Pse Borchardt tregoi gishtin e mesit në Shqipëri? Ristani: I shkon veprimeve të kryeministrit

Ish-Sekretari i Partisë Demokratike, Arben Ristani në studion e Real Story ka komentuar gjestin e Ambasadorit të  OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili ka ngritur gishtin e mesit pas thirrjeve  ‘Rama ik’ të protestuesve të Unazës së Re.

Për Ristanin një veprim i tillë vjen pasi në vend ligji nuk respektohet, madje sipas Ristanit veprimi i ambasadorit i shkon veprimeve të kryeministrit.

“Pse Borchardt tregoi gishtin e mesit në Shqipëri? Për mua ambasadori bën veprime të tilla, sepse i shkon veprimeve të kryeministrit. Te ne nuk mjafton të ashpërsohet kodi penal. Këtu tek ne s’ka respekt për publikun, ligjin edhe në një frymë të tillë vepron ai. Le t’ua bënte jelekverdhëve në Francë. Këtu qytetarët bërtitën Rama ik ai vete u ngre gishtin. Veprim jo qytetar dhe i dënueshëm”-tha Ristani.