Pse nuk u përfshi Alfred Peza në listat e PS?

Sekretarja për Rininë në Partinë Socialiste, njëherësh edhe kandidate për deputete në Korçë, Elisa Spiropali ka sqaruar një natë më parë se përse nuk është përfshirë në listat e kandidatëve deputeti Alfred Peza.

E ftuar në emisionin ‘Tonight Ilva Tare’ Spiropali ka thënë se Peza ka deklaruar se nuk do të kandidojë dhe këtë e ka  thënë në Kryesi. Më tej Spiropali ka shtuar se deputeti socialist nuk ka pengesë ligjore, por ka vendosur që së pari të përballet me ata që kanë hedhur akuzat dhe më pas do të vazhdojë karrieren.

‘Peza ka deklaruar se nuk do të kandidojë, e tha këtë në Kryesi. Nuk ka një pengesë ligjore, por për të fshirë gjithë llumin që është hedhur mbi të, Peza ka vendosur që së pari të përballet me ata që kanë hedhur akuzat dhe më pas do të vazhdojë karrieren. Ne do të kishim shumë dëshirë, me gjithë zemër që të kishim përballë Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës, po në kontekstin ku jemi, PD-ja ka vendosur të mbyllet dhe t’i fshihet garës. I bëjmë thirrje opozitës që të ulen në tavolinë, t’i bëjnë thirrje arsye dhe të nisin betejën elektorale. Kanë një elektorat besnik, të qëndrueshëm, të fortë, gjë shumë e mirë në politikë. Nuk e meritojnë as ata dhe as shqiptarët që të mos kenë PD-në në zgjedhje”,  Spiropali.