Flash News

KRYESORE

Pse me raportin e Freedom House po merret vetëm LSI dhe Presidenca?

Pse me raportin e Freedom House po merret vetëm LSI dhe Presidenca?

Alfred Lela

Si kurrë më parë pas publikimit të një raporti ndërkombëtar, blloqet e mëdha politike, PS dhe PD, kanë heshtur. Forca e tretë në vend, e cila ka mundur të arrijë deri në Presidencë, me ish-kryetarin e saj, Ilir Metën, ka qenë e vetmja në pozicion reaktiv dhe me patosin që dikur karakterizonte partitë e mëdha.

Arsyeja është e qartë. Raporti i Freedom House e pëmend me emër z. Meta si politikan i cili 'gëzon' perceptimn e të korruptuarit në opinionin publik. I zyrës së Presidentit ka qenë edhe reagimi i parë dhe më i fortë ndaj raportit të FH duke e 'demontuar' atë si të njëanshëm. Më tej, një reagim i ish-kryetarit tranzitor të LSI, Petrit Vasili, i cili nuk ka folur për etiketimet ndaj kreut të shtetit dhe ish-shefit të tij, por për mosnjohje të zgjedhjeve nga LSI, ndryshe nga sa pretendon raporti.

Këshilltarët e Presidentit e kanë vijuar me statuse në rrjetet sociale mosdakordësinë me rezultatet e raportit të organizatës amerikane, mbështetur edhe nga media që njihen si pranë LSI dhe z. Meta. Në këtë prizëm, në atë të prekjes së 'të paprekshmit' në LSI, duhet kuptuar edhe reagimi i forcës së tretë në vend.

Sa i takon dy partive të tjera të mëdha, heshtja mund të jetë taktika e llojit 'i heq shansin kundërshtarit për të folur për të metat e mia, duke mos folur për të tijat'. (Në rastin e PD vlen edhe argumenti se hapja e një hullie të re në diskurin publik mund ta paralizonte temën kryesore të javës së shkuar dhe kësaj vijueses që është taksa për Rrugën e Kombit dhe të gjitha aksionet që kanë rrjedhur prej saj). Raporti është në fakt i mbushur me shkelje qeveritare dhe heshtja e PD e ka natyrën e habisë. Dy prej tyre mund të ishin vënë  në ballë të deklaratave të opozitës dhe janë konstatime, apo fakte, që janë elaboruar prej saj me forcë në kursin e muajve të shkuar.

I pari është emri dhe çështja e Saimir Tahirit dhe, e dyta, emërimi në 'kushte lufte' i Kryeprokurores së Përkohëshme të përgjithshme, Arta Marku. Në fakt, që nga tetori e këtej, betejat e mëdha ta opozitës janë ankoruar te gjiri i këtyre dy Termopileve. Të evidentuara në raport, ato flasin shumë për dy ngushtica të tjera ku është lidhur dhe mbajtur fort anija e Ramës së parë dhe të dytë: mplekja e qeverisë dhe qeveritarëve me elementin kriminal dhe përpjekja për të kapur sa më shumë pushtet jashtë ekzekutivit, me qëllim kontrollin kësisoj të të gjitha aulave bezdisëse të opozicionit në vend.

PD ka bërë megjithatë mirë që ka heshtur, nëse për një çast i ka shkuar ndërmend të fuste në punë fjalorin e margjinave, atë të gjurmëve të sorosiadës edhe te raporti i Fredom House. Siç i thonë një aksiome të komunikimit verbi i tepruar anulon çdo verb.

Raporti, sido që të jetë parë nga PD, PS dhe LSI, nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë. Jemi ende në ritmin 'një hap para, një prapa', pra në një vendnumero që na mban të lidhur pas huqesh të vjetra parapolitike dhe parademokratike.

Dy gjëra që mund të thuhen për raportin është se mbahet te drejtpërdrejtësia dhe te certifikimi. Thënë më shkoqur, si asnjëherë më parë, raporti identifikon politikanë konkretë dhe shkelje konkrete. Në anën tjetër, ai është si njëfare certifikate e gjërave të ditura publikisht, por duke marrë vulën e autor(ëve), raporterëve dhe ekspertëve që e kanë miratuar.

Fakti që autor është Blendi Kajsiu, një akademik i ri i cili i ka parë afilacionet e tij politike të shkojnë nga e djathta në të majtë; dhe duke qenë se është pedagog në një universitet të huaj është më pak i ndikuar nga 'paraja' dhe 'fjala' lokale, nuk i bën keq, por mirë raportit.

Të fundit