All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Pse dhuna e policisë së Lleshajt është e pashmangshme

Pse dhuna e policisë së Lleshajt është e pashmangshme
All - Paragraf - 1

Fitim Zekthi

All - Paragraf - 3

Deri më sot bota ka parë se vetëm kur policia ndjek kriminelët apo terroristët, i rrethon ata në banesa, shtëpi, godina etj., ajo përdor gaz lotsjellës. Edhe këto raste janë të pakta por gjithsesi ka.

Policia shqiptare, herët në mëngjes, pa zbardhur mirë, dërgoi forca të shumta për të mbështetur prishjen e disa banesave te zona e quajtur Bregu i Lumit. Siç dihet prishja e banesave po bëhet për shkak se aty do të kalojë Bulevardi i ri. Banorët kundërshtojnë pasi shtëpitë po u prishen pa i kompensuar.

Protestës së banorëve për të mbrojtur banesat e tyre policia iu përgjigj me dhunë. Ajo përdori, veç goditjeve ndaj banorëve, edhe gazin lotsjellës. Gazi lotsjellës u hodh në mes të lagjes, në oborret e shtëpive dhe, sigurisht, hyri brenda shtëpive.

Këto sjellje nuk kanë asnjë emër veç poshtërsisë dhe, kushdo që do t'i shikonte në televizor, do të mendonte se pamjet vijnë nga Gaza ose Bregu Perëndimor, ku ushtria izraelite po kërkon ndonjë luftëtar të Hamasit të fshehur në shtëpi, ose nga Lahore apo Karaçi, ku ushtria pakistaneze po kërkonte ndonjë terrorist të fshehur, ose nga periferitë e Nju Jorkut, ku policia kishte rrethuar trafikantë droge etj.

Policia, parimisht, nuk është as e ministrit të Brendshëm dhe as e kryeministrit. Policia është e njerëzve. Parimisht, policia, duke qenë e njerëzve, ka për detyrë t'i mbrojë ata edhe nga ministri edhe nga kryeministri.

Ka disa kohë në Shqipëri, që kur ministria e Brendshme drejtohet nga ministri Sandër Lleshaj, që policia ka zgjedhur të luajë një rol krejt tjetër, një rol krejtësisht kundër parimeve themelore të të drejtës. Policia që drejtohet nga Sandër Lleshaj, në emër të ligjit, nën ngjyrën e tekstit të ligjit, në vend që të mbrojë popullin nga krimi, nga dhuna, nga korrupsioni, nga pushteti dhe abuzimi me të, ka nisur të mbrojë qeverinë nga populli, ka nisur të shohë popullin si problem, madje, si pengues apo si shkatërrues dhe dhunues.

Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Saimir Tahiri, mund të ketë patur problemet më të mëdha të botës (dhe i ka patur), por nuk e shihte popullin si armik nga i cili duhet të mbrohej qeveria ose një pjesë e popullit. Ministria e drejtuar nga Fatmir Xhafaj mund të ketë patur gjithashtu shumë probleme (dhe i ka patur), por nuk e ka parë gjithashtu popullin si diçka që kërcënonte rendin, që kërcënonte paqen dhe nga i cili duhet të mbrohej një pjesë e popullit ose qeveria.

Edhe gjuha e ministrit Saimir Tahiri, e cila ka qenë shumë e egër me opozitën, dhe shumë politike, nuk ka qenë një gjuhë përçmuese për popullin, apo për qytetarë të ndryshëm që protestonin apo shpreheshin në një mënyrë të caktuar në publik. Padyshim, që edhe ministri Xhafaj, ndonëse shumë politik dhe shumë i ashpër në akuza ndaj opozitës, nuk ka qenë asnjëherë fyes për njerëzit dhe popullin.

Sa për një ilustrim, po sjellim diçka nga ajo që tha ministri Lleshaj në seancën e fundit në parlament. Ai u shpreh “…kam ndenjur me merakun e madh se mos ndonjë polic cënohet ose dëmtohet nga marrëzia e një proteste… sa kohë një grup njerëzish që për mua, janë një grup parapolitik, angazhon apo punëson qytetarë të verbër, të rinj, nganjëherë edhe minorenë që, dhe të maskuar ngrenë dorën dhe përsëri qëllojnë me kapsolla, gurë e mjete të tjera kundër Policisë së tyre, pa ditur se përse. Dhe në fund të herës përfundojnë ose në shtëpitë e tyre të mjera, ose në qelitë e paraburgimit.” Pra, shihet se ai i quan ata në protesta të verbër, të rinj, të maskuar, minorenë që qëllojnë me gurë dhe kapsolla dhe, që përfundojnë në 'shtëpitë e tyre të mjera' apo në paraburgim. Këtë gjuhë ndaj një pjese të popullit e përdorin vetëm regjimet autoritare.

Ministri Lleshaj, shihet, e ka hedhur policinë në një gropë në të cilën ajo e kupton ligjin dhe të drejtën në mënyrën më burokratike të mundshme, në mënyrën më tekstuale të mundshme dhe, për pasojë, në mënyrën më të pandershme dhe të padrejtë.

Të gjitha regjimet politike esktremiste e lexojnë ligjin në mënyrën që e lexon ministri Lleshaj, dhe të gjitha regjimet totalitare kanë nevojë vetëm për këtë lexim. Ky është lexim që prodhon domosdoshmërisht kërcënim dhe dhunë ose, ndoshta, nevoja që ka regjimi  për kërcënim dhe për dhunë sjell këtë lexim.

Ky lexim e bën policinë një organ që domosdoshmërisht do të jetë vetëm kundër popullit. Në qoftë se ligji do të lexohet tekstualisht, në qoftë se policia dhe ministri do të duan që të tregojnë se ata respektojnë ligjin, duke u fokusuar te gjetja e mënyrave si të neutralizojnë një protestë, si të neutrealizojnë popullin, si të dëshmojnë se ata kanë fuqi dhe aftësi, atëherë domosdoshmërisht që ata do ta shohin popullin si problem, si armik. Ishte kjo arsyeja pse Lleshaj dhe Rama nderuan me dekorata policen Ina Nuka që dëmtoi gishtin duke kapur kapsollën me dorë. Sipas tyre, ajo bëri një akt heroik duke luftuar me armikun që ishte populli, protestuesi.

Pas çdo proteste të opozitës, drejtori i Policisë, Ardi Veliu del demostrativisht dhe takon policët për t'i falenderuar. Për çfarë?, që luftuan me popullin, mbrojtën qeverinë nga populli.

Ministri Lleshaj po fut në polici frymën e një burokrati neutral ndaj parimeve dhe ndaj moralit të së drejtës. Kjo frymë dhe ky moral do të thotë se në qoftë se policisë i kërkohet të neutralizojë një turmë ose një protestë, ajo zbatin urdhrin dhe nuk i duhet fare nëse kanë apo jo të drejtë protestuesit, dhunon apo jo liritë e tyre kushtetuese prishja e pronave apo arrestimi i protestuesve.

Minsitri Lleshaj duket se përfaqëson atë kulturë politike që i sheh njerëzit në sistem si hallka të cilat duhet thjesht të kryejnë detyrën, të zbatojën urdhërin, të lexojnë literalisht germën e tekstit të ligjit apo urdhëresës dhe të jenë neutralë ndaj moralit dhe ndaj parimeve. Vetëm një lexim i tillë i ligjit tregon besnikëri ndaj eprorit, tregon madje zell ndaj tij.

Në regjimet totalitare, fashiste apo komuniste, njerëz të tillë kanë qenë me shumicë dhe regjime të tilla jetojnë përmes hallkave të tilla të cilat janë neutrale dhe të pandjeshme ndaj parimeve, të drejtës etj.

Hannah Arendt thotë se të tilla hallka përfaqësojnë në fakt 'banalitetin e së keqes'. Këto hallka në përgjithësi kanë dy cilësi. Ato nuk mendojnë vetë dhe nuk rrinë dot pa lider. Të gjithë oficerët nazistë të kampeve të përqëndrimit apo oficerë SS, të gjithë hetuesit komunistë, të gjithë njerëzit e aparatit të dhunës  në komunizëm dhe nazizëm janë hallka të tilla.

Dhuna e ushtruar ndaj banorëve të Bregut të Lumit dhe hedhja e gazit lotsjellës ndaj tyre është logjikë e hallkave të tilla dhe e banalitetit të të keqes.

Për të qëndruar të Arendt, ajo thotë se dhuna është arma e të dobëtit. Ata që nuk kanë pushtet të mjaftueshëm përpiqen të kontrollojnë apo të ndikojnë të tjerët me anë të dhunës. Por, dhuna nuk krijon pushtet, përkundrazi grupet apo individët që përdorin dhunën pakësojnë në këtë mënyrë pushtetin e tyre.

Këto grupe ose individë përpiqen të kompensojnë mungesën e perceptuar të pushtetit duke ushtruar dhunë. Kur qeveria përdor dhunë ajo e bën këtë sepse ndjen që ka pak pushtet ose ai po ikën. Qeveritë që qëndrojnë me dhunë ose i imponojnë vendimet me dhunë janë të dobëta. Diktatorët gjithnjë kanë patur nevojë për të ushtruar dhunë pë të kompensuar pafuqinë e tyre.

Sigurisht, dhuna që ushtroi policia tregon padyshim këtë pafuqi të ministrit Lleshaj dhe të qeverisë. Padyshim që ministri kërkon të kompensojë me dhunë të qenit i dobët dhe të qenit i perceptuar si i dobët.

Politiko.al

Të fundit