiteteve publike.

Studentët kanë filluar të artikulojnë emra drejtuesish të universiteteve e fakulteteve, si dhe pseudopedagogësh me diploma dhe tituj të dyshimtë. Është e trishtueshme që kjo kastë drejtuesish të universiteteve dhe fakulteteve ka izoluar de fakto universitetet publike nga bota ndërkohë që jemi në shekullin e XXI të revolucionit të katërt teknologjik.

 

Të fundit