Protestat në Bolivi, raportohen të paktën 5 viktima

Të paktën 5 persona raportohet të kenë humbur jetën gjatë përplasjeve mes mbështetësve të ish-presidentit Evo Morales dhe forcave të sigurisë në Bolivi.

Shumica e të vdekurve dhe të plagosurve kanë plagë plumbash.

Morales ndodhet në Meksikë dhe u shpreh në një intervistë për “BBC” se mund të ndiqej penalisht nëse kthehej në Bolivi.

Ndërkohë presidenca mbahet nga Jeanine Áñez, e cila u vetëshpall presidente e vendit.

Qeveria e re ka prishur lidhjet me Venezuelën dhe po dërgon në shtëpi më shumë se 700 mjekë kubanë.

Lëvizjet kanë për qëllim të tregojnë se autoritetet e reja po distancohen nga aleatët rajonalë të krahut të majtë të Morales.

Kujtojmë se Morales dha dorëheqjen të dielën e kaluar (10 nëntor) mes protestave që shpërthyen pas zgjedhjeve presidenciale.