Flash News

OP-ED

Pse nuk gajaset më Balla?

Pse nuk gajaset më Balla?

Zef Zefi

Kur më 2014 opozita denoncoi në Kuvend avionët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë si të implikuara në transportin e drogës, Qeveria socialiste shpërtheu në të qeshura, sepse sipas versionit Kryministror, Ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, ishte ngjitur në qiell për të vrarë mushkonja. Kjo për shëndetin e popullit dhe të turistëve, ndërsa PD duke parë avionët, i kishte ngatërruar ata me mushkonja. Qeshi kreu i Qeverisë, qeshën pastaj si me komandë socialistët e Kuvendit, pastaj me lot e sekrecione të tjera shpërthyen mediat e vendit, qeshën qytetarët dhe sidomos intelektualët, të cilët ngritën grushtin përpjetë, duke thirrur "poshtë opozita, kjo nuk është opozita që duam".

Kur ra avioni i Divjakës, prapë ishte PD që njoftoi publikisht Parlamentin se një "mushkonjë" qeverie, ishte rrëzuar në Divjakë. Mushkonja ra se i qe thyer rrota, pa do të ikte si të tjerat. Mbas rënies, tahirësat e policisë së asaj kohe, nxituan për ta asistuar pilotin bashkë me makinerinë e tij. Edhe në këtë rast, romuzet e kreut të Qeverisë, u munduan ta mbulonin me të qeshura dhe tallje të vertetën. Qeshi kush qeshi, po ja aq sa romuzçiu deshi. Nuk po qeshej sa me mushkonjat e para. Kjo siç duket ia prishi humorin atij. Ndaj u vërejt, përvoli njërën vetull. Deshi t'ja shante robt opozitës, po s'e bëri. Në vend të robve..., tha: "...pa dale, dale...”

Kuvendarët e socializmit u mpinë në çast si t’u kishte ra pika. Veç Balla me dy-tri pjeshka nuk mpiheshin dot. Balla për arsye "morfo-faqjale" të ngërdheshjes natyrore, kurse pjeshkat e hapura, ...së qeshuri, hoqën shumë të mbylleshin. "Dale këtu ti mo SHQUPS, ku e pe ti avionin. E para ti gënjen popullin, se ti ishe këtu me mua. E dyta ti nxin faqen e Shqipërisë, me këto rrena, e treta edhe sikur të jetë e vertetë, kush është ay që ti tha tia ë? Ty po të them, kush është ai që ti jep këto (dez)informacione të nxish qeverinë, Shqipërinë, reformat, negociatat. "Fol, robt...!"

Kaq iu desh të insinuonte "autori-teti" i krimit që shtypi i vendit, mbarë opinioni i një milion shpullave, në vend të investigonin faktin, krimin qeveritar, ngarkesën, rrotën e avionit, pilotët, zhdukjen e gjurmëve të krimit nga Tahiri, i bënë kauzë opozitës. Opozita duhej të jepte llogari. E njëjta situatë para katër ditësh. Shefi i opozitës, vihet në qendër të gajasjeve parlamentare, sepse ky i fundit, po denonconte makinat e Mafias shqiptare që transportojnë euro me kile në Shqipëri, të siguruara nga eksportet e prodhimit rilindas të drogës. Situatën komike, socialistët e Ruç-kuvendit e qitën përjashta mureve. Balla vrapoi t’u thoshte gazetarëve se nuk duhet marrë seriozisht Kryetari i opozitës me deklaratat e tij, mbasi ky është trillim, ose në këtë rast shefi i opozitës duhet denoncuar për moskallzim krimi.

Kur brenda dy ditësh krimi u zu me presh, siç e kishte denoncuar opozita, gajasja socialiste u ndërpre. Kryetari i opozitës kishte pasur të drejtë, ai paskësh denoncuar krimin, ndërkohë qeveritarët dhe Grupi socialist i deputetëve, jo vetëm kishin qeshur, kishin fshehur krimin, po kishin akuzuar kundërshtarin se po thoshte të pavërteta. Por, për socialistët e drejta nuk mund të jetë asnjëherë në krahun e kundërshtarit. E drejta dhe e vërteta është nga ana e tyre, ose janë ata vetë. Skema mafioze përsëritet pothuajse identikisht si para katër viteve, me denoncimin dhe ekzekutimin e kallzuesit të krimit. Shih gazeta "Tema" me titull; "Basha, duhet marrë seriozisht si... tellall i mafias" (24 qershor 2018). Artikulli në fjalë sulmon dhe kërkon diskreditimin e denoncuesit me parabolat alogjike dhe irracionale të mendjes kryeministrore. Opinioni shqiptar pret me grushtin lart "synoptikat".

Prokuroria hesht, bota qesh. Ndërsa ariu i mafias nuk e çan menderen për miza e mushkonja.

Të fundit