Flash News

KRYESORE

Pse LSI nuk e deshi kurrë Saimir Tahirin?

Pse LSI nuk e deshi kurrë Saimir Tahirin?

Nuk është hera e parë që Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon “kokën” e Saimir Tahirit. Marrëdhëniet e njeriut që cilësohej si krahu i djathtë i Edi Ramës, me ish-partnerin e socialistëve, Ilir Meta nuk kanë qenë kurrë të qeta, ndoshta vetëm në kohën kur Saimir Tahiri, asokohe ende i panjohur, dhe Monika Kryemadhi bënin së bashku fushatë në Kombinat për Edi Ramën për kryetar bashkie i Tiranës.

Gjatë katër viteve, 2013-2017, përplasjet mes Tahirit dhe Metës erdhën gjithmonë e duke u thelluar. Tahiri ishte i vetmi Ministër i cili në dikasterin që drejtonte nuk pranoi të përfshinte asnjë përfaqësues të LSI-së.

Kulmi i përplasjes Meta-Tahiri arriti në atë që quhet çështja “Doshi”. Edhe pse asokohe nuk e përmendi asnjherë publikisht, në rrethet e ngushta Meta akuzonte Saimir Tahirin si personin që, me bekimin edhe të Edi Ramës, inskenoi gjithë ngjarjen me qëllim dëmtimin e tij.

Pas kësaj, duket se raportet mes tyre patën një lloj ngrirjeje, ndërsa shpërthyen sërish në kohën kur Rama i kërkonte Metës “kokën” e Manjanit ndërsa kreu i LSI kërkoi si shpagim “kokën” e Tahirit. Kjo marrveshje nuk u arrit pasi Rama nuk pranoi ta lëshonte Ministrin e tij të Brendshëm.

Pas kësaj LSI nisi menjherë sulmin. Deputet të saj, Tavo, Koka nisën akuzat ndaj policisë, si të përlyer në trafikun e kanabisit. Akuzat vijuan derisa Rama vendosi largimin e Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.

Nisja e fushatës elektrale duket se ishte radha e Tahirit për revansh. Kreu i PS-së së Tiranës mori flamurin e sulmeve ndaj LSI-së ndërsa nuk mungonte as kundërpërgjigjja e këtyre të fundit të cilët e akuzonin ish-ministrin për kanabizimin e vendit.

Tashmë që Tahiri është në momentin më të vështirë të jetës së tij politike, LSI, tashmë me kryetare të re, ka rikthyer edhe një herë akuzat ndaj tij por këtë herë duke përfshirë edhe kryeminsitrin Edi Rama.

E ndërsa Ramën dhe Tahirin i ka futur në “rreth të kuq”, LSI duket se vijon ende të jetë në koalicion me kryebashkiakun Erion Veliaj, ‘rivalin’ e Tahirit. Në fushatën e fundit elektorale, Veliaj u kujdes të mos thoshte asnjë fjalë për ish-aleatin e socialistëve ndërsa edhe pse kanë kaluar disa muaj përfaqësuesit e LSI-së vijojë të jenë pjesë e administratës së bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër LSI vijon të miratojë në këshillin Bashkiak propozimet që vijnë nga Veliaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit