Flash News

KRYESORE

Pse fobia ndaj Soros është një fenomen global

Pse fobia ndaj Soros është një fenomen global

Joshua Keating/ SLATE Magazine

Teoricienët e konspiracioneve sugjeruan këtë javë se adoleshentët e Florida-s, të tubuar për të kërkuar shtimin e masave për kontrollin e armëve, pasi i mbijetuan të shtënave të javës së kaluar, po manipulohen nga donatori miliarder George Soros. Kjo çmenduri nuk duhet të na habisë. 

Soros ka qenë një gogol për të djathtën amerikane që nga vitet 1990, dhe u bë edhe më i njohur nga fundi i viteve 2000, kur u kthye në objektivin e preferuar të “Fox News”, veçanërisht nga Bill O'Reilly dhe Glenn Beck. Së fundmi, Soros u akuzua për mbështetjen finaciare të lëvizjeve,  përfshirë “Black Lives Matter” dhe “Women’s March”. Është e vërtetë që Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Sorosit kanë financuar një numër grupesh liberale në SHBA, disa prej të cilave ishin të përfshirë në këto protesta, por kjo është shumë ndryshe nga fakti - siç pretendojnë disa, se ai i planifikon këto protesta ose paguan njerëz për të marrë pjesë në to. 

Edhe Colin Kaepernick është akuzuar se është një produkt i Sorosit. Kandidati për Senat në shtetin e Alabama-s, Roy Moore, gjatë zgjedhjeve speciale të dhjetorit të kaluar, e akuzoi Sorosin se premtonte një axhendë "seksuale" liberale, duke shtuar se kultura e tij nuk është "kultura jonë amerikane. Soros vjen nga një botë tjetër me të cilën unë nuk identifikohem." Ai shtoi se hebreu Soros "po ecën në të njëjtin drejtim që marrin njerëzit të cilët nuk e njohin Perëndinë dhe moralin dhe nuk e pranojnë shpëtimin e tij.”

Por amerikanët mund të mos jenë të vetëdijshëm se Soros-fobia është një fenomen global. Soros ka qenë target i qeverisë dhe medias ruse që nga mesi i viteve 2000, kur ai u akuzua për nxitjen e "revolucioneve me ngjyrë" që rrëzuan qeveritë proruse në Gjeorgji dhe Ukrainë. Fondacioni i Sorosit, i lindur në Hungari, ka financuar grupet e shoqërisë civile në një numër vendesh ish komuniste, duke përfshirë disa që kishin marrë pjesë në këto revolucione, por kjo nuk do të thotë se ndjenjat që cysnin këto lëvizje nuk ishin të vërteta. Po të kthehemi në ditët kur Republikanët e përshkruan Rusinë si kërcënimin më të madh gjeopolitik të Amerikës, dhe Demokratët ishin të dyshimtë ndaj këtij nocioni, duket ironike që e djathta amerikane dhe Putinistët ndajnë të njëjtin fiksim për Sorosin. Në epokën Trump, marrëdhënia mes Konservatorëve dhe rusëve është, le të themi, pak më e zymtë dhe Soros-fobia e viteve të fundit, duket si një paralajmërues i mbërritjes së politikave të stilit të Putinit në skenën politike amerikane.

Këto kohë duket sikur Soros-fobia është gjithandej. Mbështetja e tij për një grup që kërkonte të mbante Britaninë në BE, shkaktoi polemika midis mbështetësve të Brexit. Pakistani kohët e fundit urdhëroi mbylljen e zyrës lokale të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, pa dhënë shpjegime.

Soros-fobia nuk e ka dominuar askund debatin politik sa në Hungari, vendin e tij të lindjes.  Kohët e fundit Emily Tamkin shkruante për Foreign Policy se atje "Sorosi, miti, fantazma, ylli i çdo komploti, duket më i madh se kurrë." Udhëheqësi gjithnjë e më autoritar i krahut të djathtë, Viktor Orban, nisi një fushatë vitin e kaluar duke akuzuar Sorosin për orkestrimin e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve dhe emigrantëve në Hungari. (Megjithsë reklamat nuk e përmendin hebraizmin e Sorosit, shumë nga posterat janë dëmtuar me skica dhe grafit anti-semitë). Orban gjithashtu ka mbështetur legjislacionin e njohur si ‘ligji i Ndalimit të Soros’, që synon mbylljen e Universitetit të Evropës Qendrore të themeluar nga Sorosi dhe, së fundmi, shënjestrimi i çdo organizate joqeveritare që përkrah emigracionin e paligjshëm.

Soros është një ‘kurban’ për një qeveri që është dënuar si brenda dhe jashtë vendit për politikën e saj anti-emigrante dhe sabotimin e sundimit të ligjit, prandaj është e pakëndshme të shohësh britaniken Telegraph-in duke përmendur fushatën e qeverisë hungareze në një Editorial që dënonte aktivitetet anti-Brexit të Sorosit. Duke përmendur gjithashtu faktin se Rusia dhe Uzbekistani i ndaluan Fondacionet e e Shoqerisë së Hapur si dëshmi kundër Soros.

Shkrimi i The Telegraph të kujton një letër të dërguar vitin e kaluar nga gjashtë senatorë amerikanë të udhëhequr nga republikani Mike Lee, që i kërkoin Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, të hetonte pretendimet në mediat shtetërore maqedonase se, Soros dhe Departamenti i Shtetit të SHBA kishin punuar së bashku për të sabotuar qeveritë dhe për të promovuar kauzat e krahut të majtë në Maqedoni dhe Shqipëri.

Duke pasur parasysh nuancat jo aq delikate  anti-hebraike në pjesën më të madhe të aktivizmit anti-Soros, është alarmante ta shohëhsh të përqafuar në mënyrë entuziaste edhe nga qeveria aktuale e Izraelit. E djathta izraelite e kritikon Sorosin prej disa kohësh për mbështetjen që i jep grupit liberal të paqes ‘J Street’ dhe organizatave ‘Amnesty International’ dhe ‘Human Rights Ëatch’, që kritikojnë rregullisht politikat izraelite. Kohët e fundit, Netanyahu ka akuzuar Sorosin se kishte qenë pas fushatës kundër planit kontradiktor të qeverisë së tij për të deportuar emigrantët afrikanë. Djali i kryeministrit Yair, shpërndau një meme anti-çifute që sugjeronte se Sorosi fshihej pas akuzave të vazhdueshme për korrupsion të familjes Netanyahu. Ish Prijësi i KKK, David Duke dhe uebsajti neo-nazist “Daily Stormer”,  miratuan sulmin e Yair-it ndaj 87-vjeçarit të mbijetuar të Holokaustit.

Nocioni se Soros promovon axhendën e tij politike anembanë botës nuk është saktësisht i gabuar. Ai ka dhënë para për kandidatët në SHBA dhe ka ofruar mbështetje për grupet që kundërshtojnë politikat e qeverisë në vende të tjera. Ai e përshkruan atë që po promovon si liberalizëm dhe vlera demokratike me 'd' të vogël, më shumë se sa një axhendë të veçantë politike, por në ditët e sotme, këto vlera nuk janë aspak të pakontestueshme. Por ai është relativisht transparent në lidhje me aktivitetet e tij në kontrast me armiqtë e tij kryesorë, dhe sulmet ndaj tij shpesh duken më pak të motivuara nga ajo që ai ka bërë, se sa nga ajo që ai përfaqëson.

Soros është një objektiv i lehtë, dhe jo vetëm ngaqë ai është një hebre i pasur me besime politike liberale. Me lidhjet në botën e Financës ("njeriu që gjunjëzoi Bankën e Anglisë" ai kishte një karrierë të diskutueshme si spekulator i valutës), intelektualizmin e tij (Fondacioni i Shoqërisë së Hapur është emëruar pas veprës më të njohur të heroit të tij, filozofit Karl Popper), dhe me kozmopolitizmin , ai përmbush thuajse çdo kriter të cilin populistët aktualë autoritarianë të botës urrejnë.

Të fundit