Flash News

OP-ED

Pse jam i djathtë

Pse jam i djathtë

Shkelqim Çela

Nuk kam asnjë arsye gjenealogjike të jem i djathtë, familja ime nuk ka qene nga sua bejlerësh. Nuk ka qenë as “pacake”, për fat. Gjyshi im nga nëna ka qenë gjeometër, Riza efendiu, ka patur edhe shërbëtorë, madje edhe toka në Myzeqe (Radostinë), por kishte të atillë qasje ndaj jetës, saqë i biri (daja im) u bë komunist qysh në fillim të 42-shit dhe u vra në Jugosllavi – eshtrat i ka tek varrezat e Dëshmoreve të Kombit. Idealist. I pastër. Si shumë e shumë edhe pasunarë, edhe intelektuale – nuk ka patur shpëtim asnjë brez prej idealizmit. Por nuk dua të bëj biografinë, megjithëse unë vij nga një gjeneratë biografishë, të cilat kur ishin të mira fillonin me “rrjedh nga një familje fshatar i varfër”. Dua thjesht të them se nuk kam gjak blu, as qypa floriri të fshehur nga familja, dhe gjasat për të qenë “i majtë”, janë sa një gamilje. Por me kohë pashë se njerëzit bëjnë një gabim të madh, shohin pemën dhe jo pyllin, individin dhe jo bashkësinë. Mbase shkenca e statistikës më mësoi të gjykoj mbi popullata. Popullata është njësia vepruese nga çasti që pranojmë se njeriu është qenie shoqërore.

Studimi i bashkësive më bëri të kuptoj se këto shpesh sillen në një mënyrë krejt të ndryshme nga individët përbërës. Se për bashkësinë rëndësi themelore ka një vektor i padukshëm i individit, e pikërisht aftësia e tij për ndërveprim ndërtues me individët e tjerë të bashkësisë. Pa këtë aftësi, mund të kesh një grup gjeninjsh individualisht, të cilët krijojnë një grup më të dobët se sa mediokrit e përbashkuar (me një dëshirë, me një qëllim) në një bashkëveprim ndërtues. Pak a shumë historia e Napoleonit me ushtarët francezë dhe mamelukët. Në çastin që gjykojmë mbi bashkësitë, janë pikërisht indekset e kësaj, dhe sidomos kultura, që marrin rëndësi të dorës së parë. Fatet e një bashkësie jo rrallë janë të kundërt me fatin e një individi të dhënë. Mirëqenia e një shoqërie po ashtu. Kjo është racionale, por përcillet si e ftohtë, e pa zemër, jo njerëzore. Te gjykosh mbi fatin dhe të mirën e një bashkësie, detyrimisht të çon në vlerësimin e aspekteve që nxisin prodhimin (pikëmësëpari, e pastaj shpërndarjen, siç e do radha e punës) e të mirave materiale, dhe ky prodhim, sikundër çdo gjë tjetër në natyrë, duke filluar qysh nga ezimat dhe qendrat e tyre aktive, kryhet nga një pakicë e veçantë, nuk është çështje e shumicës! Është pikërisht kjo mbështetje e prodhimtarisë së mirëfilltë që përbën thelbin e anësisë të së djathtës, inklinimin e saj, prirjen.

Ky ishte një realizim me një thelb relevate hyjnore në formimin tim intelektual. Ka edhe plot elemente të tjera, sporadike, që mbase i komentojmë më vonë, por njëri lidhet me hipokrizinë e shumë të majtëve: në përgjithësi ata e predikojnë, por nuk e zbatojnë barazinë shpërndarëse. Majkëll Moori nuk ia jep milionat e tij banorëve të varfër të Bruklinit e Bronksit. Xhon Lennoni i madh nuk kishte fare pse te imagjinonte sikur nuk kishte pronësi në këtë botë. Kam jetuar dy blloqe larg shtëpisë së tij në ndërtesën Dakota në Upper West Side, e di sa kushton e ç’do me thënë ai vend, fare mirë mund të jepte gjithë ç’kish e të barazohej me gjindjen e Bronksit. Përkundrazi, “Imagine” ishte dhe vazhdon të jetë, për një ironi të bukur pa të cilat jeta s’do na jepej kaq “spicy”, një burim i pashterrshëm si “royalty”, çka përkon edhe me fjalën “mbretërore” (si për ta plotësuar qarkun e ironisë). Mos më përmendni fondet e charity-ve, sepse për temën në fjalë ato janë si padija: nuk bëjnë dot një argument.

*Autori eshte fitues i cmimit 'Kadare'

Të fundit