Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Protesta: 'përqafimi vdekjeprurës' i Veliajt dhe mallkimi i opozitës 'Nëse nuk je imja, mos qofsh e askujt!'
Alfred Lela
Sali Berisha ua mori 'për duarsh' protestën studentëve duke e kthyer në Lëvizje të Dhjetorit' dhe më pas në Parti Demokratike, më pas në opozitë zyrtare antikomuniste, e me radhë në qeveri, opozitë, qeveri, e kështu deri në fund të ciklit, i cili edhe pse nuk dihet kur mbyllet, ka jetën dhe fundin e vet, megjithatë.
Të shumtë janë ata që u armiqësuan 'politikisht për vdekje' me Berishën dhe vazhdojnë të jenë edhe sot, frëngji më frëngji, në mallkim të Doktorit, një mëni që nuk ka të bëjë dhe aq me cilësitë e munguara të tij, se sa me pezmin se si ua vodhi 'zjarrin e protestës' për të ngrohur avenirin e vet politik.
E njëjta teknologji virtuale duket se po i sillet edhe protestës së 'Dhjetorit të dytë' shqiptar. Historia ka kthesat e ironitë e veta dhe një prej tyre duket se shtrihet edhe te fakti se bëri me dhjetor, apo dhjetoristë, mijra studentë e qindra pedagogë që Dhjetorit i njihnin kujtimet, nganjëherë të deformuara, të dhjetoristëve të vitit '90.
Në këtë kuptim dhjetori '18 ka qenë fatsjellës.
Në aspektin e përsëritjes së mizanskenave, prapaskenave dhe përpjekjeve për ta shtënë në dorë, asgjë më shumë se riciklues i atyre pasioneve të vjetra njerëzore të zotërimit, komandimit dhe pranimit.
Në ditën e katërt të protestës, pikërisht më 8 dhjetor, u shfaqën krisjet e para të syprinën e asaj që dukej si protesta e bukur, 'Dhjetori i dytë', e me radhë. Pjesëmarrës të ndryshëm, filluan të ekspozoheshin si zëdhënës apo përcjellës idesh, lëshuan mesazhe kontradiktore. Kjo është shenja e parë e fundit ose, në më të paktën, i të tatëpjetës. Organizata Politike, Lëvizja për Universitetin, përfaqësues të Forumeve rinore partiake, apo dhe 'emisarë specialë' të Kryebashkiakut Veliaj, filluan të kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Të bëjmë një tryezë apo të vijmë te Ministria nesër? Të takojmë Nikollën, apo jo? T'i pranojmë protestuesit e Astirit dhe të Teatrit, apo jo? E me radhë të tilla qeë mesazhet dhe kundërmesazhet e pavendosmërisë, ose të vendosmërisë, për të mos lënë mesazhin rival për të fituar terren.
Partitë politike nga jashtë dhe nga brenda morën pozicionet etyre. PD i kishte intencionet dhe tentacionet për t'u bashkuar me protestën dhe për të marrë komandën e saj. Asnjëherë direkt, por indirekt afërmendsh që po.
Partia Socialiste, apo qeveria, përdorën në fillim shkopin dhe më pas karrotën. 'Ngelsat' u bënë 'dialogues'. Kryetari i Bashkisë, që ishte treguar i helmët me protestuesit e Astirit, duke i quajtur shpellarë dhe talebanë, u shfaq i tërhequr me studentët. Me gjasë nuk donte të prishte ujra me një segment që e konsideron mbështetës të vetin. Ndikimi i strukturave të qeveri-bashkisë në protestë u duk edhe te kujdesi për të shmangur selinë e Kryeministrit dhe për 't'i rënë nga Kina' deri te rruga e Durrësit.
Nëse PD u pezmatua nga pamundësia e aksesit, kjo u duk te përpjekjet mediatike për ta 'fundosur' imazhin e protestës në ditën e katërt. 'U hapën dosjet' e të gjithë atyre që e penguan opozitën të merrete zotërimin e protestës. Duhet thënë se opozita nuk shpifi, aq sa krijoi një skedë të personazheve në protestë që vijnë apo kanë lidhje të ndryshme me Mjaftin e dikurshëm të Veliajt dhe me Bashkinë e tanishme të tij. Fotot që u shfaqën në mediat pranë opozitës krijojnë një lidhje solide. Dhe te fakti nuk ka asgjë për të qortuar. Te strategjia, ndoshta po.
Strategjia që zgjodhi PD ishte vrasja e imazhit të protestës sipas parimit 'nëse nuk mund të jetë e imja, le të mos e gëzojë askush!'.
Binomi Qeveri- Bashki zgjodhi një qasje të kundërt. Mediat e majta, zëdhënëse të mazhorancës, nuk ndoqën rrugën e konfrontimit me protestën, por i frynë shumë 'pastërtisë' së saj, e cila ekspozohej sidomos te vendimi i protestuesve për të mos pranuar, as astirasit dhe as teatrorët. Të cilët, sipas kundërshtuesve dhe sipas mediave të majta, ishin protestues politikë.
Vetëm rastësisht Astiri dhe Teatri janë dy kauza të luftuara dhëmb për dhëmb nga Erion Veliaj !!! Në rastin e Astirit, skandali i fundit i zbulimit të dokumenteve të falsifikuara i jep të drejtë banorëve, por edhe mbështetjes politike që ata kanë pasur. Duke e bërë këtë të fundit një 'politikë të drejtë'. Duke e bërë kundërshtimin ndaj saj skizofrenik. Antipolitikë për antipolitikë.
Mediat e pushtetit, sidomos ato pranë Veliajt e përqafuan protestën duke i bërë jehonë madje edhe shtrirjes së saj në mediat ndërkombëtare. Një lëvizje e tillë është 'the kiss of death' për protestën.
Këtu pra shtrihet fati i protestës së shkretë. E cila nxori megjithatë nga 'sënduku i mrekullive' të rastësisë dhe historisë pajën e një Dhjetori të dytë dhe të dhjetoristëve të rinj.
Do të vdesë ajo, si çdo fillim i bukur dhe fund me tmerr, nën peshën e përqafimit vdekjeprurës të Velisë dhe mallkimit të opozitës 'nëse nuk je e imja, mos qofsh e askujt'.