LIVE-Mbyllet protesta/ Disa të lënduar te Kryeministria, Basha dhe Lleshaj shkëmbejnë replika për dhunën; raportojnë edhe mediat ndërkombëtare

Është mbyllur protesta e organizuar nga opozita ditën e sotme. Kryedemokrati Lulzim Basha lajmëroi nga protesta mbylljen e saj, duke falenderuar të gjithë qytetarët për praninë, ndërsa u shpreh se protesta e radhës do të jetë të enjten në orën 10:00.

Ne u bashkuam këtu për qëndresë kundër qeverisë hajdute, kundër provokimit të Edi Ramës. Në emër të opozitës ju shpreh mirënjohjen më të thellë. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje qytetare do të vazhdojë deri në përmbysjen e këtij sistemi të kalbur. Protesta e radhës do të jetë ditën e enjte (21 mars)”, u shpreh Basha.

—–

Tensionet para Kryeministrisë kanë marrë edhe vëmendjen e mediave të huaja. Ato kanë përcjellë kryesisht momentin kur protestuesit kanë kaluar kordonin e policisë për të shkuar drejt ndërtesës së Kryeministrisë.

Lexo reagimet

—–

Deklaratë për media e Lëvizjes Socialiste për Integrim për ngjarjet në protestë

Me shqetësim të madh ndajmë me ju sjelljen e patolerueshme dhe antidemokratike të qeverisë shqiptare gjatë protestës së sotme të qytetarëve.

Opozita ka komunikuar zyrtarisht me Ministrinë e Brendshme për të gjitha elementet e organizimit të protestës.

Megjithatë, qeveria provokoi qytetaret në protestë duke larguar kordonin e Policisë që ndante Kryeministrinë me protestuesit.

Policia e Shtetit nuk ka komunikuar në asnjë moment apo për asnjë çështje me organizatoret e protestës, duke vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin.

Gjithashtu, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kane përdorur Lënde Helmuese Luftarake dhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, duke shkaktuar dëme shumë të rënda në rrugët e frymëmarrjes të qytetarëve dhe ka përkeqësuar shëndetin e qytetarëve me probleme kardiake.

Kjo sjellje provokative e Policisë se Shtetit dhe e Gardës së Republikës ka qenë në kundërshtim me dëshirën e opozitës për një protestë paqësore dhe theksojmë se kjo proteste ka nisur paqësore dhe vazhdon të jetë e tillë në sytë e qytetarëve.

Veprimet e qeverise provuan edhe një herë rrugën anti demokratike të qeverisë dhe te Kryeministrit Edi Rama.

—–

Një video e publikuar nga ‘A2’ tregon se Garda e Republikës ka vendosur gardh me gjemba në hyrjet e Kryeministrisë. Gardhi është ngritur pas dyerve, për të parandaluar çdo avancim të mëtejshëm të protestuesve të revoltuar.

Shih videon

—–

Kreu i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka akuzuar policinë se ka provokuar qëllimisht qytetarët me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Shqiperia ka nevojë për demokraci dhe jo për dhunë e helme të qeverisë.

“Protesta paqesore u provokua me qellim nga qeveria dhe policia.Provokimi i protestuesve dhe perdorimi i lendeve helmuese ndaj protestuesve veper e Edi Rames.I bejme thirrje te terhiqet nga dhuna dhe provokimi dhe te mos e rendoje me tej situaten,qe ben pergjegjese vetem qeverine. Shqiperia ka nevoje per demokraci dhe jo per dhune e helme te qeverise”, shkruan Vasili në ‘Facebook’.

——

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka replikuar me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke i kërkuar që të ndalojë provokimin e protestueve. Bardhi theksoi se Lleshaj po merr urdhra nga kryeministri Edi Rama, të cilin e quan kryehajdut.

“Sandër Lleshaj ndalo provokimin ndaj protestuesve paqësor sipas urdhrave të Kryehajdutit Edi Rama. Urdhëro Policinë e Shtetit të zbatojë ligjin dhe të garantojë mbarëvajtjen e protestës, duke larguar provokatorët që ke futur mes nesh”, shprehet Bardhi.

——

Ambasada e SHBA, delegacioni i BE-së dhe Ambasada Britanikë kanë reaguar në lidhje me protestën e opozitës para Kryeministisë. Ata mbështesin tubimin e thirrur nga Partia Demokratike në bashkëpunim me aleatët, teksa iu bëjnë thirrje qytetareve te protestojne paqesisht.

——

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj akuzon drejtuesit e opozitës për dhunë dhe i kërkon atyre që të distancohen. Lleshaj thotë se është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë.

“Bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë. Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona”, shprehet Lleshaj.

——

Pavarësisht tensionit në protestë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, vijon të qëndrojë në mes të turmës. Basha akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama se ka planifikuar skenarin për dhunë në protestë, duke lejuar çarjen e menjëhershme të kordonit të policisë.

Kryedemokrati theksoi se janë qytetarët ata që do të vendosin se sa do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë për të protestuar.

—–

Pas tensionimit të situatës para godinës së Kryeministrisë, gjashtë protestues janë lënduar dhe janë dërguar me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit. Po ashtu, të lënduar kanë mbetur edhe gazetarë e fotoreporterë të cilët kanë ndjekur nga afër gjithë situatën e tensionuar.

—–

Monika Kryemadhi ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se do të paguajë për të gjitha lotët që ka nxjerrë sytë e shqiptarëve. “Kjo është më e pakta që mund të bëjë Rama. Vërtetë gazi lotsjellës mund të nxjerrë lot nga sytë e shqiptarëve siç ka nxjerrë Rama lot nga sytë e nënave shqiptare por do t’i paguajë këto lot”, deklaroi ajo pyetur nga mediat pak çaste më parë.

——-

Partia Demokratike ka publikuar disa pamje që tregojnë tërheqjen e efektivëve të policisë nga zona përballë Kryeministrisë. Pamjet e tërheqjes së policëve i përkasin momentit përpara se Garda e Republikës të lëshonte gazin lotsjellës, që lëndoi shumë prej protestuesve.

Shih videon

—–

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës, ku mijëra njerëz janë mbledhur para kryeministrisë. Me nje shenim ne faqen e tij ne Instagram, ai krahason takimin e Vlores dhe protesten qe po mbahet ne Tirane.

“Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë”, shkruan Rama, teksa poston kete foto sipas tij krahasuese.

—–

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, se ka urdhëruar hapjen e kordonit të policisë për të krijuar tension te Kryeministria. Basha foli për një skenar të Qeverisë për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë në protestë.

“Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit. Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme”, u shpreh Basha.

Ndërkohë, gazetarët raportojnë se janë me dhjetëra persona të lënduar dhe me probleme shëndetësore për shkak të gazit lotsjellës.

—–

Garda e Republikës ka ndërhyrë ndaj protestuesve që sulmuan pak minuta më parë godinën e Kryeministrisë. Me ujë nga brenda godinës dhe gaz lotsjellës nga tarraca, Garda ka mundur të shpërndajë protestuesit nga shkallët e Kryeministrisë.

Gjatë tensionit, një person ka mbetur i lënduar dhe është larguar nga godina nga disa persona të tjerë. Deri më tani nuk dihet gjëndja shëndetësore e personit, por atij po i jepet ndihma e parë.

Protestuesit tentuan të thyenin derën e Kryeministrisë dhe të largonin skelën e vendosur aty pranë, por ndërhyrja e Gardës i ka larguar për momentin.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar Policinë se ka provokuar protestuesit, ndërsa presidenti Ilir Meta ka kërkuar vetëpërmbajtje nga qytetarët.

—–

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar me një mesazh të qartë dhe thirrje për vetëpërmbajtje ndaj qytetarëve.

Reagimi i Metës:

“Duhet vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve e dhunës. Ndërsa qytetarët duhet të protestojnë të lirë duhet të respektohen institucionet.”

—–

Godina e Kryeministrisë po sulmohet aktualisht nga protestues të revoltuar. Qytetarët kanë thyer kordonin e policisë, e cila nuk ka bërë rezistencë të madhe.

Pjesa e përparme e Kryeministrisë është e gjitha nën kontrollin e protestuesve, ndërkohë që protestuesit po tentojnë të thyejnë derën e Kryeministrisë. Garda e Republikës po reagon dhe po hedh gaz lotsjellës për të qetësuar disi situatën.

Ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje pak minuta më parë për arrestimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet sot në qytetin e Vlorës.

—–

Kanë nisur konfrontimet e para në protestën përpara Kryeministrisë. Qytetarët kanë nisur të përplasen me policinë, në përpjekje për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë. Disa kapsolla janë lëshuar drejt godinës, ndërkohë që një zjarr i vogël është ndezur në shkallët e policisë.

—–

Disa pankarta ku kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte veshur si Nicolas Maduro i Venezuelës, janë djegur nga protestuesit në Tiranë. Protestuesit i kanë vënë flakën këtyre pankartave dhe lanë lëshuar thirrje kudnër Ramës.

Ndërkohë, protestës së qytetarëve u janë bashkuar kreu i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Disa kapsolla janë hedhur nga protestuesit, por situata paraqitet e qetë përballë Kryeministrisë.