Protothema/ “Rama po e çon vendin drejt një lufte civile më të keqe se 97-a”

Shqipëria mund të shkojë drejt një lufte civile shumë herë më të keqe se ajo e vitit 1997. Në një artikull për “Protothema”, Helen Bratt shkruan se Shqipëria është në një konflikt të thellë dhe të rrezikshëm që mund të rezultojë në gjakderdhje dhe luftë civile.

Sipas saj, kjo krizë politike mund të konsiderohet po aq e tmerrshme sa ajo e vitit 1997, kur Shqipëria ra në një kaos total.

“Kjo krizë mund të sjellë pasoja shumë herë më të rënda se ajo e 97-ës, sepse kërcënon themelet e vetë shtetit dhe qeverisjes, rendin kushtetues dhe mund të destabilizojë tërë rajonin”, shkruan Bratt.

Bratt thekson se me shfuqizimin e Gjykatës Kushtetuese, Rama dhe qeveria e tij e kanë shkatërruar procesin kushtetues në Shqipëri nëpërmjet një reforme gjyqësore, të cilën ajo e konsideron një eksperiment për të kontrolluar plotësisht sistemin gjyqësor.

“Për gjashtë vitet e fundit, përkundër nivelit të lartë të korrupsionit në qeveri, trafikimit ndërkombëtar të drogës që përfshinë Ministrin e Brendshëm, policinë e shtetit dhe madje edhe zyrtarët e ushtrisë, qeveria e Ramës ka punuar për të shkatërruar procesin kushtetues në Shqipëri, duke e shfuqizuar Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet të ashtuquajturës ‘reformë gjyqësore’, një eksperiment i përdorur vetëm për të lejuar kontrollin e tij të plotë të sistemit gjyqësor”, thotë Bratt në artikullin e saj.

Më tej ajo flet edhe për dekretin e presidentit Ilir Meta, të cilën e konsideron si një lëvizje për të shmangur konfliktin civil dhe për të ofruar një shans për dialog midis palëve politike.

Një përpjekje kjo që, sipas gazetares, ka hasur në kokëfortësinë e kryeministrit Rama, i cili, po sipas saj, ishte i vendosur të përshkallëzonte krizën dhe të nxiste largimin e Presidentit. “Kjo është diktatura e pastër”, shkruan Helen Bratt për “Protothema”.

Ajo e konsideron këtë sjellje të Ramës si një grusht shteti, pasi në çdo vend demokratik kryeministri duhej të kishte dhënë dorëheqjen pas skandaleve me përgjimet që publikoi prestigjiozja gjermane BILD.

Artikulli i plotë

http://en.protothema.gr/edi-rama-pushing-albania-towards-civil-conflict/