Flash News

KRYESORE

Pse në Kukës, mjetet e protestuesve, barrikadat dhe maskat, i kishte shteti?

Pse në Kukës, mjetet e protestuesve, barrikadat dhe maskat, i kishte

Alfred Lela

Kukësi, dhe protesta në periferi të qytetit të skajshëm verior, nuk solli gjë të re. Të paktën, jo në ndarjen e kampeve. I njëjti rreshtim u shfaq, edhe njëherë si përherë, në Tiranë dhe në Facebook. Secili tha të bardhën e vet për të zezën dhe të zezën e vet për të bardhën.

Çrreshtimi dhe rreshtimi nuk janë gjëra që ndodhin brenda një ditënate.

Kukësi nuk ndryshoi as Kryeministrin. Ai shfaqi verdhëzën e një trembjeje, duke lënë në mes edhe një tur (është e habitshme se si çdo herë ai zgjedh Vlorën për t'i bërë karshillëk Shqipërisë, duke u shfaqur bejlurçinë lokale dhe jo Kryeministër i vendit), dhe u kthye në Tiranë thuajse i penduar. Në atë pendesë kishte edhe një hakërrim, që e shoqëron përherë pasigurinë e të tremburit.

E diela ishte dita e mjaftueshme, me orë dhe idil Pashkësh, për të shelbuar frikën dhe për të vajisur pushkët e propagandës së anti-protestës. Të hënën, Kryeministri nxori 'trimat e parasë së madhe', të cilët rreshtuan arsyet se pse ishin me biznesin e madh dhe jo me njeriun e vogël.

Ditëve në vijim do të shihni ekspozime të tjera të përpjekjes së përhershme dhe të patrazuar të qeverisë për të dalë nga hendeku ku e hedhin gjestet dhe huqet e veta, me anë të shashkave, mjegullës dhe fabrikimit të përshtypjes se Shqipërisë i shkojnë punët paq dhe, gjithë ata që thonë të kundërtën janë qafira që nuk e kuptojnë politikën hallall të Rilindjes.

Me të njëjtin rreshtim mediatik dhe të njëjtin Kryeministër, Kukësi i dha, megjithatë, Shqipërisë mesazhet e veta. Më i pari i të cilëve: atë që nuk e merr prej më të fortit dhe më të pasurit, prite prej më të varfërit dhe më të urtit. Kishte një element të habisë, që në pamje të jashtme dukej si panevojë, në protestën e kuksianëve të shtunën e pragPashkës. Krejt ndryshe nga grekët apo venezuelianët në proteta të ngjashme, me kërkesa politike apo ekonomike, shqiptarët e Kukësit dhe me gjasë të shumë trevave të tjera, shfaqeshin para policëve me skafandra, duke shkulur trarë, duke gjuajtur me gurë, apo thjeshtë duke rezistuar, të pambuluar, pa maska, pa shami nën sy dhe mbi hundë. Pa asnjë dert, sikur kryengritja e tyre të ishte një duel me një burrë tjetër, të barabartë në kurajo dhe mjete, që sall u kishte hedhur një fjalë të rëndë.

Te kjo shfaqje cullake e protestës kishte një 'më dil të dal' klasik, por jo një karshillëk vulgar. Ajo që mund të ngjante si humbje e urtësisë (shteti e kap lepurin me qerre, etj.), qëllonte të ishte një demonstrim i së drejtës. Mungesa e maskave në fytyrat e protestuesve rrëzonte maskën e qeverisë, që i kërkonte kësaj krahine të varfër dhe banorëve të saj, taksën e radhës herë tre, duke u dhënë njëherësh talljen dhe braktisjen.

'Beteja' e Kukësit ishte jokonvencionale edhe për një arsye tjetër. Nëse shteti, si përkufizim, marshon përpara dhëmbëkërcëllitës me mjete lufte, protestuesit mundohen ta ndalin me barrikada. Kësaj here barrikadën e kishte ngritur shteti, në formën e blloqeve të betonit, trarëve etj. Njerëzit duke qenë më të pafuqishëm, në parim, se çdo shtet, përdorin mjetet kompensuese si maskat dhe barrikadat. Të cilat në Kukës ishin në duart e shtetit.

Kjo e tregon qartë se cilët ndiheshin të pafuqishëm në atë përballje.

Dhe, kjo ishte shenja e dytë që Kukësi i dha Shqipërisë.

Të fundit