Flash News

KRYESORE

Pse Edi i urren horrat dhe Luli i don shumë

Pse Edi i urren horrat dhe Luli i don shumë

Alfred Lela

Kryeministri ka pasë një parabolë të parapëlqyer, kur ishte shef opozite, për qytetin e Gjergj Kastriotit. "Atë që ju i bëtë ju Krujës, nuk ia ka bërë as sulltan Murati', i drejtohej ai një 'pushtuesi' imagjinar, por që merrte shenjë në kryet prej doxhi venedikas të Sali Berishës.

Pesë vjet më vonë, pasi ai mori edhe Krujën nëpërmjet 'dorëzanisë politike' të 1 milion shuplakave, çfarë ka ndryshuar në kryqendrën e dikurshme të Arbërisë? Fabrikat e çimentos dhe furrat gomëdjegëse të gëlqeres a vazhdojnë të jenë aty? A e ndosin sërish ato mjedisin e kësaj zone kaq të bukur, ku fillojnë barrierat malore që ndajnë Veriun nga pjesa qendrore e Shqipërisë? A u mboll kanabis apo pisha (për të mbuluar kafshimet e babëzisë që la pas administrimi laisezz faire i qeverisë pararendëse)?

Kruja ka shumë histori për t'i treguar Shqipërisë, dhe jo vetëm ato të lashtat me Albanopolin, vendbanimin e fisit që i dha emrin shqiptarëve; vashat krutane që u hodhën nga shkëmbi i Vajës për t'u shpëtuar osmanëve; epopenë e Skënderbeut dhe qëndresës së tij; Pashko Gjeçin që përkthente Danten kur kthehej nga turni i internimit në Fabrikën e Çimentos në një kthinë dritëpakë në Fushë-Krujë; Mustafa Merlikën, filologun, shpallës të Pavarësisë dhe kryeministër të Shqipërisë gjatë pushtimit italo-gjerman etj. (Për këtë të fundit komunistët kanë në majë të gjuhës vetëm cilësorin 'kolaboracionist').

Kruja nuk i prodhon më burrat si Mustafa Merlika, ose për të tillë nuk ka më vend në korridoret e politikës shqiptare. Imagjinoni, për shembull, një gjuhëtar shijehollë si Merlika në vend të kryetarit të tanishëm të bashkisë së Krujës, të zgjedhurit të Ramës.

I cili nuk është horr, sepse Edi Rama i urren horrat.

E tha këtë kur reagoi disa ditë pas një skandali ku denoncohen si të përfshirë dy deputetë dhe i njëjti kryetar Bashkie, të zgjedhur me dorën e tij e cila komandohet nga një zemër dhe kokë që shkulmon në urrejtje për horrat.

Të tillë si Emiljano Nuhu dhe Xhisiela Maloku, horra të horrave, që kanë ushtruar dhunë, presion, kërcënime ndaj tre funksionarëve të lartë socialistë dhe një grupi të pafajshmish, që u munduan t'ua nxirrnin nga duart në rajonin e policisë së Fushë-Krujës.

Xhisiela, një Nikitë e vërtetë trillerash policeskë, ishte treguar horre edhe në rajonet e Durrësit e Tiranës ku kishte shkuar për të bërë presion, që djali i deputeti të Krujës të tërhiqte denoncimin ndaj saj. Në Fushë-Krujë ajo u ndihmua edhe prej njeriut të krimit në polici, nënkomisarit Emiljano Nuhu.

Dyshimet janë se Nuhu dhe Maloku (shihi mbiemrin 'alpin' kësaj për të kuptuar masën e pandalshme të horrësisë) veprojnë në koncert me Lul Bashën, njeri i lidhur me bandat, dhe sidomos me kreun e një prej familjeve të mëdha mafioze, il Padrinon e mafias, të ashtuqujturin 'Kunati'.

I tillë është parapëlqimi i Lulit për elementët kriminalë, sa la dy zona bosh gjatë zgjedhjeve të shkuara lokale, Laçin e Këlcyrën, vetëm se në këto qytete nuk gjente dot elementë të inkriminuar për t'u besuar kandidimin nën siglën e PD.

Luli i don horrat kurse Edi i urren.

Për këtë Edi kërkon vetting në politikë ndërsa Luli thotë 'kurrën e kurrës!'.

Ka frikë për 'Kunatin, Xhisielën, Nuhun, Zaganin dhe për përfshirjen në trafik idesh të deputetit të tij Romeo Gurakuqi.

Të fundit