PS e quan arritje, Patozi: Reforma në Drejtësi këto 3 vjet ka qënë vetëm stërvitje

Ndërsa mazhoranca e ka cilësuar arritje, për koordinatorin e Bindjes Demokratike Astrit Patozi këto tre vite për Reformën në Drejtësi ka qenë vetëm stërvitje për një shërbim, i cili sipas tij ende nuk është kryer.

Sipas Patozit, kjo nismë është vonuar në masë dhe se nuk ka vend për ta cilësuar si një moment festiv.

“Reforma në Drejtësi nuk ka nevojë, as ta qash, dhe as të ngresh dolli shqiptarçe për të, duke pasur parasysh gjithmonë “armikun”, që është duke plasur nga marazi për ata që kanë festë.

Mjafton që ajo të fillojë një ditë nga puna, se këto tre vjet kanë qenë vetëm stërvitje për një shërbim, i cili ende nuk është kryer.

Prandaj na i kurseni, po mundët, si mallkimet, ashtu edhe gotat e shampanjës për një ngjarje, që ende nuk ka ndodhur, por është vonuar jashtëzakonisht me kontributin e të gjithëve!

Uroj që vitin e ardhshëm askush të mos kujtohet për 4-vjetorin e 22 korrikut të votës në parlament. Do të ishte prova më e qartë se subjektet e reformës janë duke u marrë me halle më të mëdha se përkujtimoret”, shkruan Patozi në reagimin e tij.