Flash News

KRYESORE

Pse intelektualët shqiptarë e urrejnë liberalizmin?

Pse intelektualët shqiptarë e urrejnë liberalizmin?

Gentian Gaba

Pse intelektualët shqiptarë nuk e duan liberalizmin? Liberalizmi, edhe pas dështimit historik të diktaturës komuniste, gëzon pak simpati kulturore nga ana e intelektualëve. Këta të fundit e urrejnë kapitalizmin, edhe pse qëndrojnë me pjatë në dorë te dera e biznesmenit të radhës; urrejnë demokracinë përfaqësuese, edhe pse për këtë shkruajnë dhe flasin çdo natë te Fevziu; urrejnë pronën private, edhe pse do të vdisnin për një vilë te “Rolling Hills”; urrejnë borgjezinë, edhe pse nga kjo shtresë kanë dalë. Me pak fjalë, gjithë ato institucione apo vlera që nuk janë të lidhura me liberalizmin, por që kanë krijuar kushtet e botës në të cilën jetojmë, dhe janë në qendër të lirive që ne gëzojmë, përçmohen në mënyrë latente nga të ashtuquajturit intelektualë.

Pra, midis intelektualëve dhe liberalizmit, ose midis intelektualëve dhe lirisë ka një papajtueshmëri që kulmon në një antipati që të parët kanë ndaj të dytës.

Liberalizmi është një qasje etiko-politike e epokës moderne dhe bashkohore, e cila përqendrohet në doktrina dhe praktika që i kundërvihen absolutizmit ose totalitarizmit, të themeluara kryesisht mbi principin që pushteti i Shtetit duhet të limitohet për të favorizuar lirinë e veprimit të individit. Ndoshta, pikërisht këtu kemi frakturën e parë midis intelektualëve dhe liberalizmit. Intelektualët e dashurojnë pushtetin ndërsa liberalizmi ka lindur pikërisht për ta limituar atë.

Për këtë adhurim ndaj fuqisë, intelektualët kanë zgjedhur të bëhen këshilltarë të pushtetit. Janë bërë gjithçka: filozofë të liderit të radhës, ministra, ideologë, propagandistë. Kanë bërë gjithçka përveç të vetmes gjë që duhet të bënin: të kritikonin pushtetin, cilido pushtet, edhe atë së vërtetës – dhe ta limitonin për të mbrojtur lirinë.

Intelektualët janë narcisë dhe kryelartë, besojnë se e vërteta është pronësi e tyre intelektuale dhe nëpërmjet këtij monopoli ndihen të autorizuar për të legjitimuar çfardo poshtërsie, sidomos gjatë pusit të zi të komunizmit shqiptar.

Fatkeqësia e këtyre 'pronarëve të së vërtetës', gjatë fluturimeve të tyre pindarike, është se poshtërsitë të tjerëve i konsiderojnë një kosto të pashmangshme për shndërrimin e të keqes në të mirë.

Pakti që i shtrëngon ata me pushtetin është një mjet për të vendosur diktaturën e intelektualëve, ëndrra e arbëreshit Gramshi, i cili tani gëzon edhe një hapësirë kulturore në kryeqytetin tonë, sikur të kishim nevojë për një tjetër provë të hegjemonisë kulturore majtiste, që po kërkon të instalohet këtu ku gërmadhat, materiale dhe morale, të komunizmit janë pjesë e jetës së përditëshme.

Intelektualët, kush më shumë dhe kush më pak, janë bij të marksizmit. Përpara marksizmit intelektualët nuk ekzistonin, njiheshin si studiues, dijetarë, njerëz të letrave, hulumutes. “Helmi” marksist që përkufizonte demokracinë, kapitalizmin, pronën private, tregun, si mashtrime të kulturës borgjeze, dhe lindja e kulturës së dyshimit mbi këto dije, i bëri intelektualët të ofrohen si pararoja të një operacioni që kërkon të sjellë të vërtetën në qytet.

Ndryshoni vitet, emrat, gazetat, portalet, artikujt, ndryshoni gjithçka që duhet ndryshuar dhe në fund do të zbuloni se intelektualët - që në fund të ditës janë profesorë, politikanë, gazetarë, sociologë – kanë vetbesimin se ka ardhur koha të na imponojnë për të mirën tonë të vërtetën, derjtësinë dhe barazinë.

Një integralizëm, ekstremizëm kulturor që i përshtatet kohës së rrjeteve sociale, ku vetë “shokët"  dhe “ndjekësit” virtualë me kryeneçësi idiote dhe moralizëm që vetëm bota e online të lejon, iu nënshtrohen profetëve dhe të vërtetave të tyre.

Ky mekanizëm djallëzor nënshtrimi duhet të na habisë për liritë që ende gëzojmë, pasi degradimi që po shënon shëndeti i jetës publike, edhe për meritë të intelektualëve, është i frikshëm.

Pas konsumimit të disa iluzioneve që ushqeu tranzicioni, të cilat janë fryt i opiumit ideologjik që ka damkosur këtë vend për dekada më radhë, duhet të guxojmë që të mos marrim për të mirëqenë këta bërës të opinionit, të cilët bashkë me liberalizmin urrejnë edhe lirinë tonë.

 

Të fundit