Flash News

KRYESORE

Pse e boton Politiko.al 'Pse nuk jam musliman?'

Pse e boton Politiko.al 'Pse nuk jam musliman?'

Së pari, sepse është një libër kontroversial (kundërthënës) që shkon kundër një pikëpamjeje apo ideje të ngulitur, se fetë janë tabu dhe të vësh në pikëpyetje çështje të besimit, apo 'qeverisjen nga Zoti', është blasfemi.

Së dyti, sepse zgjon kureshtje: Çfarë fshihet pas dogmës fetare; kush janë ata që e kundërshtojnë, apo rrëzojnë atë; dhe, nga cilat baza nisen?

Së treti, sepse në botën e sotme, është e qartë dhe thuajse e përditëshme kjo, ka një rritje të dogmatizmit: Qoftë ky si ideologji e kombit, apo si dogmë e fesë. I shohim trajtat e kësaj te rritja  e partive nacionaliste e populiste në Francë, Holandë, Austri e tjetërkund, apo dhe në sulmet e pareshtura me sfond fetar (apo të paktën me këtë pretendim) në Paris, Bruksel, Londër, e tjetërkund.

Së katërti, sepse ta shohësh një ide, ideologji apo dogmë të dekonstruktuar (ashtu siç kemi parë ose dëgjuar që ajo të konstruktohet) është një kënaqësi intelektuale. Njeri don me ditë dhe me mendu. Me anë të kundërshtimit, sidomos.

Së pesti, sepse, jo për paritet, por për kuriozitet, ne do të botojmë edhe 'Pse nuk jam i krishterë'. Edhe pse nuk jemi afetarë apo ateistë (e kundërta), jemi të hapur ndaj këtij debati e ndaj çdo debati. Sepse është mirë që, i shkreti njeri!, me anë të njohjes ta marrë vendimin dhe të zgjedhë idenë, fenë, vendin apo dashurinë. Feja, mendojmë ne, nuk transmetohet seksualisht.

Të fundit