Flash News

OP-ED

Pse e linçuan Kosta Grillon?

Pse e linçuan Kosta Grillon?

Rahim Ombashi

Emri Kostandin (Konstandin) më shpie thellë në mote të shkuar, kur u legalizua besimi monotheist dhe besimtari doli nga shpellat e iu fut ngritjes së tempujve mbi tokë. Mbiemri Grillo më kujton jo pak në kulturën shqiptare, në komunikim dhe në hedonistikën e kulturuar. Nuk e njoh personalisht Kostandin Grillon, gazetarin sportiv të RTSH-së, por vatërzimi populist mbi shenjën Grillo, që i jep dinjitet e individualitet, më shqetëson, madje më bën të ndiej keqardhje të thellë.

Lajmësi nuk preket, thuhet në Kanunin e Maleve, sepse ndryshe mbyllej e rreshtte komunikimi, biseda me tjetrin si nevojë humane. Porosia ishte kod i maleve tona, atje ku jetoi më gjatë ligji i lashtë, me të cilin organizoheshim, për të mos qenë të ngujuar, në amulli, në shekuj, dhe njëherazi për të mos e tepëruar të drejtën, që të bën të padrejtë.

Edhe kur shteti i ri shqiptar miratoi Kodin Civil, në mendësinë tonë vijonte të ishte gjallë porosia e lashtë, që nuk na shërbeu e nuk na mbrojti pak. Duke qenë profesionist dhe qytetar njëkohësisht, gazetari Grillo përcolli një të vërtetë të madhe, për të cilën po e paragjykojnë, madje dëshirojnë ta fyejnë, ta pushojnë nga puna, pra ta linçojnë.

Është në të drejtën e gazetarit sportiv të ketë simpatinë e vet, aq më tepër që kjo simpati i ka rrënjët thellë në vite. Kur ishim të ngujuar, aq pak informacione sportive që arrinim të merrnim, kryesisht i kemi realizuar nëpërmjet televizioneve dhe më pak radiove nga ish-Jugosllavia (stacionet televizive italiane shiheshin vetëm në verë, madje vetëm kur ishte moti i hapur, kurse ato greke pothuajse nuk kishin valë në Shqipëri). Televizonet e Titogradit, Prishtinës, Shkupit e më pak Zagrebit kishin emisione argëtuese edhe në shqip, prej nga hynim në botën e madhe dhe ajo lloj drite na ndriçoi për mos u qorruar përfundimisht. Nga ajo kohë na kanë mbetur edhe ato terma sportive, që lidhin jo pak prej nesh me simpati për ekipe sportive apo të tjera. Duke mos e tharë shpirtin, nuk u zhgënjyem. Greqia “monarko-fashiste” strehoi qindra-mijëra emigrantë shqiptarë, e kështu Italia, Gjermania, Anglia, superfuqia Amerikë. Të vajturit e paftuar në botë nuk dinin as të hapnin kanaçet e Coca-Cola-s, por morën me vete emrat e sportistëve, të disa artistëve, si për të treguar se nuk kishin ardhur nga Hadi, edhe pse nuk kishin lidhje gjaku me Orfeun e mitit grek.

Dy golat e futbollistëve zvicerianë e kanë kënaqur, pa diskutim, edhe shqiptarin me themel e profesionistin Grillo, ndaj nuk ka pse të shkruhet sa për qokë: “Fitorja e Zvicrës kundër Serbisë me dy gola të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, nuk ka kaluar pa ngacmime edhe për komentatorin e RTSH-së, Kostandin Grillon.”

Më poshte sqarohet se Grillo deklaroi pak ditë më parë se ishte tifoz i Serbisë në këtë Botëror, madje sipas njoftimit simpatia sportive e gazetarit shkaktoi reagime të ashpra në Prishtinë dhe Tiranë, a thua se dy qendrat shqiptare nuk kanë punë më të rëndësishme se vlerësimi i tifozllëkut.

Më pëlqen dhe e dëshiroj që prezantuesja e njohur kosovare, Genta Cana, e cila i ka dërguar mesazhin publik në rrjetet sociale gazetarit: “Kostandin Grillo mos u mërzit amon për Serbinë, ju ka kon keq”, lipset ta mësojë se profesionistët e kulturuar si Kostandin Grilloja nuk janë  болельщик  (tifoz, rusisht, do të thotë i sëmurë), por pasionantë objektivë e mbi të gjitha të përplotësuar në vetvete, të individualizuar skajshmërisht dhe pa nevojën e turmës.

Me qëndrimin profesional Kostandin Grilloja dëshmon se ka turp të mos jetë i sinqertë me ndjekësit e tij në TV, apo ata audivë, ndaj nuk e evokon të shkuarën e sheqerosur, që helmon. Për profesionistin me skrupuj etikë, komunikimi masiv ka funksion themelor mbajtjen e pishtarit moral, funksion për të cilin Mithat Frashëri gazetarinë e quan predikim.

*Autori është Dekan i Fakultetit te Shkencave Humane-Universiteti Beder

 

Të fundit