Flash News

KRYESORE

Pse e përshëndeti Rama Fatos Nanon, të 'degdisurin e madh' të Rilindjes?

Pse e përshëndeti Rama Fatos Nanon, të 'degdisurin e

Politiko.al

Dëshmitarët e ngjarjeve në 'oborrin socialist', tregojnë se Edi Rama, në kohën kur në korridoret e fuqisë të së majtës kish marrë dhenë armiqësia dhe lufta për pushtet të brendshëm mes Ilir Metës dhe Fatos Nanos, herë i shkelte syrin njërit, e herë tjetrit.

Kështu, pasi kish deklaruar 'aleancën me Metën' dhe etiketonte Nanon si 'Robert Çamçakëzin që sillej nëpër ndërmarrje', Rama nuk u skuq megjithatë, kur në mes të 'luftës', me dyshimin se peshorja e fitores mund të anonte nga kryetari i PS së asokohe, të shfaqej në një spital të Athinës me një tufë me lule për Fatosin.

Megjithë buzëqeshjen e tij të inskenuar, një shpërvjelje buze në të majtë.

Një mimikë që të kujton një nënqeshje më shumë se një buzëqeshje. Një grimasë që mund ta keni hasur te filmi 'Dragoi i kuq' ku Ralph Fiennes luan psikiatrin vrasës Hanibal Lecter. Një stërmundim për të dhënë shenjën e një vuajtjeje dhe gëzimi bashkë. Një mjedis i midistë i dy gjendjeve.

Edi Rama i ka çuar 'fal'me'shnet' sot Fatos Nanos, të 'degdisurit luksoz' të së majtës, kryetarit që u tërhoq demokratikisht pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2005, duke i lënë radhën atij që vetë e kish ftuar dhe futur në politikën e lartë të PS, në vitin 1998, kur e bëri Ministër Kulture.

Rama u bë, pas ikjes së Nanos në vitin 2005, dhe ngulmimit të tij më vonë për të marrë postin, tashmë honorifik të Presidentit, pengesa më e madhe për dëshirën e ish-shefit.

Ajo e falë që i ka çuar sot televizivisht ish-kryetarit të PS, mund të ketë qenë megjithatë një shkelje syri e dy të majtëve, bij të të njëjtëve rrathë të Shqipërisë komuniste, të familjeve satelite të Bllokut enverist.

Rama e ka salutuar prej larg të ngjashmin ideologjik duke i thënë: Atë që s'e bëre ti (nxjerrjen jashtë loje të PD), po e bëj unë më duket. Por, prapë, fitorja është e jona, Fatos!

Raportimet mediatike kanë pasqyruar një aktivizim të Nanos pas krizës politike në vend, në favor të socialistëve. Ai ka takuar kryetarin e PAA Agron Duka, një ministër në qeverinë e tij, duke i kërkuar, sipas burimeve mediatike, që të braktisë opozitën e Bashës dhe të futet në zgjedhje.

Për të legjitimuar kështu një proces-farsë të 18 qershorit.

Të fundit