Flash News

KRYESORE

Pse ‘e uli veten’ Rama duke shkuar në ‘Opinion’ si panelist, dhe debati banal me deputetin

Pse ‘e uli veten’ Rama duke shkuar në ‘Opinion’ si

Kryeministri Rama është shfaqur mbrëmë, për herë të pare, si panelist në emisionin ‘Opinion’. Ndryshe nga ‘tradita’ e kryeministrave ose kryetarëve të opozitës, të cilët i lejojnë vetes vetëm një intervistë kokë më kokë me drejtuesin e emisionit ose, në një rast të dytë, një panel gazetarësh përballë, por gjithmonë si ‘garniturë’ e tyre.

Mbrëmë në ‘Opinion’ Kryeministri u bë pjesë e ‘garniturës’.

Kjo shfaqje e Ramës si panelist në një talk show shumë të ndjekur politik, në fashën prime time, nuk mund të qortohet. Madje mund të konsiderohet si lëvizje e dikujt që e njeh mirë komunikimin.

Ka dy arsye sipas vëzhgimit të Politiko.al se pse Rama vendosi të shfaqej si ‘i ftuar i thjeshtë’ në Opinion. E para lidhet me faktin se atij i duhej, në rolin e kryetarit të qeverisë, të neutralizonte kreditet e fituara në emër të opozitës nga deputeti Agron Shehaj, një biznesmen i suksesshëm. Rama e di që Shehaj nuk mund të akuzohet për tenndera, koncensione, evazion, e të tjera, ndryshe nga një pjesë e mirë e biznesmenëve shqiptarë, gjë që e bën mesazhin e deputetit të PD të besueshëm në publik. Gjatë javës që shkoi, duke dhuruar rrogën e deputetit, deri në fund të mandatit, për 6 vajzat jetime Shehaj u bë ‘njeriu i javës’ në rrjetet sociale.

Kjo i shtoi kredite profilit të tij, por edhe partisë që ai përfaqëson. Rama nuk mund të lejonte që kundërshtari politik t’i zhbënte mesazhin kryesor gjatë viteve të fundit ‘ne nuk jemi njëlloj’.  Duke ia përmbysur, por edhe duke ndërtuar projeksion të ri në publik me aktin e bamirësisë për jetimët. Projeksioni i ri lexon kështu: këta nuk janë njëlloj, sepse deputeti i PD jep rrogën, ndërsa deputeti i PS, ish-këshilltar i Kryeministrit u merr shqiptarëve një rrogë mesatare duke u hequr si i pastrehë (rasti Velaj).

Së dyti, Rama nuk mund të gabonte në imazh publik duke mos luajtur, në emër të qeverisë që përfaqëson, ‘rolin e babait’ apo të të ‘zotit të shtëpisë’. Sidmos në një çështje si varfëria, e cila është e prekshme si realitet, por edhe lehtësisht e manipulueshme si retorikë.

Kryeministri nuk gaboi në komunikim as kur e zhvendosi debatin me deputetin Shehaj nga varfëria dhe ndërprerja e ndihmës ekonomike te niveli i batutës (kazan) duke përmendur nevojën e psikologes. Rama kërkon që të mirën e bamirësisë ta përmbysë me anë të ligësisë së batutës nëpërmjet interpretimit ‘e keqja udhëton shumë më shpejt se e mira’.

Çuditërisht, Shehaj që përveç deputet dhe biznesmen mbante veshur në Opinion edhe ‘xhaketën’ e bamirësit i tha Kryeministrit ‘nuk është bamirësia zgjidhja për varfërinë’.

Kryeministri mendon ndryshe, si përherë: Zgjidhja është batuta.

Për sa kohë? është pyetja.

Të fundit