Flash News

KRYESORE

Pse nuk reagoi ambasada e SHBA pas shembjes së Teatrit Kombëtar?

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, dje në orën 4.30 të mëngjesit shkaktoi një situatë kaotike dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Nga kjo ngjarje pati shumë të shoqëruar dhe revoltë nga ana e protestuesve, për thuajse 12 orë. Ajo çka ndodhi dje në sheshin pranë godinës së shembur të TK ngjalli reagime të shuma edhe nga faktori diplomatik.

Gjatë ditës pati reagime nga disa ambasada të akredituara në Tiranë si ajo e Gjermanisë dhe e Britanisë së Madhe.

“Shembja e nxituar e Teatrit Kombëtar në Tiranë agimin e ditës së sotme në atë formë, që e pamë, është për mua e vështirë për t’u kuptuar. Pikërisht në situatën aktuale të jashtëzakonshme dialogu mes qeverisë dhe shoqërisë civile si dhe sjellja transparente e qeverisë janë veçanërisht të rëndësishme”, theksonte ndër të tjera reagimi i ambasadës gjermane.

“Thellësisht të shqetësuar nga mundësitë e humbura për dialog mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe episodet e dhunës në Shqipëri. Mbështesim të drejtën demokratike për të protestuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë të përfshirëve të garantojnë që të jenë paqësorë. Dhuna cenon parimet themelore të demokracisë," shkruante ajo Britanike.

Po ashtu, reagime pati edhe nga  eurodeputeti Michael  Gahler dhe reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian David Lega, ndërsa sot edhe nga Komisionit Evropian.

“Shprehim keqardhjen tonë që thirrjet për dialog nuk u respektuan, i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen. Ne i kemi ndjekur të gjitha zhvillimet në terren dhe konstatojmë se pati një përdorim force, iu kërkojmë të gjitha palëve që të vetëpërmbahen. Përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional me rrethanat”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e KE-së.

Megjithatë, ajo që ra në sy është mosreagimi i ambasadës amerikane në Tiranë, për një ngjarje që shkaktoi mjaft tension mes policisë dhe protestuesve, përfshirë edhe emra të politikës.

Ndërkohë, në rrjetet sociale vihet re se ambasada e SHBA reagon vazhdimisht për çështje nga më të ndryshme, ndërsa për situatën e 17 majit deri tani nuk ka asnjë qëndrim.

Të fundit